Hungaria, qendra e botës për turizmin dentar
Ndërmjet viteve 2000 dhe 2008, numri i dentistëve për frymë në Hungari u rrit me 56%. Vendi i Europës Qendrore ka më shumë dentistë për frymë se çdo shtet tjetër. Që kur vendi u bë pjesë e BE-së në 2004, europianët e tjerë kanë mjaft arsye që të buzëqeshin, pasi çmimet e tyre sa i përket shërbimit dentar janë shumë më të lira krahasuar me vendet fqinjë, Austrinë dhe Gjermaninë
Mes morisë së gjerë të personazheve të cilët janë në faqet e revistave dhe gazetave të Hungarisë, bën pjesë edhe një njeri, i cili thjesht njihet si dentisti personal i kryeministrit të vendit. Dhe kjo përbën çudi të madhe në një vend që gjithnjë është krenuar për shumë fitues të medaljeve në Lojërat Olimpikë dhe fitues të çmimeve ‘Nobel’, krahasuar për numrin e popullsisë.
Ngritja e Bela Batorfi-t e ka origjinën në vitin 2010, kur partia konservative Fidesz mori pushtetin, duke i dhënë fund dominimit të parisë socialiste.
Batorfi, atëherë 41 vjeç, ishte një nga stomatologët më të njohur të vendit, me klinikën e vendosur në një nga qoshet më të famshme të Budapestit dhe klientë të tij ishin edhe disa prej politikanëve më të suksesshëm të momentit. Mes pacientëve më të famshëm futej edhe fituesi i zgjedhjeve, kryeministri Viktor Orban, i cili është mjekuar nga ai për rreth 20 vjet. Pas 6 vjetësh, Orban-i ka fituar famë si një njeri që i dënon ashpër rivalët e tij dhe një nga zërat kryesorë për moslejimin e emigrantëve në Europën Perëndimore. Një nga ankesat e hungarezëve është se Orban-i fut njerëzit e tij kudo. Edhe njeriu që kujdesej për dhëmbët e të parit të familjes përfitoi nga kjo.
Batorfi është një specialist në kirurgjinë orale. Ai gjithashtu është edhe fytyra e një prej sektorëve që po shkëlqejnë papritur në ekonominë postkomuniste hungareze.
Ndërmjet viteve 2000 dhe 2008, numri i dentistëve për frymë në Hungari u rrit me 56%. Vendi i Europës Qendrore ka më shumë dentistë për frymë se çdo shtet tjetër, thotë gazetari britanik David Hancock, i cili në vitin 2006 shkroi një udhëzues për pacientët britanikë të quajtur “Udhëzimi komplet mjekësor turistik”. “Që kur vendi u bë pjesë e BE-së në 2004, europianët e tjerë kanë shumë arsye që të buzëqeshin, pasi çmimet e tyre sa i përket shërbimit dentar janë shumë më të lira krahasuar me vendet fqinjë, Austrinë dhe Gjermaninë.
Kur Orban-i mori drejtimin e vendit, turizmi stomatologjik ishte pranuar nga politikëbërësit si një nyje e rëndësishme e zhvillimit të vendit.
Përveç Orban-it, të paktë janë ata hungarezë, apo të huaj të cilët e shohin Batorf-in më shumë se dy herë mbi kokën e tyre, duke analizuar gjendjen e dhëmbëve. Në vitin 2000, stomatologu i njohur kujton se një patriot i tij që rinte në Angli, i bëri një propozim: Nëse ai do t’i bindte anglezët që të vinin e të mjekoheshin në klinikën e tij, a do t’i jepte stomatologu një përqindje të fitimit?
Batorf-i mori një licencë për ushtrimin e profesionit në Britaninë Madhe dhe hapi një klinikë dentare në Londër. Për habi të tij, pacientët nisin që të shfaqeshin në numër jo të paktë. Këta ishin njerëz me dëshirë për t’i dalë kundër sistemit vendas dhe mbi të gjitha dëshironin mjekim me çmime më të lira. Dhe oferta që stomatologu jepte ishte shumë më e leverdishme se sa shpenzimet që një britanik do të harxhonte nëse do të mjekonte dhëmbët në qytete si Bristoli apo Belfasti. “Në fillim, do mrekulloheshe nëse do të merrje vesh që një dentist anglez e rekomandon pacientin te një dentist hungarez”, kujton stomatologu.
