Interesat e kredive – Ranë sërish në tremujorin e parë të vitit
Interesat për kredinë e re në lekë kanë rënë më tej në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit rezultoi 7.36% nga 7.75%, që ishte në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Megjithëse mesatarisht interesat kanë rënë, ecuria e tyre sipas segmenteve ka shënuar disi risi krahasuar me vitin e kaluar. Interesat e kredisë janë ulur për bizneset private, ndërsa kanë shënuar rritje për individët, segment ku rënia e interesave kishte qenë më e theksuar gjatë vitit 2016. Norma mesatare e kredisë për bizneset ka rezultuar 7.33% nga 8.03% që ishte në tremujorin e katërt.
Brenda segmentit të bizneseve, normat e interesit janë ulur për kreditë për likuiditet dhe janë rritur për ato për investime. Duket se rritja e interesave të bonove dhe obligacioneve në muajt e fundit të vitit të kaluar ka ushtruar presione për rritjen e normave të interesit për kreditë afatgjata në përgjithësi dhe veçanërisht për kreditë për individë.
Edhe interesi mesatar për kredinë e re në euro shënoi një ulje të lehtë në tremujorin e parë. Në terma mesatarë, ai rezultoi 4.62%, nga 4.71% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Në tërësi, si bizneset private ashtu edhe individët kanë përfituar nga rënia e interesave për kreditë në euro. Tek bizneset, rënia e interesave vërehet tek kreditë për likuiditet, ndërsa interesi për kreditë për investime vijon të qëndrojë në nivele minimale.
Diferenca e normës mesatare të kredisë në lekë kundrejt asaj në euro është ulur gjatë tremujorit të parë, si rezultat i rënies më të madhe të interesave për kredinë në lekë. Shkurtimi i diferencave në normat e interesit favorizon kreditimin në lekë, duke qenë se individët kanë më pak stimuj për të marrë kredi në monedhë të huaj, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.