Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare 2026, çfarë përfitojnë fermerët
Kjo e hënë, 25 maj, shënon çeljen e aplikimeve për Skemën Kombëtare të Bujqësisë 2026.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale një video-mesazh, krahas masave mbështetëse për fermerët.
Bëhet fjalë për 9 masa direkte mbështetjeje dhe 3 masa investimi për fermerët dhe agrobiznesin që përfshijnë:
• tufën bazë të matrikulluar të gjedhit
• tufën bazë të matrikulluar të imtave
• mbarështimin e bletarisë
• tufën bazë të matrikulluar të dosave dhe/ose paradosave
• kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera dhe tunele plastike
• fermat organike
• implementimin dhe certifikimin Global GAP
• mbështetjen për sipërfaqet e mbjella
• ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme
Ndërkohë, masat e investimit fokusohen te:
• mbështetja për fermerët e rinj
• ndërtimi dhe rikonstruksioni i staneve
• pajisjet, makineritë dhe mjetet për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës
Aplikimi mund të kryhet online përmes platformës e-Albania.
“Toka flet me ata që dinë të dëgjojnë, ne dëgjojmë ata që dinë të punojnë tokën”, thotë ministri i Bujqësisë Andis Salla. Siç mund ta shihni, përgjatë gjithë videos flet aktori i madh, Viktor Zhusti.
“Mbille tokën, mos e lër të heshtë, mos e lër të harrohet”, është thirrja e tij për fermerët.
Qeveria ka akorduar një buxhet prej 5.2 milionë lekësh për këtë nismë.
“Do të mbështesim të gjitha aplikimet apo projektet, që janë investimet në sera, pemë frutore, vreshta, stalla, mekanikë bujqësore, agroturizëm…Do të hapim investime për thirrje të reja, për fermerët e rinj të cilët do të mbështeten me 10 milionë lekë ose 10 mijë euro grant, kryesisht në blegtori.
Për ndërtimin e staneve për blegtorët me grant diku te 3 milion lekë, për pajisje dhe makineri bujqësore me grant 500 mijë lekë, ku përfshihen tankerat për ruajtjen e qumështit dhe vajin e ullirit. Prioritet do ketë në blegtori, ku për gjedhë nga 10 mijë lekë në 12 mijë lekë, për të imtat nga 1200 lekë në 1500 lekë, ku dyfishohet për bletën nga 1 mijë lekë në 2 mijë lekë, që është një nga mbështetjet që i kemi dhënë bletarisë. Kemi rreth 600 mijë koshere dhe duam ta çojmë në vitin 2027 në 1 milion”, ka deklaruar më herët ministri Salla.
Ndërkohë, nuk do të hiqet Skema e Naftës, por do të përshtatet me forma të reja mbështetjeje. Përveç saj, fermerët do të përfitojnë edhe rimbursim 10% te faturat e prodhimit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.