Kronika

Hapet nesër në Tiranë Asambleja e 25-të e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Detit Mesdhe (AMAN )

Media dhe Turizmi –  Kjo do të jetë tema në fokus të diskutimeve që do të  zhvillohen në kuadër të Asamblesë së 25-të të Agjencive të Lajmeve të vendeve të Detit Mesdhe që do të çelet nesër në Tiranë.

Drejtues dhe përfaqësues të agjencive të lajmeve zyrtare dhe publike nga  22 vende, do të diskutojnë për ndjeshmëritë dhe rolin që duhet të luajnë këto institucione të rëndësishme mediatike për promovimin e turizmit në këtë rajon dhe sfidat në periudhën aktuale.

Drejtori i përgjithshëm i ATSH-së Gëzim Podgorica e cilëson këtë event të rëndësishëm jo vetëm në planin mediatik, por edhe një ngjarje me peshë edhe përsa i takon impaktit që do të sjellë për një sensibilitet të rritur në fushën e turizmit, fushë e cila përbën një degë me shumë rëndësi  për të gjitha vendet e këtij rajoni.

“Ndaj diskutimi për tema të tilla si Media dhe Turizmi, përbëjnë një këndvështrim që zgjon interes jo vetëm në planin e informacionit utilitar për të gjithë njerëzit, por krijon edhe përfytyrime të vërteta çfarë ndodh me këtë degë kaq të rëndësishme për ekonominë të gjithë vendeve të Mesdheut. Turizmi ka sot nevojë për të thënë  disa të vërteta në kuptimin  më të gjërë. Çfarë dua të them me këtë ? Të gjithë e dimë që Mesdheu është një destinacion i jashtëzakonshëm për gjithë Evropën, por edhe deri për Azinë e largët. Nuk po kumtojmë diçka të re, por ama mund të themi  që këto vende,  krahas  bregdetit  të larmishëm  e të rrallë, ofrojnë një larmi aventurash turistike, pejsazhesh, kulturash, ushqimesh, traditash, monumentesh, qendrash historike që duke u ndërthurur e ofruar nga njeri vend në tjetrin,  shtrojnë interesin dhe  krijojnë mundësinë e përfytyrimeve të sakta mbi secilin vend, por plotësojnë edhe boshllëkun e mosnjohjes, – shprehet më tej në pronocimin e tij”, zoti Podgorica.

“Ne jemi vërtet shumë të ndryshëm, por kemi edhe ngjashmëritë tona, ne ndajmë histori të ndryshme, por ndjehemi njëlloj kur ulemi së bashku,  popujt tanë kanë një shumëllojshmëri gjuhësh, por  kanë pika takimi  të shumta në kulturat tona. Pikërisht për t’í bërë sa më të prekshme këto realitete, është e domosdoshme  një vëmendje më e shtuar, një angazhim më specifik dhe një bashkëpunim shumëplanësh. Popujt e vendeve tona e kanë jetësuar shprehjen: People to people conection, dhe ne duhet domosdoshmërisht t’i japim një vlerë të shtuar këtij komunikimi përmes instrumentit të rëndësishëm të medias, duke e kthyer  në  objektiv shprehjen tjetër : Media to media conection !”

Gjatë dy ditëve të punimeve të kësaj Asambleje do të diskutohet edhe për zgjerimin e këtij organizmi,  për shkëmbimin e përvojave në drejtim të kualifikimit të gazetarëve, organizimin e work-shoop -eve të përbashkëta .  Po kështu, do të zgjidhen edhe organet e reja drejtuese si dhe do të shpërndahen çmimet për lajmin dhe foton më të mirë për vitin 2015, një traditë e përvitshme kjo e  agjencive anëtare të AMAN-it.

Drejtuesit dhe përfaqësuesit e 22 agjencive pjesëmarrëse  do të vizitojnë  qytetin e Krujës, Durrësit dhe Korçës, për tu njohur nga afër me resurset  dhe pasuritë kulturore, historike dhe turistike që ofron Shqipëria.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button