Kosova

Gjirokastra dhe Mitrovica forcojnë bashkëpunimin me Kampet e Restaurimit

Rreth 35 pjesëmarrës nga 10 vende të Ballkanit Perëndimor, Europës e më gjerë do të mblidhen për dhjetë ditë në Kampin e 23-të Rajonal të Restaurimit, që organizohet nga Fondacioni “Trashëgimia Kulturore Pa Kufij – Shqipëri” në datat 9 shtator – 20 shtator 2015 në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Në vitin që shenjon 10 vjetorin e përfshirjes së Gjirokastrës në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, qytetit të çative të përhimta po i shtohen ngjyrat. Krahas kampit restaurues në Gjirokastër, Fondacioni, që këtë vit kremton 20 vjetorin e themelimit, në bashkëpunim me Trashëgiminë Pa Kufij (Mbretëri e Bashkuar) dhe Muzeun e Qytetit të Mitrovicës organizojnë Kampin e 24-t Rajonal të Restaurimit në Mitrovicë.

Programi që do të ndjekin dhjetëra studentë dhe profesionistë kombinon teorinë, përmes leksioneve dhe prezantimeve, me punën praktike, nëpërmjet ndërhyrjeve restauruese në monumente.

Pjesëmarrësit do të studiojnë dhe ushtrohen për katalogimin, konservimin parandalues të objekteve monumentale si dhe teoritë e interpretimit. Secila nga ndërhyrjet në objektet monumentale do të rreket të sigurojë mënyra të reja për të kuptuar vlerat që monumentet mbartin, por edhe për t’i interpretuar dhe rijetëzuar më së miri ato.

Objektivat kryesore të Kampeve Rajonale të Restaurimit janë përdorimi i trashëgimisë kulturore si një platformë për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për paqe dhe demokraci, dhe për të ruajtur mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale. Një nga qëllimet e Kampeve është edhe promovimi i Shqipërisë dhe Kosovës.

Puna e kampit të restaurimit në Gjirokastër do të përqendrohet sa më poshtë:

Shtëpia Xhaxhiu (Monument i Kategorisë së Dytë)

gjirokastra-albania-1
Pamje nga Gjirokastra

Shtëpia Xhaxhiu ndodhet në Varosh, një lagje e mirënjohur për elementët e saj unikë. Pranë saj gjenden monumente të Kategorisë së Parë si Shtëpia Kadare, Shtëpia Toro dhe Shtëpia Fico si dhe i famshmi “Sokaku i të marrëve”. Ndërhyrja në portën hyrëse dhe çatinë e këtij monumenti do të jetë vijimësi e ndërhyrjeve të kryera në të kaluarën në këtë zonë, çka i ka sjellë asaj vëmendjen e merituar. Pjesëmarrësit në këtë grup restaurimi, ndër të tjera, do të punojnë me drurin si një mjet ndërtues.

Shtëpia Sinani (Monument i Kategorisë së Dytë)

Kjo shtëpi është një monument i Kategorisë së Dytë dhe ndodhet në Donavat, një ndër lagjet që ofrojnë pamjen më të bukur të kalasë dhe qytetit të vjetër. Pjesëmarrësit që kanë zgjedhur të marrin pjesë në restaurimin e kësaj banese do të restaurojnë suvanë në pjesën veriore të saj. Shtëpia Sinani vijon të ketë disa dekoracione në fasadë, të cilat do të dalin më në pah gjatë ndërhyrjes. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të mësojnë suvanë tradicionale dhe mënyrën sesi punohet me të.

Shtëpitë e mikpritjes

Meqenëse komuniteti i Gjirokastrës dëshiron ta përdorë trashëgiminë e pasur kulturore si burim për një jetesë më të mirë, Kampet Rajonale të Restaurimit, kanë vendosur të zgjasin dorën e ndihmesës. Duke vijuar punën e Kampeve të 21-ta Rajonale të Restaurimit, kampet e shtatorit do të vazhdojnë bashkëpunimin me poseduesit e monumenteve që dëshirojnë t’i përdorin ato si shtëpi mikpritjeje, porse u mungon dija dhe mënyrat për ta bërë këtë. Një grup pjesëmarrësish në kamp do të punojnë njëherazi në disa shtëpi për të krijuar dokumentacionin e plotë në mënyrë që një ose dy dhoma të këtyre shtëpive të shndërrohen në dhoma për turistë. Pas studimit të secilit rast, do të propozohen ndërhyrjet e duhura, bazuar mbi ligjin shqiptar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe duke i qëndruar strikt specifikës së çdo rasti.

