Ekonomia

Gjykata pranon prishjen e kontratës me Kurum Shipping, koncesionarin në Portin e Durrësit

Gjykata ka pranuar këtë javë një kërkesë të Ministrisë së Transporteve për zgjidhjen e koncesionit për mirëmbajtjen e terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit, me argumentin se koncesionari “Durrës Container Terminal” sh.a. nuk ka përmbushur kushtet e kontratës.

Lajmi bëhet i ditur për ‘Monitor’ nga burime pranë Ministrisë së Transporteve. Kjo e fundit, pak kohë më parë, paditi Koncesionarët Durrës Kurum Shipping, sh.a., Global dhe Liman Isletmeleri AS, Marinel S.R.L (që zotërojnë kompaninë Durrës Container Terminal). Objekti i palës paditëse është zgjidhja e kontratës “Për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit, mirëmbajtjes dhe përmirësimit teknik të terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit” datë 22/06/2011, për shkak të mospërmbushjes nga ana e koncesionarit të detyrimeve që lindin nga kjo kontratë koncesionare si edhe përcaktimin e shumës së dëmshpërblimit përkatës.

Arsyeja kryesore që po kërkohet prishje kontrate lidhet me mosrespektimin e saj. Kompania ka pasur probleme të shumta, si vonesa në përdorimin e vinçit të portit, mosrespektimin e përmasave të tij, bllokimin shumë herë të punës apo dhe përplasje me operatorët e tjerë në terminal.

Pas pranimit të kërkesës nga Gjykata nuk është përcaktuar ende se çfarë do të ndodhë, nëse ky koncesion do të jepet nga e para, pasi për momentin po pritet nëse do të ketë ndonjë reagim nga kompania për ta çuar çështjen në Gjykatën e Apelit.

Koncesioni ishte miratuar nga qeveria e mëparshme dhe operonte në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave me Nr.532, datë 13.07.2011″Për miratimin e Kontratës së Koncesionit”, Për menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik të Terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit të lidhur ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Durrës Kurum Shipping”sh.a. dhe “Global Ports Holding”sh.a., që do të thotë menaxhimi, operimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi teknik dhe adaptimin për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut të Terminalit të Kontejnerëve në Portin e Durrësit, duke përfshirë ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve kontejnerike dhe pa të drejtë vote, si dhe aktivitete të lidhura të tilla si depozitim kontejnerësh, magazinim, lëvizje ekstra, transportim, spostim, marrjen dhe shpërndarjen dhe përfshirë marrjen e masave të burimeve të kërkuara për mjete, pajisje, sisteme, praktika, procedura, programe, organizim dhe burime njerëzore në përputhje me praktikat më të mira industriale, siç janë të specifikuara në Termat e Referencës.

Durrës Container Terminal, sipas ekstraktit në QKR, rezulton që të ketë pasur probleme të shumta edhe mes aksionerëve, ndryshime aksionesh, apo edhe vonesa në pagesa. Në maj 2016, aksionet e Durrës Kurum Shipping u ulën nga 99.9% në 51%, të MARINER u rritën nga 0.09 në 48% dhe të Global Liman Isletmeleri nga 0.1% në 1%.

Sipas bilancit të vitit 2015, Durrës Container Terminal kishte të ardhura prej 980 milionë lekë dhe një fitim bruto prej 413 milionë lekësh (rreth 3 mln euro), me një normë fitimi të lartë prej 42%. Fitimet e kompanisë u trefishuan në 2015-n, ndërsa ajo u rendit e 42-a mes 100 sipërmarrjeve më të mëdha sipas fitimit në Shqipëri.

Pavarësisht fitimeve të larta, koncesionari i është shmangur përmbushjes së detyrimeve, duke detyruar Ministrinë të kërkojë në Gjykatë prishjen e kontratës, një nga të paktat raste kur kërkohet një gjë e tillë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button