Në Maqedoninë e Veriut ka arritur grupi i parë i refugjatëve afganë i përbërë nga 149 persona, të cilët më parë kanë punuar në organizatat ndërkombëtare me anëtarë të familjeve të tyre.
Institucionet janë të gatshme për të pritur edhe grupet e tjera, por nuk mund të saktësoj, se kur ata mund të arrijnë në Shkup, ka shtuar Osmani. Personat që vinë nga Afganistani janë ish-të punësuar në organizatën ndërkombëtare Open Goverment Partnership, Transparency International dhe ëorl Economic Forum “Me këta njerëz ndajmë vlerat e përbashkëta për liri, demokraci, paqe dhe barazi. Për fat të keq, jo me dëshirën e tyre, ata sot janë të rrezikuar, andaj ne kemi vendosur t’iu ndihmojmë tani, sot, menjëherë, kur ata kanë më së shumti nevojë për ndihmë dhe solidaritet “, është shprehur Bujar Osmani.
Afganët me autobusë specialë u dërguan në dy hotele jashtë qendrës së Shkupit ku edhe do t’i nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe testeve për COVID-19. Në mesin e grupit kanë qenë edhe disa gra shtatzëna, dhe njëra prej tyre është dërguar në Spitalin Gjinekologjik të Shkupit.
Zaev: Ne e dimë sa e rëndësishme është ndihma
Vendimi për të pranuar civilët afganë nxiti reagime të shumta nga disa parti opozitare në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rrjetet sociale. Disa i vlerësonin afganët si të rrezikshëm për sigurinë e vendit. Kryeministri, Zoran Zaev ka siguruar qytetarët se vendi jo që nuk rrezikohet, por me vendimin për strehimin e afganëve ka dëshmuar humanitetin duke u rreshtuar pranë shteteve të tjera që po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetët e njerëzve të pafajshëm. “Ne e dimë sa e rëndësishme është ndihma që i jep dikujt kur të shtrin dorën. Ne kemi parë imazhet e trazirave, marrjen e jetës së njerëzve, skena të tmerrshme. Pra qëllimi ynë përfundimtar është të ofrojmë ndihmën tonë”, ka deklaruar Zaev.
Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski thotë, se janë marrë të gjitha masat për pranim të sigurtë të afganëve që vijnë në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, lajmet që kanë për qëllim të fusin panik dhe shqetësim tek qytetarët për ardhjen e afganëve në Maqedoninë e Veriut, nuk ka jehonë të madhe në opinion, dhe kjo tregon për pjekurinë e qytetarëve dhe gatishmërinë e tyre për solidaritet.