Interpretimi i Trashëgimisë Kulturore

view of Gjirokastra
Pamje nga Gjirokastra

Interpretimi është thelbësor për një restaurim të suksesshëm. Që çdo restaurim të jetë i qëndrueshëm, njerëzit duhet të dëgjojnë historinë e vendit, ta vlerësojnë atë dhe të ndjejnë përkatësinë e tyre rreth objektit monumental. Ndaj, një nga fokuset e këtij Kampi do të jetë interpretimi i trashëgimisë kulturore për audienca të ndryshme, duke iu përgjigjur pyetjeve: Përse e ruajmë trashëgiminë? Ç’domethënie ka ky monument? Ç’histori mund të thuhet përmes këtij druri, suvaje, apo guri?

Në mirënjohje të përkushtimit dhe përsosmërisë të tyre, Kampet Rajonale të Restaurimit të Trashëgimisë Kulturore pa Kufij – Shqipëri, janë shpërblyer me çmimin prestigjioz Europa Nostra të BE-së për Trashëgiminë Kulturore.

Gjirokastra

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2005, si një nga pak shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit otoman.
Nga veriu qyteti i Gjirokastrës kufizohet me fshatin Mashkullorë, nga jugu me Lazaratin, nga lindja me lumin Drino dhe me fshatrat e Lunxhërisë dhe nga perëndimi me Malin e Gjerë. Për shkak të rritjes së shpejtë urbane të Gjirokastrës, pas rënies së komunizmit, ka toponime të reja. Gjirokastra ka këto lagje: Cfakë, Dunavat i I-rë, Dunavat i II-të, Hazmurat, Manalat i I-rë, Manalat i II-të, Meçite, Palorto, Pazar i Vjetër, Pllakë, Teqe, Varosh, Zinxhire.

Ndërsa është pa dyshim me prejardhje otomane, arkitektura e ndërtesave historike në Gjirokastër, si dhe vetë qyteti i vjetër, është produkt i shumë përbërësve. Relievi i thyer ka lënë vulën në përcaktimin e vendosjes dhe mënyrën e shtrirjes së qytetit, që u krijua dhe u rrit nëpër kurrizet e kodrave, nën hijen e kalasë. Nga ana tjetër, afërsia e burimeve, prej ku sigurohej guri i nevojshëm për muret dhe për çatitë, mundësoi pamjen e veçantë që ka qyteti.
Gjirokastra ishte një qendër e rëndësishme administrative e shekullit XIX, e populluar nga pronarë tokash që u kishte xhepi të ndërtonin shtëpi-kulla madhështore të fortifikuara. Qyteti ka mbi 500 ndërtesa historike. Katet përdhese të kullave ishin edhe struktura mbrojtëse edhe magazina të shtëpisë. Ndërsa katet e sipërme shprehnin mikpritjen gjirokastrite, kulturën dhe mënyrën e jetesës së tyre; por, përmes interierëve të pasur, edhe rangun e pasurinë e të zotëve të shtëpisë. Herë-herë kjo e fundit duket sikur tejkalon dukshëm edhe vetë funksionin mbrojtës të shtëpisë. Për tu nënvizuar është për qendrën historike të Gjirokastrës edhe prezenca e ndërtimeve të stilit italian, të ndërtuar ne fillim shekulin e kaluar. Objektet e stilit italian perfaqesojne elementet e pare europian te zhvillimit ne qytet : Hotelet Royal dhe Savoia , Banka Nacionale d’Albania dhe Banka di Napoli , Kompleksi tregetar Zigai , Vila Kokalari dhe Papavangjeli ,Gjimnazi , etj.

Mitrovica

mitrovicaPozita strategjike dhe sidomos ajo gjeografike në mes dy lumenjve të rëndësishëm, Ibrit e Sitnicës, ka bërë që territori i Mitrovicës të popullzohet qysh në parahistori.

Mitrovica është qyteti i dytë më i madhë në Kosovë. Në territorin e sotëm të trevës së Mitrovicës janë zbuluar disa gjurmë ndërtesash, një nekropol ilir, statuja të ndryshme prej balte e prej plumbi, një sarkofag, figura e Terpsikorës (Muzës së vallëzimit) etj. Jeta ekonomike në Dardani, pra edhe në trevën e Mitrovicës ka qenë e mbështetur në radhë të parë në bujqësi. Në shek. I të e.r. Iliria u gjend nën sundimin romak. Mitrovica në këtë kohë mund të ketë qenë stacion pushimi dhe si vend i përpunimit të metaleve. Në kohën romake, pas Ulpianës, qendra e dytë e rëndësishme ishte Municipium DD afër Soçanës (Soçanicës) e banuar edhe në parahistori.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button