Ekonomia

Shqipëria e Kosova me treg të përbashkët energjetik

– Ministrat Gjiknuri e Stavileci, nesër në Tiranë, nënshkruajnë Deklaratën e përbashkët- 

Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës , Blerand Stavileci, do të nënshkruajnë të mërkurën deklaratën e përbashkët që rrjedh nga takimi i fundit i Komitetit Drejtues për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike, Kosovë-Shqipëri.

Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Kosovë thuhet se nënshkrimi i deklaratës do të bëhet nesër (e mërkurë) në orën 10:00 në Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë në Tiranë.

Deklarata e përbashkët është rezultat i punës së Komitetit Drejtues, ku diskutohen zhvillimet e fundit në kuadër të krijimit të tregut të përbashkët të energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në 18 mars 2016, qeveria kosovare ka miratuar vendimin për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës dhënien e autorizimit ministrit të Zhvillimit Ekonomik për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin dhe\ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit OST Sh.A. dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut – KOSST Sh. A.

“Marrëveshja synon t’i kontribuojë stabilizimit rajonal të tregut të energjisë elektrike”, u theksua në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, e cila, më parë, në 2 mars, shqyrtoi dhe miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes.

Në dhjetor 2015, në Kosovë u bë  inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autrstradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues. Në pjesën e Shqipërisë punimet përfundojnë këtë vit dhe bëhet inaugurimi i plotë.

Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një  linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5  km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button