Duke e kuptuar që klientët e huaj do të ishin më të prirë për të udhëtuar në vendet të tjera për të marrë trajtime më të vështira, me çmim më të ulët se sa në vendlindje, stomatologu hungarez u specializua në implantologji. Kjo procedurë është një nga më komplekset e kirurgjisë orale.
Kur u kthye në Budapest, ai nisi që të vendoste çmimet e shërbimeve të klinikës së tij edhe në paund dhe ofroi madje edhe shofer për të sjellë klientët nga aeroporti drejt klinikës së tij.
Prova e punës dhe zotësisë së tij janë 35 mijë pacientë të cilët ai ka trajtuar.
Përpara një dekade, dentisti hungarez harxhoi 200 mijë dollarë për të blerë ato që këshilltari i tij, Szucs, i quan “Rolls-Royce-t e poltronave dentare”. Szucs pretendon se ekzistojnë vetëm katër versione të tjera të të njëjtit model, të cilat janë prodhuar nga kompania japoneze “Morita”. Njëra prej tyre është në pronësi të presidentit rus Vladimir Putin, një përdoret nga kancelarja gjermane Angela Mergel, dhe dy të tjera janë të vendosura në një klinikë private suedeze.
Në vitin 2010, turizmi mjekësor e kishte kthyer tashmë biznesin e Batorf-it nga një praktikë dentare shumëfunksionale e drejtuar familjarisht, në një klinikë shumë të vlerësuar të kirurgjisë orale.
Me pacientin dhe mikun tij që u bë kryeministër i Hungarisë, ai dhe kolegë të tjerë nisën të mendonin nëse ky sukses i tij në tregun ndërkombëtar mund të kthehej në avantazh të madh për të gjithë vendin.
Një studim i bërë në vitin 2010, Banka Qendrore ka vlerësuar se rreth 60 mijë turistët dentarë të cilët kishin ardhur çdo vit në vend, kishin sjellë rreth 227 milionë dollarë fitime për stomatologët. Por përfitime pati edhe industria e turizmit, pasi të huajt shpenzuan në total 45 milionë dollarë në hotele dhe restorante.
Ky sektor i mbijetoi recensionit global dhe madje bizneset treguan shenja të pakta të uljes së fitimit. Pastaj, ishte e kuptueshme të ndodhte kështu, nisur nga dinamikat e veçanta të cilat çuan njerëzit në klinikën e Batorf-it në Londër për konsultime dhe pastaj iu drejtuan Budapestit për ndërhyrje si dhe një sistem britanik që disa lloje mjekimesh i ka bërë të pakta apo të kushtueshme, ose të dyja bashkë.
“Këto janë ato pak gjëra në të cilat Hungaria është lidere dhe turizmi dentar është ai më i suksesshmi”, thotë Batorf-i.
Kur Britania nisi që të reagonte pas pushtimit hungarez në deontologji në tokën e saj, i pari i cili u prek nga masat ishte vetë Batorf-i. Në 2011, atij iu hoq licenca për të operuar në Mbretërinë e Bashkuar për 1 vit.
Për më tepër që ndaj tij u ngritën akuza për trajtim të keq të pacientit nga një individ, i cili pesë vite më parë udhëtoi në Budapest për të kryer një implant me ndërhyrje kirurgjikale. Detajet e dëmtimit në gojën e tij gjithsesi ishin jo të qarta.
Një muaj më vonë, pas Apelit, akuzat iu hoqën, por jo më përpara se dentisti personal i kryeministrit të kthehej në një simbol kombëtar që tregonte zotësinë e Hungarisë për t’i vendosur në pozicion mbrojtës edhe vende më të pasura.
Kjo e shkuar të ndihmonte të kuptoje lidhjet e stomatologut me politikën. Kur në vitin e dytë të punës si kryeministër, Orban-i ftoi bizneset dentare që të bënin ofertat e tyre për kontratat me shtetin, Batorf-i fitoi gjithçka. Në 4 vitet e para të administratës së Orban-it, rreth 10 milionë dollarë në ndihma shteti, iu dhanë kompanive të cilat ishin të lidhura me stomatologun. Ankesave të mediave, këshilltari i tij, Szucs, iu përgjigj kështu: “Batorf-i ka qenë dentisti i Orban-it që nga viti 1992. Përse të mos konkurrojë edhe ai, kur çdo biznes tjetër ka të drejtë që ta bëjë”.