Hyseni në Nju Jork kërkon përkrahje për INTERPOL
Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni po qëndron për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai në Nju Jork do të zhvillojë një varg takimesh të ndara me përfaqësues të përhershëm të disa shteteve në OKB-së.
Në fokus të bisedave dhe takimeve që tashmë kanë filluar është kontraktualiteti dhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në mekanizma, institucione dhe organizata ndërkombëtare të bashkëpunimit në fushën e rendit dhe ligjit, përkatësisht bashkëpunimit policor, thekson njoftimi i MPB-së.
Kësaj radhe ministri Hyseni kryesisht është përqendruar në sigurimin e përkrahjes për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Për këtë qëllim, ai sot ka biseduar në takime të veçanta me Përfaqësuesen e Përhershme të Belgjikës në OKB, ambasadoren Bendiktë Frankinet dhe me ambasadorin e Francës Alexis Lamek.
Edhe Belgjika dhe Franca janë anëtare të Komitetit Ekzekutiv të INTERPOL-it, organ i cili pritet të shqyrtojë aplikacionin e Kosovës për anëtarësim së shpejti. Franca aktualisht e mban presidencën e Komitetit Ekzekutiv.
Ministri Hyseni e falënderoi në veçanti ambasadorin francez për përkrahjen e fuqishme që i dha anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Në të gjitha këto takime, ministri Hyseni ka treguar në hollësi pse Kosova do të duhej të bëhej anëtare e kësaj organizate, duke theksuar se nga ky anëtarësim përfiton edhe Kosova edhe INTERPOL-i.