Kosova

Guverantori i Bankës Qendrore, Hamza: Panairi, pasqyrë e mirë e zhvillimit të sistemit financiar në vend

Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit në Prishtinë u hap Panairi Financiar 2015, i cili ofron mundësi të mira që klientët apo bizneset të njihen me ofertat financiare, të cilat i ofrojnë bankat komerciale që operojnë në Kosovë.

Norma vjetore e kredive aktive të sektorit bankar këtë vit ka shënuar rritje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, e cila ka arritur shifrën prej 2 miliardë euro, me rritje prej 7.4 përqind.

Risitë e Panairit Financiar të sivjetshëm janë të shumta. Ndër to janë kompanitë e auditimit, kompanitë e edukimit. Ndërsa risia më e mirë është ajo e fondit të garantimit të kredive, i cili është institucion në formim e sipër.

Për të përshëndetur të pranishmit dhe për t’i njohur më shumë rreth sektorit bankar, i pranishëm ishte guvernatori i Bankës Qendrore, Bedri Hamza.

“Shtimi i vazhdueshëm i numrit të institucioneve financiare, që operojnë në Kosovë së bashku me zgjerimin e gamës të produkteve financiare, të ofruara në tregun vendor, ka bërë që panairi financiar çdo vit të sjellë risi dhe në këtë mënyrë të shërbejë si një pasqyrë mjaft e mirë e zhvillimit të vazhdueshëm të sistemit financiar të Kosovës”, theksoi Hamza.

Sipas tij, ky panair mund të shërbejë si një mundësi shumë e mirë edhe për nxitjen e një ndërlidhje më të madhe ndërmjet sektorëve të ndryshëm të sistemit financiar të Kosovës, gjë e cila mund t’i jep një shtytje më të madhe zhvillimit të mëtejshëm të këtij sistemi.

“Roli i sistemit financiar në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit, ka shënuar përmirësim të mëtejmë në periudhën e fundit, kryesisht zhvillimit në k uadër të aktivitetit të sektorit bankar”, u shpreh Hamza.

Guverantori Hamza nënvizoi se në gusht të këtij viti gjithsej kreditë aktive të sektorit bankar arritën vlerën prej rreth 2 miliardë euro, duke shënuar një normë vjetore të rritjes prej 7.4 përqind, krahasuar me rritjen prej 3.2 të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Kryetari i bordit të shoqatave të bankave, Ilir Aliu,  tha se panairi është mundësi e mirë për dialog mes konsumatorëve dhe sektorit financiar, që të shohin inovacionet e zhvillimit në sektorin bankar. Ai po ashtu foli edhe për risitë që ka sjellë këtë vit panairi.

Gjatë këtij panairi u tha se Banka Qendrore do vazhdojë të mbështesë sektorin bankar, i cili luan rol të rëndësishëm në zhvillim të vendit.
Panairi ka filluar sot dhe do të jetë i hapur për konsumatorë e biznese deri nesër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button