‘Freedom House’, Maqedonia vazhdon të fundoset sa i përket lirisë së mediave
Maqedonia është radhitur në vendin e fundit në Ballkan dhe të parafundit në Evropë, për lirinë e mediave. Në raportin e ri të “Freedom House”, Maqedonia konsiderohet si vend pjesërisht i lirë me 58 pikë, ndërkohë që pas saj gjendet Turqia e cila është futur tashmë në kategorinë e shteteve jo të lira. Në nivel global Maqedonia renditet në vendin e 125 në botë, nga gjithsej 199 shtete.
“Maqedonia ka shënuar ulje prej 10 pikësh në pesë vitet e fundit, dhe konsiderohet si vendi më i keqi në rajon. Disa media opozitare janë detyruar të mbyllen gjatë kësaj periudhe ndërkohë që gazetari Tomisllav Kezharovski mbeti i arrestuar gjatë vitit 2014 për shkak të akuzave të dyshimta për zbulimin e dëshmitarit të mbrojtur në një vrasje”, theksohet në raportin vjetor të Freedon House, për lirinë e mediave.
Në raport konstatohet se përkeqësimi i gjendjes së mediave është karakteristikë për gjithë rajonin e Ballkanit.
“Disa vende të Ballkanit Perëndimor edhe më tej shfaqin dukuri shqetësuese sa i përket shkeljes së lirisë së mediave në vitin 2014. Këto media ballafaqohen me probleme të njëjta: Përdorimi i ligjeve për shpifje dhe fyerje nga politikanët dhe biznesmenët për të penguar raportimin kritik, trumbetim i politikës pro-qeveritare nga serviset publike, presion mbi redaktorët nga liderët politikë dhe pronarët privat që çon në vetë-censurë; ngacmime, kërcënime, sulme ndaj gazetarëve të cilët kalojnë pa dënime; si dhe struktura e paqartë pronësore”, theksohet gjithashtu në raport.
Maqedonia renditet si vend pjesërisht i lirë edhe për sa i përket ambientit juridik, politik dhe ekonomik. Maqedonia gjithashtu është vendosur në grupin e shteteve që kanë shënuar përkeqësim më të madh në 5 vitet e fundit së bashku me Republikën Qendrore Afrikane, Turqinë, Ekuadorin, Tajlandën, Bahrejnin. Edhe në raportet e organizatave tjera Maqedonia renditet më se keqi në rajon dhe më gjerë sa i përket lirisë së mediave.