Gjashtë yjet për t’u parë në Kupën e Botës
Lionel Messi
Ndoshta lojtari më i madh i të gjitha kohëve, Messi ende nuk ka barazuar legjendat e kaluara Pele dhe Diego Maradona duke fituar çmimin më të madh të futbollit. Ai më në fund fitoi një turne të madh ndërkombëtar me Argjentinën, duke triumfuar në Copa America vitin e kaluar. 35-vjeçari ka thënë se ky “me shumë gjasa” do të jetë Botërori i tij i fundit dhe do të jetë i përkushtuar për t’u paraqitur më mirë se në vitin 2014, kur Argjentina humbi finalen ndaj Gjermanisë në kohën shtesë. Argjentina e Lionel Scalonit ka shpresa të mëdha për të fituar titullin, i cili do të ishte i treti. Në Katar, Argjentina ka shkuar me një seri prej 36 ndeshjeve pa humbje. Messi shënoi golin e 91-të ndërkombëtar në fitoren 5:0 ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, të mërkurën.
Cristiano Ronaldo
Rivali i Messit prej kohësh për statusin e lojtarit më të mirë në botë, Ronaldo, me siguri do të paraqitet për herë të fundit në Kupë të Botës, në moshën 37-vjeçare. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve në futbollin ndërkombëtar, shënoi së fundmi golin e 700-të në nivel klubesh. Ronaldo e ka fituar titullin e Evropës në vitin 2016, por titulli i botës është synimi i tij në Katar. Suksesin më të madh në Botëror, Ronaldo e ka në vitin 2006 kur arriti në gjysmëfinale. Ai do të presë të shënojë gol për herën e pestë rresht në këtë turne, duke tejkaluar Pelen dhe Miroslav Klosen.
Kylian Mbappe
Bashkëlojtari i tij te Franca, Karim Benzema, është fituesi aktual i “Topit të Artë”. Por lojtari më i rëndësishëm i kampiones së botës, Francës, mbetet Mbappe. Sulmuesi i Paris Saint-Germainit u bë adoleshenti i parë që shënoi në një finale të Kupës së Botës që nga Pele, kur Franca triumfoi 4:2 në finale ndaj Kroacisë para katër vjetësh në Rusi.
Mbappe, tani 23 vjeç, synon ta ndihmojë Francën ta mbrojë trofeun e rëndësishëm. Pasi fitoi trofeun e lojtarit më të mirë të ri në Rusi, këtë herë Mbappe do t’i ketë sytë te çmimi i lojtarit më të mirë të Botërorit.
Neymar
Brazili hyn në turne si favorit për të fituar Kupën e gjashtë të Botës, që do të ishte tjetër rekord. Forma e mirë e Neymarit këtë sezon te PSG-ja, do të jetë një plus për trajnerin Tite. Forma e mirë vjen pas një periudhe të vështirë të sulmuesit 30-vjeçar.
Neymar shkoi në Katar me vetëm dy gola larg për të barazuar rekordin e golashënuesit më të mirë të gjitha kohëve të Brazilit, të cilin e mban legjenda Pele. Brazili u mund nga Belgjika në çerekfinale katër vjet më parë, duke e lënë Neymarin ende në pritje për të kompensuar vitin 2014, kur Brazili u poshtërua 7:1 gjysmëfinale nga Gjermania.
Edouard Mendy
Portieri i Chelseat humbi vendin e titullarit tek ekipi nga Londra nën drejtimin e Graham Potter këtë sezon, pas një sërë gabimesh të kushtueshme. Por Mendy do të jetë vendimtar për shpresat e Senegalit për t’u bërë gjysmëfinalisti i parë afrikan në Kupën e Botës. Mendy, fitues i Ligës së Kampionëve në vitin 2021, priti një penallti kur Senegali mundi Egjiptin në finalen e Kupës së Afrikës në fillim të këtij viti. 30-vjeçari ishte titullar në dy ndeshjet e fundit të Chelseat në Premier League para Botërorit, pas dëmtimit të Kepa Arrizabalagas. Në mungesë të yllit Sadio Mane për shkak të dëmtimit, Senegali do të lutet që Mendy të rizbulojë formën që e pa atë të zgjidhej portieri i vitit 2021 nga FIFA.
Son Heung-min
Sulmuesi i Tottenhamit është padyshim ylli më i madh i futbollit aziatik dhe do të mbajë shpresat e Koresë së Jugut për të avancuar nga grupi i vështirë në Katar. Heung-min do të duhet të luajë me maskë mbrojtëse në fytyrë. Son ndau “Këpucën e Artë” të Premier Leagues sezonin e kaluar me Mohamed Salahun e Liverpoolit, pavarësisht se nuk gjuajti asnjë penallti për Tottenhamin. Ai ka shënuar 35 herë në 104 ndeshje për Korenë e Jugut, duke përfshirë golin e fitores mahnitëse të koreanëve në vitin 2018 ndaj Gjermanisë, e cila e eliminoi kampionen në fuqi në fazën e grupeve.