Hapja e dosjeve dhe verifikimi i certifikatës së pastërtisë, PS dhe grupi i Alibeajt votojnë në parim dy nismat
Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot në parim dy nismat e propozuara nga PS dhe grupi i Alibeajt për hapjen e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit si dhe verifikimit të certifikatave të pastërtisë për personat që kandidojnë në institucionet kushtetuese.
PD-ja përmes Enkelejd Alibeajt ka propozuar që të hapen të gjitha dosjet e ish Sigurimit nga 29 nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991 me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes vendeve dhe atyre që cënojnë sigurinë kombëtare.
Nga ana tjetër PS-ja përmes Klotilda Bushkës kërkon që ti jepet e drejta Autoritetit të Dosjeve të kryejë verifikimin e të gjithë personave që do të kandidojnë për institucionet kushtetuese, pavarësisht se më parë kanë marrë një certifikatë pastërtie nga komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.
Diskutimi
Klotilda Bushka: Pavarësisht fakteve të tjera që mund të dalin në dritë që përmbysin deklaratat e mëparshme si ish komisionet Bezhani apo Mezini, duke pasur ndalim në ligj, mungon kompetenca lëndore e shqyrtimit të akteve. Autoriteti nuk ka dot mundësinë të bëjë shqyrtim aktesh se nëse do e bente do ishim në kushtet e pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ. Nisur nga shpeshtësia e informacioneve të cilat rrëzojnë herë pas herë deklarata të mëparshme pastërtie ka lindur e nevojshme që kjo pengesë ligjore të evitohet për arsyen e parë që në kuadër të transparencës dhe të drejtës të informimit, duhet që ligjvënësi ta pajisë autoritetin me të gjitha mundësitë për të realizuar punën e vet. E dyta dhe pse kanë kaluar shumë vite nga ai regjim, ende ka shumë dritëhije, ende ka të pasakta informacione, ende ka të vërteta që rrëzohen dhe opinioni do duhet të informohet në mënyrë profesioniste, të vërtetë, mbi atë që ndodh për personazhe të ndryshëm që dhe pse mund të kenë pasur një certifikatë pastërie të mëparshme, nuk rezultojnë të jenë të tillë si rezultat i dokumenteve të reja që dalin në dritë.
Enkelejd Alibeaj: Të konsiderohen të deklasifikuara dokumentet nga 29 nëntor 1944 deri në korrik 1991. Nga zbatimi i kësaj dispozite përjashtohen dokumentet e Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet mes shteteve dhe Sigurisë Kombëtare. Diskutimi për deklasifikimin e dokumenteve të ish sigurimit të shtetit ka qenë i pranishëm në të gjitha tryezat publike. Kuvendi ka bërë disa përpjekje në këtë drejtim, përfshi edhe nismën ligjore të vitit 2015. Ne besojmë se këto janë përpjekje të pamjaftueshme. Skepticizmi për hapjen e dosjeve në këto 30 vite, tani nuk është më i vërtetë. Askush nuk ka kërkuar shpagim, apo të ketë rrezik për trazira sociale.
Neni që PS kërkon të shfuqizohet
Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit nr. 8001 datë 22.9.1995 “për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”, si dhe ligjit nr 8043, datë 30.11.1995 “për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”.
Neni që grupi i Alibeajt kërkon të shtohet
Përjashtimisht, konsiderohen të deklasifikuara dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991 të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë. Nga zbatimi i kësaj dispozite, përjashtohen dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare.