Gent Caka si Edon Zhegrova
Nga: Ermal Mulosmani
Gent Cakaj është Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. 28 vjeçari me origjinë nga Prizreni, i edukuar në Kosovë (edukimi bazë) dhe diplomuar në Central Europian University në Budapest, ka punuar si këshilltar i Kryeministrit të Shqipërisë, zëvendës Ministër i Jashtëm dhe, prej 3 muajsh ushtron detyrën e Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë!
Një karrierë e jashtëzakonshme!
Prej kur emri i tij doli në dritë nga Kryeministri e deri ditët e sotme ai bën lajm në media. Fillimisht u bë lajm ngaqë ishte nga Kosova, më vonë ngaqë Presidenti I Republikës nuk pranoi ta dekretonte Ministër. Më vonë komentet u kaluan në deklarimet kryeministrore për gjenialitetin e Gentit .
Një presion I fortë mbi shpatullat e njoma të një djali të ri nga e gjithë media. Ndoshta edhe për shkaqe xhelozie, ndoshta edhe sepse u teprua me “gjenialitetin” e tij .
Genti përpiqet maksimalisht të dalë në pah, të justifikojë besimin. Dhe kjo është gracka ku ai ka rënë…
Sajoi dy dalje në konferenca shtypi. E para ishte për të treguar se deri ku ka degraduar sistemi i pashaportave diplomatike. E dyta për të zhbërë abuzimet me emërimet e konsujve të nderit dhe shpërdorimet që burojnë nga këto emërime.
Ishin padyshim dy vendime pozitive. Por, mënyra e zgjedhur për të dalë vetë, për të nxjerrë në pah katandisjen e punëve të jashtme të këtij vendi ishte një vendim jo i mirë. Mundej edhe të nxirrte dikë tjetër ta bënte këtë. Fjala vjen Zv/Ministrin, Zëdhënësin ose Sekretarin e Përgjithshëm. Ose ta bënte përmes një dekalarate për shtyp. Por jo, me siguri i këshilluar nga Kryeministri ose dikush afër tij, do dilte vet. Për të thënë që “Jo vetëm i bëj unë ndryshimet por edhe për ti bërë publike i bëj unë”. Sigurisht, edhe nëse ata të tjerët do t’i bënin deklaratat vendimi i Gentit do të ishte. Por, jo duhej të dukej vetë…
Një lloj protagonizmi i kërkuar me zor, me spikamë!
Ndjehej që donte të dukej medoemos. Tu thoshte gjithë komentuesve që: “Më gjykoni për atë që bëj, jo për moshën”.
Madje, Genti, këtë e thotë edhe në daljet televizive. Në një të tillë para dy a tre ditësh, kur gazetarja e pyeti se “Si ndjeheni me kolegë të vendeve të tjera që, sa keni ju vite jetë, ata kanë karrierë?” Genti u shqetësua ndjeshëm. Fliste sikur recitonte një fjalë të menduar e të provuar para pasqyrës. Sipas rrokjeve ishin edhe lëvizjet e duarve. Psh thoshte “Çë-shtja e mo-shës dhe mosha -ime rela-tivisht e re”… dhe duart në çdo rrokje i lëviznin sa majtas djathtas. Kjo është tipike e nxënësve që janë në fillore.
Dreqin Gent! Thuaj “jo, nuk ndihem keq “ e vazhdo bre burrë! Pse po kompleksohesh?!
Pastaj, kur djali e kaloi këtë situatë, filloi edhe të qeshte dhe deklaroi në delir: “ Unë mund të sfidoj tepër më shumë por nuk jam i sigurtë nëse do të ndiheshit komod nëse unë shpërfaq të gjithë arsenalin tim në tërësi”!
Kjo është perlë. Mund ta thoshte një nga fëmijët mburravecë të Piter Panit dhe do të tingëllonte e tepërt… Edhe ato pak kredite që i more në ato vendime administrative i hodhe në erë me diletantizmin dhe foshnjërinë diplomatike.
Ma kujtove Edon Zhegrovën.
Edon Zhegrova është një futbollist i Përfaqësueses së Kosovës dhe një nga talentet më premtues të futbollit kosovar. Sapo i ka mbushur 20 vjeç dhe luan në Basel. Personalisht jam ndjekës i vëmendshëm i tij dhe brengosem shumë kur nuk i shkojnë punët mirë. Herën e parë që e pashë duke luajtur futboll ishte ndeshja Shqipëri- Kosovë, miqësore. Rezultati ishte në favor të Kosovës 2 me 0. Zhegrova u fut në lojë si zëvendësues dhe vendosi të bëhej protagonist me driblime të tepruara dhe xhonglime të pavend. Të gjithë e panë që ai është i talentuar, atë ditë shënoi edhe golin e tretë ndaj Shqipërisë, Qysh prej asaj dite unë u bëra fans i tij. E ndjek edhe kur aktivizohet në Basel, si luan, si e vlerësojnë. Por ecuria e tij nuk është ajo që unë doja. Në Përfaqësuese e humbi vendin. Admiruesit e futbollit e shajnë në rrjetet sociale. Kryesisht për protagonizmin e tij të tepruar, dëshirën për spikamë, shpejt, në çdo moment, pa modesti.
Edon Zhegrova është i ri, vetëm një 20 vjeç. Por ai është veteran në krahasim me Gentin.
Në politikë, një 28 vjeçar është sa një 15 vjeçar në futboll. Futbollisti ka muskujt e këmbës ndërsa politikani muskujt e mendjes. Dhe kanë të tjera mosha biologjike këta të fundit.
Siç ta tha edhe gazetarja intervistuese, Gent, temperamenti, pasioni, maturia emocionale shkojnë paralel me diplomacinë.
Së fundi krahasimi me Edon Zhegrovën padyshim është kompliment për Gentin. Unë dua që t’i shkojnë punët mirë. Por, për të dy kam një këshillë të vetme. Punoni në ekip, shënoni gola e mos bëni xhonglime. Luani më shumë në fushë sesa jashtë saj. Për Gentin fusha kryesore është diplomacia e jo administrata.