Opinion

Fundi historik i “Doktorit”

Nga Klevis Hoxhaj

Dosja hetimore më e bujshme e Strukturave të Posaçme, nën “bekimin” e autoriteteve amerikane, qëmtoi politikisht një nga figurat më të rëndësishme të tre dekadave të fundit në Shqipëri.

Bëhet fjalë për hetimin e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, ku janë përfshirë ish-kryeministri (hetimi merr shkas nga kjo periudhë – ed.) dhe ish-presidenti Sali Berisha si dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Për të parën herë, ish-kryedemokrati është thirrur si i pandehur në bankën e drejtësisë, si person nën hetim për korrupsion pasiv.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka caktuar ndaj tij prej të premtes masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Në një deklaratë për mediat, ai zbuloi se rruga e ballafaqimit me drejtësinë do të kalojë pikë së pari nga Kuvendi, “siç thotë Kushtetuta”.

“Nuk refuzoj kurrë të paraqitem në gjykatë apo në prokurori, por në rastin konkret, ka një bllokim të plotë kushtetues… unë Kushtetutën nuk e shkel kurrë!”, theksoi ish-kryeministri për transmetuesin “Syri TV”.

Edhe pse credo-ja e tij politike “çdo gjë që tenton të më vrasë, më bën më të fortë” vijon të përdoret si retorikë nëpër konferenca mediatike, kësaj radhe nuk ka vetëm tym në selinë blu.

Shkëndijat erdhën në një kohë kur opozita kryesore po planifikonte një grevë urie në parlamentin shqiptar, pas përjashtimit në masë të një grupi deputetësh demokratë.

“Nuk besoj se vetë Berisha ka qenë i qartë për planet e opozitës dhe ca më pak të tjerët. Të mjafton, t’i dëgjosh kur shprehen të kuptosh se ata vetëm sajojnë. Ndërkohë, që Rama po e merr dhe po e përdor pushtetin vetëm për fuqinë e tij dhe madje shprehet gjithnjë e më shumë për një mandat tjetër”, argumenton fillimisht për Albanian Post analisti Ben Andoni.

Të shumtë ishin përfaqësuesit demokratë (përgjithësisht nga Rithemelimi -ed.), të cilët i dolën ish-kryeministrit në mbrojtje, duke sulmuar organet e drejtësisë.

Deputeti Edi Paloka deklaroi se, “SPAK-u është bërë vegël e politikës së Ramës”, ndërsa ish-kreu i PD-së, Tritan Shehu i lexoi veprimet e drejtësisë ndaj Berishës si “një masë politike për izolim”.

Ish-presidenti Ilir Meta sulmoi po ashtu organet e drejtësisë duke shkruar se “qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës”.

Sipas analistit Andoni, kjo gjendje do të ndikojë shumë në planet opozitare të Berishës.

“Shenjat u dhanë me një lloj ‘braktisje’ që i bënë dje (pardje – ed.), në konferencën e shtypit, kur kishte nevojë më shumë se kurdoherë. Tashmë, problemi do të jetë se cili do të marrë pushtet dhe do të tregojë interes për drejtimin”, shtoi gazetari për AP-në.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Demokratëve, Gazment Bardhi ishte ai i cili mbajti një pozicion më të moderuar.

Teksa e cilësoi vendimin e GJKKO-s si “antikushtetues” dhe kërkesën e SPAK-ut si “të nxituar”, ai theksoi se ““askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin”.

“Është pak e hershme për PD-në që të bashkohet me frymën e Bardhit, por edhe jo e lehtë të drejtohen nga ai”, deklaroi në vijim Ben Andoni.

Gjatë ditës së hënë, Berisha doli në një konferencë për shtyp, nga ku e konsideroi masën shtrënguese ndaj tij si “një paçavure” të kryeministrit Edi Rama.

Përballë gazetarëve, ish-kryeministri theksoi se organet e drejtësisë nuk janë në “gjendje të japin provë apo fakt, dokumente që në procedurat është shkelur në mënyrën më të vogël ndonjë ligj normë ligjor”.

“Që Rama ka pushtet dhe njëfarë peshe dhe tek Drejtësia, kjo e ka një logjikë. Duke qenë në pushtet dhe me mundësi të madhe fuqie, është edhe një interlokutor i mirë për Drejtësinë. Rama e ka shprehur qartë dhe pothuaj i ka lëshuar njerëzit e tij. Kjo është bërë e qartë, qysh me ish-ministrin Tahirin dhe së fundmi me ish zëvendës kryeministrin Ahmetaj”, artikulon Andoni në analizën e tij.

Por, sipas tij, kur përmendet tashmë nga Berisha nuk ka shumë peshë.

“Vetë Drejtësia është fusha më e vlerësuar nga të huajt në vendin tonë, kurse në këtë pozicion fjalët e Berishës do bëhen gjithnjë e më pak pa vend. E mira do të ishte, që të mos e ofendonte Drejtësinë, pasi ai vetë ka qenë pjesë e atyre që e kanë votuar si reformë. E thënë në ditët e fundit dhe përballë akuzës, që po i bëhet është e njëjtë sikur të gjithë tashmë edhe t’i prezumojnë dënimin”, shton analisti shqiptar.

Në vazhdën e seancës së parë të GJKKO-s për të akuzuarit e dosjes hetimore në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, pritet që institucioni i drejtësisë të lërë në fuqi masën e sigurisë edhe ndaj Berishës.

Rruga e drejtësisë dhe provimit ose jo të “dyshimit të arsyeshëm” të prokurorëve të SPAK-ut për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj ish-kryeministrit Berisha do të nisë herët a vonë.

Ajo, politike mesa duket është drejt fundit historik të “Doktorit”, pas shpalljes non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 19 maj të vitit 2021.

“Kam përshtypjen se nëse Drejtësia do të shkojë më thellë atëherë është një fund historik. Që do të thotë se është më shumë se kapitullim. Pasi për këtë të fundit tregon se ke luftuar dhe je mundur, kurse në rastin e Berishës është se po të nxjerrin si të pamundur e padenjë për të luftuar”, ravijëzon analisti Ben Andoni në përmbyllje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button