Heqja e tatuazheve po kthehet në një profesion të mirëfilltë
Ato janë ende në modë, por ndërkohë, ka nisur të flitet shumë për tendencën e kundërt, që nuk është vetëm e dhimbshme. Rreth 8 milionë njerëz në Gjermani mbajnë një tatuazh në trupin e tyre. Mirëpo shumë prej tyre tashmë duan t’i heqin prej lëkurës së vet këto vepra artistike. Por nuk është e thjeshtë të bëhesh një heqës tatuazhesh
Ndërsa lazeri prek në lëkurën e tij, burri shtrëngon dorën duke e mbledhur edhe më fort në formë grushti. Damarët në krahë dalin më në pah e muskujt tkurren.
“Ecën?”, pyet dr. Carsten Philipp, me siguri për të tretën apo të katërtën herë. Një rënkim i lehtë pason. Më pas ai merr një kubik akulli dhe e vendos mbi tatuazhin në formë dielli në krahun e sipërm të klientit apo pacientit të tij, ndez lazerin dhe nis punën. Lëkura e burrit irritohet dhe skuqet.
Të bësh tatuazh një hieroglif të vogël kinez, zgjat dy apo tri seanca. “Për ta hequr atë, duhet shumëfishi i kësaj kohe”, shpjegon dr. Philipp.
Ai është mjek specialist, drejtues në Qendrën për Mjekësinë me Lazer në Klinikën Evangjeliste “Elisabeth” në Berlin. Kush për shembull, sikurse po bën edhe klienti i radhës, dëshiron të heqë nga trupi i vet një simbol dielli, që ka zënë thuajse tërë sipërfaqen e krahut të sipërm, duhet të vijë tetë deri në dymbëdhjetë herë këtu. Një trajtim kushton rreth 120 deri në 140 euro.
Nëse një tatuazh duhet hequr, një pajisje lazeri dërgon impulse dhe i dëmton apo i vret pigmentet e ngjyrave në lëkurë, shpjegon nga ana tjetër profesor Wolfgang Bäumler, i cili po kryen kërkime për tatuazhet në Universitetin e Regensburgut.
Ato që mbeten pastaj janë aq të vogla, saqë vetëm limfa mbetet në fund të procesit. Rrallë ndodh që zbukurimi në trup të hiqet tërësisht pa lënë asnjë gjurmë pas. Me lazerët që posedohen deri më sot, disa nga ngjyrat – sikurse është e verdha për shembull – shpesh nuk mund të hiqen. Në rastin më të keq, tatuazhi mbetet pjesërisht edhe pas ndërhyrjes, shpjegon Bäumler.
“Ne jemi habitur edhe vetë nga suksesi”
Në thelb, ky shërbim mund të ofrohet nga gjithkush që ka pajisje lazeri e sigurisht, se edhe një licencë për ushtrimin e profesionit. Lazerët kushtojnë 10.000 euro e sipër. Për të poseduar një pajisje të tillë, duhet të kesh kryer një kurs për mbrojtjen nga lazeri, apo nga rrezatimi. Ky i fundit mund të kryhet shpejt në dy fundjava në mënyrë intensive dhe kushton jo më shumë se sa 200-300 euro.
Kështu që Markus Lühr vendosi t’i hyjë kësaj pune. Ai është menaxher i “Tattoolos” (shqip: Pa tatu), një rrjeti heqjesh tatuazhesh që ndërkohë posedon shtatë pika në mbarë Gjermaninë.
Në fakt, ai është një menaxher marketingu me diplomë. Para tetë vjetësh, ai doli në profesion të lirë tashmë me të shoqen. Çdo ditë ata trajtojnë në studiot e tyre në Berlin deri në 60 raste heqje tatuazhesh. “Jemi të habitur edhe vetë nga suksesi që kemi pasur”, thonë ata.
Lühr dhe e shoqja e kanë mësuar në mënyrë autodidakte heqjen e tatuazheve. Ata ofrojnë edhe kurse në fundjavë që lidhen me këtë temë. Tek ta, për shembull, vijnë shpesh kozmetistë dhe mjekë, që heqjen e tatuazheve duan ta trajtojnë në fakt si një profesion shtesë.
Lühr përllogarit se një studio e pavarur për heqjen e tatuazheve që vendoset në një zonë ku ka rreth 100.000 banorë, ia vlen të konsiderohet si biznes.
Pas një gjysmë viti, me këtë punë mund të fitosh sa për të mbuluar qiranë e të dalësh me rreth 1500 euro fitim fillimisht.
Mirëpo kjo punë sidoqoftë, nuk duhet parë si diçka e thjeshtë. Kush bën gabime gjatë trajtimit me lazer, mund ta dëmtojë rëndë lëkurën e një pacienti.
Mund të ndodhë që të krijohen zona të ënjtura e fryrje të lëkurës, e në rastin më të keq, sigurisht se pacientët mund të të kërkojnë para si dëmshpërblim.
Këtë mund ta pohojë edhe dr. Philipp nga ambulanca e Lazerit. Por më shumë ai kujton me kënaqësi historinë e nxënëses australiane që dikur kishte ardhur në Gjermani me programet e këmbimit akademik.
Ajo kishte bërë një tatuazh gjatë javës së parë të qëndrimit në Berlin – pa lejen e prindërve. Po aq e shokuar reagoi në fakt edhe familja gjermane që e strehonte. Vajza ndenji gjithsej një vit në Gjermani. 12 muajt që mbetën, nxënësja vizitoi më pas rregullisht dr. Philipp në Ambulancën e Lazerit. Kur ajo u kthye te prindërit, lëkura e saj ishte thuajse e paprekur.
Burimi: “Die Welt”