Fyle: Qeveria dhe opozita të punojnë së bashku që të bëjnë integrimin realitet
Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Stefan Fule, i bëri thirrje të hënën qeverisë dhe opozitës që të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive, në frymë kompromisi që të bëjnë integrimin realitet.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në krah të Kryeministrit Rama, menjëherë pas përfundimit të tryezës së katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri – BE, që u mbajt këtë paradite në Tiranë, komisioneri Fyle nënvizoi rëndësinë e dialogut dhe gjithpërfshirjes në proceset integruese. “Ju përgëzoj për faktin që janë ngritur tashmë grupet e përbashkëta të punës dhe që janë kryer edhe takimet e para me herët këtë muaj. Ato do të ndihmojnë Shqipërinë që Shqipëria të fokusohet tek rezultatet konkrete për secilën prej këtyre prioriteteve kyçe dhe do të identifikohen edhe masat përkatëse që do të merren parasysh. Në shumë raste të mëparshme unë kam theksuar që në mënyrë që të ecet përpara dhe të kihet sukses, integrimi në Bashkimin Europian duhet të jetë një proces gjithpërfshirës. Dhe unë e di, që këtu ka konsensus të gjerë për të ardhmen e Shqipërisë, përsa përket integrimit europian. Por, ju bëj thirrje, qeverisë dhe opozitës që të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive, në frymë kompromisi, që të bëjnë integrimin realitet. Unë kam inkurajuar qeverinë dhe opozitën që të bashkëpunojnë për të ngritur Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, që me anë të këtij këshilli të kanalizohen të gjitha energjitë dhe palët e interesuar, duke përfshirë shoqërinë civile në këtë proces reformash”, deklaroi Komisoneri i BE-së, Fyle. Kjo, tha ai, sepse do të ketë vetëm një fitimtar në fund të këtij procesi , Shqipëria dhe populli shqiptar.
Tryeza e sotme, tha Fyle, i shërben angazhimit për të punuar me Shqipërinë për të siguruar që ritmi i reformave vazhdon dhe që do na çojë në një fazë tjetër të procesit të integrimit të Shqiperisë, që është çelja e negociatave të anëtarësimit në BE.
Sipas komisionerit Fyle, dhënia e statusit të vendit kandidat në qershor ishte njohje e qartë e ecurisë dhe progresit të bërë nga Shqipëria, por edhe inkurajim për përpjekje të mëtejshme për reformat, të cilat lipsen për të ecur përpara në një fazë tjetër.
“Sot ne jemi përqëndruar tek planet e Shqipërisë për të zbatuar proritete kyçe, të cilat janë të nevojshme për çeljen e këtyre negociatave të anëtarësimit. Kemi parë nga afër zhvillimet që nga muaji qershor dhe kemi patur vëmendje të veçantë për shtetin e së drejtës”, tha ai.
Në vijim të fjalës së tij, komisioneri Fyle u ndal edhe në vizitën e Papës në Shqipëri, duke bërë një paralelizëm mes tolerancës fetare dhe asaj politike që duhet të mbizoteroje në vend. “Vetëm përpara pak ditësh vizita e Papës tregoi dhe e pamë të gjithë Shqipërinë që ishte tërësisht e bashkuar për kauzën e tolerancës fetare, për respektin ndërmjet besimeve fetare dhe ky duhet të jetë edhe shembulli për forcat politike që të shikojnë panoramën më të madhe më të gjerë dhe të përqendrojnë përpjekjet e tyre drejt objektivit të përbashkët për integrim e Shqipërisë në BE”, deklaroi Fyle.
Fyle u ndal edhe në bojkotin e opozitës. “Kam dëgjuar jo për të parën herë shqetësimet e opozitës. Ia kam bërë edhe para pak kohësh të qartë opozitës se që të dalësh nga Parlamenti e të sillet beteja juaj politike në rrugë, nuk është mënyra europiane dhe kjo nuk ndihmon vendin dhe nuk e sjell Shqipërinë akoma më afër ambicies së shqiptarëve për t’u integruar”, tha ai
Gjatë diskutimeve të sotme, theksoi Fyle, pamë një arritje nga të dy palët dhe në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë, ai u bëri thirrje të dy palëve të përdorin këtë dritare që është hapur sot që opozita të kthehet në Parlament dhe qeveria të marrë masat që opozita të ketë çdo gjë që është e nevojshme që ajo të bëjë punën e vet