Gjenerali që nuk luftoi është tradhtar, krimineli është hero i kombit
Nga Dejan ANASTASIJEVIÇ
Fatet e kundërta të Vladimir Trifunoviç dhe Veselin Sljivancanin tregojnë një histori shumë reale të Serbisë moderne.
Thonë se ushtarët e moshuar nuk vdesin kurrë, ata thjesht shuhen. Kjo nuk është plotësisht e vërtetë: ata së pari shuhen dhe pastaj vdesin, ashtu si kushdo tjetër. Të marrim gjeneralin Vladimir Trifunoviç të Ushtrisë Popullore Jugosllave, JNA, një nga pak heronjtë e vërtetë të luftërave jugosllave, që vdiq vetëm dhe i harruar në moshën 79-vjeçare, në një spital ushtarak në Beograd, pasi kaloi vitet e tij të fundit në një dhomë të vogël të një hoteli të rrënuar për oficerët e dalë në pension.
Në shtator 1991, teksa shpërbërja e Jugosllavisë filloi të bëhej e dukshme, Trifunoviç komandoi një garnizon të madh në Varazdin, një qytet barok në Kroacinë veriperëndimore. Kur Krocia shpalli pavarësinë nga Jugosllavia, baza u dorëzua, elektriciteti dhe uji u shkëputën dhe forcat kroate filluan të gjuanin me snajper ushtarët e tij. Gruaja dhe fëmijët e tij u morën peng. Trifunoviç kërkoi për përforcime nga selia e JNA në Beograd, që ishte rreth 500 kilometra larg, por ata kurrë nuk erdhën. Në fakt, ai u urdhërua ta mbante bazën me çdo çmim.
Gjenerali kishte tankse dhe topa që mund t’i përdorte për të prishur rrethimin, por kishte pak karburant dhe e dinte se nuk do të shkonte larg. Selia e JNA e urdhëroi atë të bombardonte qytetin ose të përdorte artilerinë për të shpërthyer një digë aty pranë dhe për të përmbytur të gjithë zonën; ai refuzoi. Shumë ushtarë, kryesisht rekrutë 19-vjeçarë nga pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë shkuan në shtëpi; ai nuk i ndaloi. Në fund vetëm 280 qëndruan. “Këta fëmijë ishin nga familje të varfra, pa para apo lidhje për t’u larguar nga e keqja,” tha ai më vonë. “Nuk mund t’i lija të vdisnin atje, në një luftë të pakuptimtë”.
Pasi duroi një rrethim për rreth një muaj, gjenerali urdhëroi ushtarët e tij të prishnin tanket dhe artilerinë dhe të arrinin një marrëveshje me kroatët: ai e dorëzoi bazën në këmbim të një kalimi të lirë për veten dhe ushtarët. Kur ata kaluan në Serbi, ai u arrestua dhe u nxor në gjyq për tradhti të lartë. Trifunoviç mori 11 vite burg, nga të cilat kreu dy, gjithnjë i ngacmuar dhe abuzuar nga të burgosurit e tjerë dhe rojat.
Pastaj dënimi i Trifunoviç u fal dhe në 2010 ai u rehabilitua plotësisht. Por deri atëherë ai kishte humbur gjithçka: familja e tij e kishte braktisur dhe shumë miq të tij nuk e falën kurrë që refuzoi të vdiste me lavdi mes ushtarëve të tij dhe kush e di sa civilëve të pafajshëm. Në vitet e tij të fundit, ai u mbyll në një dhomë hoteli jo larg nga qelia e tij, ku i lante vetë rrobat dhe ku përgatiste vaktet në një sobë me gaz.
Kemi dhe një ushtar tjetër, i cili është shumë i gjallë dhe aspak i zbehur. Ndërsa Trifunoviç ishte në Varazdin, majori Veselin Sljivancanin ishte në krye të Rojës së JNA, një njësie elitë që ishte lidhur me selinë në Beograd. Në vjeshtën e 1991, Sljivancanin dhe njësia e tij u dërguan në Vukovar, një qytet në Kroacinë lindore pranë kufirit me Serbinë. Në fund të nëntorit, pas tre muajsh bombardime të vazhdueshme, Vukovari ra në duart e forcave JNA dhe njësive paraushtarake serbe. Qyteti u rrafshua me tokën dhe pasi ra, shumë të mbijetuar u vranë nga të fortët paraushtarakë. Sljivancanin nuk lëvizi as edhe një gisht për të ndaluar masakrat. Në vend të kësaj, bëri diçka edhe më të keqe: ushtarët e tij nxorrën 260 pacientë nga spitali i Vukovarit dhe i transferuan ata në një kamp burgu të improvizuar në kështjellën Ovcara jashtë qytetit, që drejtohej nga paraushtarakët. Atje ata u torturuan dhe pastaj u vranë, trupat e tyre u varrosën mes kockave të kafshëve në fermë.
Në kthimin e tij në Beograd, Sljivancanin mori një mirëpritje tjetër nga Trifunoviç. I pagëzuar nga media patriotike si “Luftëtari i Vukovarit”, ai ishte shpesh një i ftuar në programet televizive dhe shpesh shihej në restorante të shtrenjta duke darkuar me elitën e Serbisë së Sllobodan Millosheviçit. Ai u dekorua dhe u rrit dy herë në detyrë. Kur në fund u ndoq penalisht nga Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve të Luftës për Ish-Jugosllavinë, ICTY, ai ishte një kolonel.
Pas një presioni të madh nga komuniteti ndërkombëtar, Sljivancanin u arrestua në 2003 dhe u transferua në Hagë, ku ai doli në gjyq për masakrën Ovcara. Në fillim ai u dënua me pesë vite, pastaj me 17 dhe në vendimin final në 2010, dënimi ishte 10 vjet. Që atëherë ai kishte kaluar tashmë dy të tretat e dënimit në paraburgim dhe u lirua menjëherë, duke u pritur dhe një herë si hero.
Sljivancanin qëndroi jashtë vëmendjes deri vitin e shkuar, kur iu bashkua Partisë Progresive Serbe, SNS, kryesuar nga kryeministrit Aleksandër Vuçiç, që pa një mundësi për të fituar disa vota nga lavdia e vjetër e kolonelit. Një ditë pasi Trifunoviç vdiq, Sljivancanin po merrte pjesë në një tubim të SNS në Beska, një qytet i vogël në Serbinë veriore. Kur një grup aktivistësh nga Beogradi mbajtën një protestë dhe u përpoqën të ndërprisnin tubimin, ata u kanosën nga vagabondët e SNS; një vajzë u shkelmua ndërsa ishte shtrirë në tokë, ndërsa Sljivancanin shihte dhe buzëqeshte, ashtu siç bëri kur çoi pacientët nga Vukovari në fermën Ovcara. Aktivistët e paqes, që i përkisnin grupit të quajtur Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut, tani me gjasa do të përballet me akuza të huliganizmit.
Është një rastësi e çuditshme që numri i jetëve që Trifunoviç ka shpëtuar – 280 – është shumë i afërt me numrin e njerëzve që Sljivancanin ndihmoi të vriteshin – 261. Të dy kaluan kohë në burg, po vetëm njëri ishte fajtor. Fatet e ndara të ushtarëve të vjetër tregojnë çdo gjë që dikush duhet të dijë rreth të shkuarës dhe të ardhmes të Serbisë.
/Dejan Anastasijevic është një gazetar investigativ serb që aktualisht jeton dhe punon në Bruksel.