Kosova

Haradinaj: Largimi i Listës Serbe nga qeveria i pakuptueshëm

Lidhur me paralajmërimin e largimit të Listës Serbe nga koalicini qeverisës, Haradinaj theksoi se parlamenti është i përbërë prej shumë grupeve parlamentare dhe se me Listën Serbe kanë pasur një partneritet të mirëfilltë.

”Veprimi i djeshëm nuk ka qenë i drejtuar kundër qytetarëve serb të Kosovës, as zyrtarëve politik, por as komunave e as ministrave serb, sikurse as ndonjë zyrtari tjetër të Serbisë, përveç atyre që kanë thyer ligjin. Kjo është një procedurë standarde për të cilën është e pakuptueshme marrja e ndonjë vendimi për largim nga qeveria për shkak që është zbatuar ligji”, deklaroi Haradinaj.

Duke theksuar se nëse Lista Serbe, partneri i koalicionit qeverisës, largohet nga qeveria, kryeministri Haradinaj tha se ai nuk planifikon të japë dorëheqje dhe do ta vazhdojë detyrën e tij. Ai poashtu theksoi se nuk do të ketë zgjedhje të reja e as rrëzim i qeverisë.

Më tej, ai tha se ka marrë përkrahjen e grupeve të ndryshme parlamentare të Kuvendit të Kosovës, si dhe shprehu shpresë se Lista Serbe do të kthehet në detyrë.

“Unë shpresoj se Lista Serbe do të reflektojë, sepse veprimet e njëanshme, shkëputja e bashkëpunimit, nuk janë zgjidhje. Zgjidhja e vetme është bashkëpunimi dhe dialogu që përbëjnë progresin në Kosovë, si në jug ashtu edhe në veri të vendit. Vërtet kam qenë i përkushtuar për integrimin e të gjithë qytetarëve të vendit dhe mendoj se kjo është me rëndësi”, tha Haradinaj.

Duke theksuar se tema e njohjes së Kosovës nga Serbia duhet të mbyllet dhe se çështja Kosovë-Serbi nuk duhet të mbetet e hapur deri në pafundësi, kryeministri kosovar tha se delegacioni negociator për çështje teknike të dialogut me Serbinë në Bruksel, në krye me Avni Arifin, do të vazhdojë punën dhe do të raportojë në komisionin parlamentar për Punë të Jashtme gjatë javës.

“Nuk ka mbetur shumë çka të jepet në ndërrim për njohje. Dje isha në Krushë, tash kur je në Krushë dhe i sheh se atje janë 200 vende të masakrave pra më në interes të Sërbisë e të Presidentit serb Vuçiç do të ishte që ta merrë guximin dhe ta çlirojë popullit e vetë nga e kaluara dhe ta pranojë një tragjedi që i ka ndodhë popullit të Kosovës. Ta nderojë atë dhimbje, atë tragjedi dhe të ecë përpara”, u shpreh Haradinaj.

Kujtojmë se dje Marko Gjuriç përkundër asaj që Ministria e Jashtme e Kosovës nuk kishte dhënë leje për hyrje, ai kishte në hyrë në Kosovë për të marrë pjesë në një debat për dialogun në Kosovë. Pas kësaj, Policia e Kosovës arrestoi Gjuriçin në Mitrovicën e Veriut, të cilin e dërgoi në një stacion policor në Prishtinë. Më pas Policia e Kosovës të njëjtin e largoi nga territori i Republikës së Kosovës.

Poashtu edhe zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, dje deklaroi se duke u bazuar në marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel personalitetet politike serbe duhet të marrin leje 72 orë para se ta vizitojnë Kosovën.

Rakiç: Lista Serbe del nga Qeveria dhe për këtë ka mbështetjen e presidentit Vuçiç

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç, sot deklaroi se përfaqësuesit e Listës Serbe dalin nga Qeveria e Kosovës dhe për këtë vendim kanë mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai në konferencën për gazetarë në Beograd, pas takimit me presidentin Vuçiç, tha se pas “sulmit të djeshëm terrorist ndaj popullit duarbosh serbë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë”, përfaqësuesit legjitim serb në Kosovë nuk mund të qëndrojnë të heshtur.

Ai tha se arrestimi i djeshëm i drejtorit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq nuk do ti frikësojë, duke u shprehur se, “Do të qëndrojmë dhe mbrojmë shtëpitë tona dhe kurrfarë ROSU policie nuk do të na frikësojë as dëbojë nga këto hapësira”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button