Homazhe në nderim të aktores Liza Laska
Qytetarë, të afërm, miq, artistë, intelektualë, drejtues institucionesh, bënë të hënën homazhe në nderim të aktores së njohur të skenës e të ekranit, “Artiste e Merituar”, Liza Laska, e cila u nda nga jeta një ditë më parë.
Arkivoli me trupin e Liza Laskës u vendos në hollin e Teatrit “Petro Marko” në qytetin e Vlorës, aty ku ajo spikati me rolet e saj.
Këshilltari për Diplomacinë Kulturore dhe Rilindjen Evropiane, Fate Velaj, vendosi një kurorë në emër të Kryeministrit, Edi Rama, ndërkohë që bënë homazhe dhe u përkulën me nderim përpara saj Prefektja e Qarkut të Vlorës, Etjona Hoxha, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, Kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj.
Në një prononcim për shtypin, Fate Velaj u shpreh mes të tjerash se, “Vij këtu në një pozicion të dyfishtë, si një qytetar i Vlorës që jam rritur me zërin dhe figurën e Liza Laskës, e cila ka një dimension gjithëshqiptar”. “Liza Laska nuk është vetëm një aktore, por ajo është edhe ndërgjegja kombëtare, ndërgjegja e këtij qyteti. Ajo ka interpretuar në role nga më të spikaturat e kinematografisë sonë, me një karakter të jashtëzakonshëm”, theksoi Velaj.
Por, ai shtoi se, vij këtu edhe në funksionin e këshilltarit të Kryeministrit, Edi Rama, që, sipas Velajt, e porositi të vendosë një kurorë në emër të tij, në shenjë respekti dhe nderimi për atë kontribut që Laska ka dhënë për Teatrin e Vlorës dhe gjithë kinematografinë shqiptare, si një zonjë ikonë, si një perëndi e ardhur për t’ja dhuruar jo vetëm qytetit, por të gjithë Shqipërisë.
“Kështu që, unë ndihem i obliguar dy herë për të nderuar këtë zonjë, për të nderuar të gjithë ata njerëz që kanë marrë pjesë sot, për të gjithë ata që kanë mbushur sallat ku ka interpretuar ajo”. Velaj shprehu mirënjohjen ndaj kontributit të Laskës, ndërkohë që uroi që shembullin e saj ta ndjekë edhe brezi i ri, për të patur në të ardhmen, siç u shpreh ai, “një Liza Laska, të dytë, të tretë, të katërt, në përmasa më të vogla, sepse ajo nuk arrihet”.
Aktorja Liza Laska, “Artiste e Merituar”, personifikoi me rolet e saj të spikatura në teatër dhe në kinematografi, nënat shqiptare. Në karrierën e saj artistike, numërohen rreth 100 role në teatër dhe 22 filma. Mes tyre, përfshihen filmat “Lulëkuqet mbi mure”; “Dimri i fundit”; “Shtigje lufte”; “Malet me blerim mbuluar”, etj