I dërguari i Kremlinit viziton SHBA-në për të diskutuar sanksionet amerikane ndaj naftës ruse
I dërguari i Kremlinit, Kirill Dmitriev është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedime, përpara përfundimit të afatit të një lehtësimi të përkohshëm të sanksioneve amerikane ndaj naftës ruse.
“Kirill Dmitriev kryeson grupin për çështjet ekonomike dhe po vazhdon punën brenda këtij grupi”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
“Dmitriev nuk po zhvillon bisedime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha Peskov, duke shtuar se vizita e tij nuk nënkupton një rifillim të negociatave.
SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës, i cili ka vazhduar për më shumë se katër vjet.
Megjithatë, pasi çmimet e naftës u rritën ndjeshëm si rezultat i luftës në Iran, Uashingtoni lejoi përkohësisht shitjen e naftës ruse që ndodhej tashmë në anije. Përjashtimi do të mbetet në fuqi deri nesër.
Pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ende nuk ka paqe në horizont.
Kohët e fundit, Moska dhe Kievi zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Zvicër, me ndërmjetësimin e Uashingtonit. Lufta në Iran vonoi raundin e ri të bisedimeve.
Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi dje një armëpushim që zgjat më pak se një ditë e gjysmë gjatë Pashkëve Ortodokse, nga e shtuna pasdite deri të dielën në mbrëmje. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.