Greqi, sulmohet ministri i Financave, e mbron bashkëshortja
Ministri grek i Financave, Janis Varoufakis, është sulmuar mbrëmjen e së martës nga një grup anarkistësh në një restorant në lagjen Eksarkia të Athinës, e njohur si epiqendër e protestave të grupeve të majta.
Një grup të rinjsh prej 30 vetësh kanë hyrë në restorantin ku ai darkoi me disa miq të tij dhe, pasi kanë ushtruar dhunë verbale, kanë hedhur mbi të edhe objekte qelqi, por pa e dëmtuar, – thuhet nga dëshmitarë të ngjarjes.
Sipas ministrit grek, ka qenë vetë bashkëshortja e tij që e ka përqafuar atë duke dalë para tij për ta mbrojtur nga dhuna fizike e anarkistëve, të cilët, sipas rrjedhës së ngjarjeve, duket se nuk kishin qëllim që ta dhunonin zyrtarin e lartë grek, por vetëm ta turpëronin. Pasi debati ka vazhduar edhe jashtë restorantit për rreth 15 minuta, ministri është larguar me bashkëshorten, që konsiderohet si shpëtimtarja e tij dhe heroina e këtij incidenti nga shumica e mediave të huaja.
Janis Varoufakis, një figurë e shumëpërfolur në Greqi dhe jashtë saj muajt e fundit, ka fituar shumë mbështetës për kundërshtimin e politikave shtrënguese të BE-së dhe BQE-së, por ka krijuar edhe shumë kritika për stilin e tij dhe mënyrën e negocimit me homologët e tij europianë. Në një rikompozim të grupit të negociatave me kreditorët e Greqisë, kryeministri Tsipras ka emëruar në krye të tij ministrin plotësues të Financave, pasi bisedimet mbi reformat për të zhbllokuar ndihmën financiare po përparonin në mënyrë të ngadaltë, ndërsa sipas mediave të huaja, homologët e tij në samitin e Rigës në Letoni, para disa ditësh kanë përdorur për të epitete si “humbës kohe”, “kumarxhi” dhe “amator”.
Por, në intervistën e parë televizive pas ardhjes në fuqi, Tsipras e ka mbështetur përsëri ministrin e Financave, duke thënë se është një aset i çmuar për qeverinë e tij e duke shpjeguar se riorganizimi i grupit negociues është bërë për arsye praktike, pasi nuk mundet një njeri i vetëm të përballojë gjithë marrëveshjet.
Para incidentit me anarkistët, Varoufakis që ishte takuar me zyrtarë të lartë të qeverisë zviceranë, ka deklaruar se qeveria greke do të miratojë një projektligj për deklarimin vullnetar të depozitave të qytetarëve grekë jashtë Greqisë, duke paguar vetëm një taksë prej 15%. Në rast të kundërt, depozitat e paligjshme jashtë vendit do të taksohen me një normë tatimore prej 46%.