Gazetari Elton Qyno: Në SPAK më prenë në besë, mbyllën derën me çelës dhe s’më lanë të iki
Gazetari Elton Qyno, i mbajtur ‘peng’ për më shumë se 10 orë në SPAK, ka treguar në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV momentet e përballjes me prokurorët dhe OPGJ-të të cilët i kanë bërë presion për të treguar burimet e tij.
Qyno ka treguar se është prerë në besë nga zyrtarët e SPAK pasi e kishin thirrur për tu njohur me një dokument dhe më pas i kishin mbyllur derën me çelës duke e mbajtur aty me forcë.
‘Nuk mund të mbahet gazetari i mbyllur me derën me çelës nga brenda dhe të mos lejohet për orë të tëra të dalë jashtë, por të lejohet të dalë vetëm në tualet.
E gjithë kjo bëhej vetëm për të dorëzuar telefonat. Dorëzo telefonat, çfarë je ti kështu. Dmth disa situata që njerëzit nuk i kanë provuar as në SPAK e askund tjetër.
Unë jam pyetur 12 herë në prokuroritë e rretheve, por edhe në SPAK për nxjerrje të sekretit hetimor, duke nisur nga Prokuroria e Përgjithshme me kryehetuesin Zamir Shtylla.
Por si kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që unë të shkoj në mirëbesim total pasi më thirrën të njihem me një urdhër ndalim publikimi dhe nga ana tjetër unë futem e nuk lejohem të dilja vetëm e vetëm që të dorëzoja telefonat.
Unë kam këmbëngul që të mos dorëzoja telefonat, së pari ishte etika ime gazetareske që e ndalon në mënyrë kategorike publikimin e burimit të të dhënave. Dhe aty më bënë një pabesi aty, sepse më thirrën për diçka tjetër dhe më mbanin peng.
Unë e kam nënshkruar një shkresë për mospublikimin e akteve, por ajo nuk ka lidhje me materialet që kam nxjerrë dy ditët e fundit.
Nëse SPAK i përmbahej urdhrit të vitit 2022, pse dje SPAK më dha një urdhër të vitit 2023?’, tha gazetari Elton Qyno në SYRI TV.