Rajoni

Greqi: Vrasja e gazetarit me gjasë vrasje me porosi

Reporteri grek Jorgos Karaivaz ndërroi jetë pas 10 plumbave që e goditën në kraharor dhe në kokë. Opinioni grek është i tronditur, politika në Athinë reagon. „Gjithçka ndodhi shumë shpejt, për 15 sekonda”, u shpreh një dëshmitar, që e pa me sytë e tij vrasjen e gazetarit grek Jorgos Karaivaz të premten (09.04). I punësuari i komunës, ndodhej rastësisht të premten pasdite në afërsi të vendit të ngjarjes dhe e përshkroi vrasjen për televizionin grek ATN1. Ai po punonte me dy kolegë në një park para shtëpisë, ku banonte gazetari, tha dëshmitari. Ata dëgjuan një kërcitje dhe u kthyen të shikonin, e atë moment panë se si vrasësi bëri goditjen vdekjeprurëse dhe u largua me motoçikletë. Fytyrat e vrasësve ishin të maskuara.

Sipas të dhënave të policisë, Jorgos Karaivaz u vra me një pistoletë 9 milimetërshe. 10 plumba e goditën atë në kraharor dhe gjoks. Autoritetet e sigurisë bëjnë fjalë për një vrasje me porosi të kryer nga vrasës profesionistë, sipas një zëdhënësi të policisë. Greqia ka filluar hetimet „në të gjitha drejtimet” për autorët e krimit dhe porositësin e vrasjes.

Mitsotakis kërkon zbardhje të shpejtë

Vrasje të tilla janë shumë të rralla në Greqi. Opinioni publik dhe media janë të shokuara. „Mirëserdhët në Meksikë” titullonte të shtunën kryeartikullin gazeta “Dimokratia”. “Ne jemi kthyer në Kolumbinë e Ballkanit”, shkruhet në faqen kryesore të “Kontra News.” Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis thirri ministrin e Mbrojtjes së Qytetarëve,  Krysokoidis në zyrën e tij. “Vrasja gjakftohtë e gazetarit Jorgos Karaivaz ka shokuar të gjithë shoqërinë”, shkroi Mitsotakis në twitter duke kërkuar zbardhje të shpejtë të rastit.

Vrasjet e gazetarëve shumë të rralla

“Vrasja e Jorgos Karaivaz është një krim i shëmtuar”, u shpreh ministri Krysokoidis pas takimit me kryeministrin grek dhe premtoi kapjen e shpejtë të fajtorëve. “Shteti grek tregon vëmendje të veçantë për shtypin e lirë”, shtoi ministri grek.

Në të njëjtën kohë Krysokoidis theksoi, se Greqia ka një ndër përqindjet më të ulta të vrasjeve në përgjithësi në Europë dhe Athina është një qytet i sigurtë. Natyrisht ka edhe në këtë shtet të BE kriminalitet dhe vrasje, por vrasja e një gazetari është një gjë shumë e rrallë. Në 30 vjetët e fundit vërtet një vrasje e tillë e krahasueshme ka ndodhur në vitin 2010, kur repoteri Sokratis Giolias u vra në vitin 2010 para shtëpisë së tij. Vrasësit nuk u kapën asnjëherë.

Karaivaz nuk ndjehej i kërcënuar

52-vjeçari Jorgos Karaivaz njihej si një reporter me përvojë për kronikat e zeza. Ai punonte prej vitesh për gazeta të njohura dhe media të tjera dhe prej disa vitesh kishte krijuar edhe një blog të tijin bloko.gr. Ai njihej si një gazetar investigativ miqësor, i qetë dhe me reputacion.

Kolegët e tij në kanalin privat STAR janë shprehur, se ai nuk ndjehej i kërcënuar. Sipas të dhënave të autoriteteve, ai nuk kishte aplikuar ndoënjëherë për leje për armë apo mbrojtje nga policia. Por muajt e fundit, Karaivaz kishte raportuar shpesh për biznese të pista të nëpunësve të korruptuar me botën e krimit, prandaj presioni publik për zbardhjen e shpejtë të vrasjes është shumë i madh.

“Kush mendon, se do të bëjë kështu që gazetarët të heshtin gabon”, u shpreh Maria Antoniadu, presidentja e Shoqatës së Gazetarëve, ESIEA në Athinë në një deklarim për mediat. Vetëm në këtë shoqatë janë 6.099 gazetarë që janë organizuar dhe do të “vazhdojnë të bëjnë hulumtime. Askush nuk do të ndalë punën e gazetarëve në Greqi”, theksoi Maria Antoniadu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button