Frika nga refugjatët sirianë, pse Çekia, Hungaria, Polonia e Sllovakia janë kundër kuotave
Dy takime të nivelit të lartë brenda javës tregojnë qartë se me çfarë vështirësish po përballet Europa në gjetjen e një zgjidhjeje të asaj që brenda pak muajsh u shndërrua në krizën më madhore e të ngutshme për vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Rreth 120.000 vetë duhen shpërndarë në bazë të një sistemi kuotash, të cilin një grup shtetesh qendrore nuk e qasin as si ide. Por përse refuzojnë kaq fort Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke?
Kjo e fundit në fakt është e vetmja që ka bërë një lëshim shumë të vogël, duke e lënë të hapur mundësinë e pranimit të më shumë se 1.500 refugjatëve sa ishte oferta e saj fillestare, vetëm se me kushtin që sistemi i shpërndarjes të mbetet në bazë vullnetare.
Nuk është se s’ka të huaj në Çeki. Sipas të dhënave të vetë Ministrisë së Brendshme, në këtë vend jetojnë me dokumenta të rregullta 458.000 të tillë, nga 10.5 milionë banorë që është popullsia në total.
Disa kanë marrë dhe nënshtetësinë, por me përjashtim të komunitetit të mirintegruar vietnamez, pjesa dërrmuese e kësaj kategorie janë të bardhë.
Shumica sllavë dhe të krishterë, megjithëse Republika Çeke konsiderohet si një prej vendeve më pak fetare në botë. Myslimanët atje janë shumë pak në numër, nuk arrijnë as në 20.000 gjithësej.
Ashtu si dhe ish-fqinjët e tyre komunistë, çekët thjesht s’kanë dashur të ekspozohen ndaj atij lloj emigracioni nga Afrika dhe Azia që ka transformuar shoqëritë, interesat dhe mënyrën e të menduarit në Perëndim.
Në këtë rajon ekziston një frikë e përgjithshme nga ndryshimet shoqërore të manipuluara prej liderëve politike, thotë Milan Niç, drejtor i Institutit për Politikat Europiano-qendrore me seli në Bratisllavë. Shoqëritë tona ende nuk janë të shumëllojshme apo realisht të hapura, shton ai.
Disa shtete të Europës qendrore si Sllovakia kanë në historinë e tyre 400 vjet mërgim e vetëm pak vite ardhje të emigrantëve dhe kriza e fundit, për ta, është thjesht tepër e vështirë për t’u gëlltitur. Dhe këtë, kryeministri sllovak Robert Fico e tha qartë përmes rreshtave të deklaratës së tij te fundit.
“Ne gjendemi përballë një tsunami refugjatësh. Nëse do pranonim kuotat e detyrueshme të BE-së, atëherë një ditë do të gdhihemi me 100.000 njerëz nga bota arabe nëpër këmbë. Dhe ky është një problem të cilin unë nuk e dua për Sllovakinë”, ishin komentet e tij.