Guvernatori i BSH-së, Sejko: Ekonomia dhe politika monetare, të qëndrueshme
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi të martën se zhvillimet ekonomike dhe politika monetare kanë qenë të qëndrueshme gjatë 2015. Sejko është i pranishëm në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, i cili po paraqet para deputetëve raportin vjetor të vitit 2015. Sipas tij, burimet e rritjes në 2015-ën janë zgjeruar.
Sejko prezantoi po ashtu disa nga vendimet e Këshillit Mbikëqyrës mbi politikën monetare të ndjekur gjatë këtij viti.
Ai bëri të ditur së në 2015-ën është forcuar struktura mbikëqyrëse dhe e ruajtjes së parave fizike, përfshirë dhe atë për asgjësim.
Zhvillimet ekonomike dhe politika monetare sipas tij, kanë qenë të qëndrueshme gjate 2015. Defiçiti buxhetor, tha ai, ka regjistruar një rënie me 1.6 pikë përqindje të PBB-së, dhe treguesit e kredive me probleme dhe të rentabilitetit të sistemit bankar kanë ardhur në përmirësim.”Kërkesa agregate mbetet e pamjaftueshme për të vënë në shfrytëzim kapacitetet prodhuese”, deklaroi ai.
Sipas kreut të BSH-së, ambienti i brendshëm ka ushtruar presione të ulëta për rritjen e inflacionit, por rol ka luajtur edhe ndikimi i tregjeve ndërkombëtare. “Sistemi bankar ishte likuid, i qëndrueshëm dhe i rezistoi efekteve të krizës greke”, deklaroi Sejko. Po ashtu, Sejko bëri të ditur se përmirësim është regjistruar edhe në nivelin e kredive të probleme.