INSTAT: Tregtia Kosovë-Shqipëri, në dy muaj eksportet arritën në 6.3 miliardë lekë
INSTAT informoi sot se eksportet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë rritur me një miliard lekë në dy muajt e fundit krahasuar me fillimin e vitit 2025 duke shkuar në 6.3 miliardë.
Të dhënat u bënë publike në Forumin Ekonomik Shqipëri-Kosovë, i zhvilluar në Tiranë, ku edhe u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit mes Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Odës Ekonomike të Kosovës.
Gjatë forumit, u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe nxitjen e investimeve të përbashkëta, si dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve shqiptare dhe atyre në Kosovë.
Drejtoresha e Agjencisë së Investimeve Laura Saro tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë bashkë për të përballuar konkurrencën dhe sfidat globale.
“Ju keni qenë gjithmonë në 5 vendet më dominante, por dëshira e madhe dhe vullneti nuk ka na lë që të mos rreshtim këtu, por të vazhdojmë dhe të intensifikojmë sinergjitë midis bizneseve tona. Në këtë kontekst, roli i AIDA është shumë kryesor dhe patjetër na duhet mbështetja e odës dhe duhet të bëhemi bashkë që të kemi sa më shumë projekte të përbashkëta”, tha Saro.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vuri në dukje se lidhjet ekonomike të forta janë baza për zhvillim të qëndrueshëm.
Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Blerta Rama prezantoi mundësitë konkrete që Shqipëria ofron për investitorët nga Kosova.
Forumi Ekonomik Shqipëri – Kosovë rikonfirmon angazhimin e dy vendeve për të zhvilluar partneritete të qëndrueshme dhe për t’u bërë shembull rajonal të bashkëpunimit ekonomik.
/e.i/j.p/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.