Gjermania kërkon reformim rrënjësor të BE-së, fund “vetos” dhe një qasje e re për integrimin e Ballkanit Perëndimor
Nisma më e fundit për të reformuar proceset vendimmarrëse të Bashkimit Evropian po merr vëmendje maksimale, pasi pasojat e saj prekin drejtpërdrejt të ardhmen e zgjerimit dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përballë pengesave të përsëritura të shkaktuara nga shtete si Hungaria, dymbëdhjetë shtete anëtare kanë mbështetur tashmë nismën për t’i dhënë fund bllokimeve në union. Gjatë një fjalimi në Fondacionin Konrad Adenauer në Berlin, Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul kërkoi zyrtarisht shfuqizimin e parimit të unanimitetit në BE, duke e lidhur këtë reformë drejtpërdrejt me nevojën për një integrim gradual të rajonit tonë.
Fundi i “vetos”, shumica e kualifikuar dhe zgjerimi
Sipas propozimit të kryediplomatit gjerman, e drejta e vetos, e cila aktualisht lejon secilin prej 27 shteteve anëtare të bllokojë vendime kyçe për unionin ose vendet kandidate, duhet të hiqet për t’u zëvendësuar nga një “shumicë e kualifikuar”. Kjo lëvizje do ta bënte konsensusin dukshëm më të lehtë dhe do të zhbllokonte procese që aktualisht janë në ngërç.
Duke u ndalur te procesi i zgjerimit, i cili shpesh ka rënë pre e këtyre vetove, Wadephul argumentoi se:
“Pranimet e ardhshme duhet të ndodhin gradualisht dhe jo në një hap të vetëm. Një qasje me faza mund të ndihmojë në kapërcimin e rezistencës ndaj disa vendeve kandidate, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Nën udhëheqjen e Gjermanisë, dymbëdhjetë shtete anëtare janë bashkuar tashmë për të sjellë këtë ndryshim të rëndësishëm në vendimmarrje. Nëse nuk arrihet përparim i përbashkët mes të 27 anëtarëve, një grup më i vogël vendesh duhet të marrë drejtimin.”
Përplasjet me Hungarinë dhe kushtëzimi i fondeve
Thirrjet për reforma vijnë pas polemikave ku kryeministri hungarez Viktor Orbán bllokoi një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën. Orbán e zbatoi bllokadën pas dëmtimeve në tubacionin Druzbha, të cilat ndërprenë përkohësisht furnizimet ruse me naftë. Megjithatë, pas humbjes në zgjedhjet e vendit më 12 prill ndaj Péter Magyar, ai ndryshoi qëndrim dhe kredia u miratua.
Për të shmangur raste të tilla bllokimi, Wadephul mbështeti një “mekanizëm kushtëzimi më të fortë” për fondet:
Ndihma financiare evropiane duhet të lidhet drejtpërdrejt me respektimin e sundimit të ligjit.
“Fondet e BE-së nuk duhet t’u shkojnë atyre që shkelin vlerat tona të përbashkëta,” theksoi ai.
Kjo qasje reflekton rastin e ngrirjes së fondeve për Hungarinë nga ana e BE-së, pas shqetësimeve mbi pavarësinë e gjyqësorit. Pasardhësi i Orbán, Péter Magyar, po përpiqet t’i zhbllokojë këto fonde në bisedimet që pritet të përfundojnë më 25 maj.
Burokracia dhe aleanca transatlantike
Në vizionin e tij për një Evropë më efikase, e cila duhet të mbetet funksionale edhe teksa zgjerohet drejt Ballkanit dhe Lindjes, Wadephul theksoi nevojën për të shkurtuar burokracinë. Kjo kërkesë pasqyron qëndrimin e bllokut konservator gjerman CDU/CSU, i cili i ka kërkuar Ursula von der Leyen ta bëjë BE-në më të thjeshtë.
Ndër propozimet përfshihen:
Krijimi i një Komisioni Evropian më të vogël, me komisionerë që përfaqësojnë vetëm dy të tretat e shteteve anëtare.
Ndryshime në përbërjen e Parlamentit Evropian për të shmangur sfidat që vijnë me një trupë kaq të madhe ligjvënëse.
Krijimi i një tregu të vetëm për pajisjet e mbrojtjes, i cili do të rriste bashkëpunimin në prokurim dhe do të ulte kostot.
Së fundmi, i pyetur mbi rëndësinë e aleancës transatlantike, Ministri i Jashtëm u shpreh se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara mbetet e palëkundur, duke theksuar se: “Nuk duhet të fillojmë të vëmë në dyshim gjëra që askush në Uashington nuk i vë në dyshim – madje as presidenti i SHBA-së.”


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.