Rajoni

Gërmime të reja për varrezë masive në Batajnicë, Serbi

rashka_8727Prokuroria e Serbisë për krime lufte ka nxjerrë urdhër për gërmime të reja në një lokalitet në Batajnicë të Serbisë, në afërsi të varrezës masive, në të cilën më herët ishin gjetur 900 trupa të shqiptarëve të Kosovës, të varrosur në grup.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Bruno Vekariq, zëvendës prokurori për krime lufte i Serbisë.
Ai ka theksuar se pas disa hetimeve, komunikimet me dëshmitarë, si dhe me misionin evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, është arritur te supozimet se mund të gjenden edhe disa mbetje mortore në Batajnicë, në afërsi të varrezës masive, ku ishte gërmuar më parë.
“Kjo është saktësisht afër lokalitetit ku janë bërë gërmimet dhe ku më herët janë gjetur 900 trupa”, ka thënë Vekariq.
Zëvendës prokurori për krime lufte i Serbisë, ka shtuar se urdhëri i prokurorisë është veprimi i parë dhe më pas, kjo çështje do të kalojë edhe te Grupi i përbashkët për të pagjeturit, i cili përbëhet nga delegacionet e Serbisë dhe Kosovës.
Punimet në Batajnicë, siç ka thënë Vekariq, do të nisin varësisht nga rrethanat dhe atëherë kur të sigurohen makineritë për një gjë të tillë.
Vekariq, gjithashtu, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e ekzistimit të varrezave të tjera masive në Serbi, për të cilat, sipas tij, po kontrollohen dhe përpunohen informacionet dhe dyshimet.
Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, tha disa ditë më parë se ka informacione për varreza të reja masive në Serbi, përfundon Radio Evropa e Lirë.
Kosova ka ende rreth 1700 të zhdukur të pagjetur të kohës së luftës së para mëse 15 viteve.
Në 12 shtator, në pikëkalimin kufitar, në Merdare, janë riatdhesuar nga Serbia për në Kosovë, përmes EULEX-it, mbetjet mortore të 24 personave të identifikuar, të zhvarrosura gjatë gërmimeve në Rudnicë, lokalitet në jug të Serbisë.
Deri tani, në Kosovë janë riatdhesuar 40 persona të gjetur në varrezën masive në Rudnicë. Sipas autoriteteve, mendohet se atje janë groposur qindra shqiptarë të vrarë e të masakruar në Kosovë.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në 29 gusht, ka folur edhe për rastin e varrezës masive në Rashkë, Serbi dhe nevojën për t’u identifikuar sa më shpejt civilët shqiptarë të zhdukur që nga viti 1999. “Deri sa po flas para jush, në qytetin e Rashkës në Serbi është zbuluar një varr masiv me rreth 350 trupa të civilëve shqiptarë të Kosovës të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ky nuk është varri i vetëm masiv i civilëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe i zbuluar në Serbi”, ka thënë Hoxhaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button