Opinion

Interesi publik është interes privat

banka-kredileri-320x240“I varfër nuk është vetëm ai që vuan për të siguruar ushqimin e përditshëm, por edhe ai që nuk zotëron dot vitet e domosdoshme të shkollimit. Apo dhe ai që e ka punësimin sezonal, të pasiguruar apo deri dhe politik”

Shqiptarët janë të pasiguruar, të pasigurt, me punësim pa kontratë. Ashtu si bën në secilin vit, Organizata e Kombeve të Bashkuara publikoi raportin e zhvillimit njerëzor. Raporti përpiqet të tregojë se në cilën fazë ndodhet përhapja e varfërisë në botë, cila është përhapja e shkollimit në shtete të ndryshme apo me cilën shpejtësi po përhapet papunësia te të rinjtë e të gjithë globit. Klasifikimi përfshin dhe Shqipërinë, e cila është ngjitur me dy vende krahasuar me vitin e kaluar, nga vendi i 97 tashmë ndodhemi në atë të 95. Sipas dëshmisë së Kombeve të Bashkuara, pikat tona më të forta mbeten vitet e shumta, por pa sukses të shkollimit, si dhe numri i ulët i vdekjeve foshnjore. Ndërsa pika më e dobët, së fundmi në Shqipëri, sipas UNDP-së, është varfëria multidimensionale e popullsisë. Nëse ky tregues do të konsiderohej dhe analizohej nga një vendas, do të shkruhej se i varfër nuk është vetëm ai që vuan për të siguruar ushqimin e përditshëm, por edhe ai që nuk zotëron dot vitet e domosdoshme të shkollimit. Apo dhe ai që e ka punësimin sezonal të pasiguruar apo deri dhe politik.

Por, përtej Shqipërisë, me qëllimin për të kuptuar a vuajmë dhe lodhemi njësoj si pjesa tjetër e globit, cilat janë zbulimet kryesore të raportit të vitit 2014?

Sipas indeksit të zhvillimit njerëzor, më shumë se 2.2 miliardë njerëz jetojnë në varfëri disaplanëshe. Këtu përmenden kufizime si mbulim i munguar universal shëndetësor, analfabetizëm i pjesshëm, mungesë e të ardhurave konstante, pabarazi në rrugën drejt suksesit, cilësi e dobët e punës apo dhe kërcënim nga dhuna. Kombet e Bashkuara deklarojnë se afërsisht 80% e popullsisë globale nuk gëzon mbrojtje sociale, rreth 12% vuajnë urinë dhe rreth gjysma e punonjësve në të gjithë botën jetojnë pa sigurime dhe me punësim të pasigurt. Punësimin e pasigurt, pra atë pa kontratë apo me kontratë të pjesshme, e vuajnë dhe punonjësit shqiptarë në më shumë se 90% të tyre.

Rezultatet e raportit tregojnë se papunësia e të rinjve është një problem shqetësues për të gjithë botën, kryesisht si pasojë e faktit se është rritur numri i atyre që ndjekin shkollën. Në Shqipëri, sipas INSTAT-it, aktualisht të rinjtë të papunë, pra ata ndërmjet moshës 15 dhe 29 vjeç, janë rreth 31% e totalit. Për pasojë, qartazi Shqipëria e dëshmon se është e përfshirë në “vuajtjen e shekullit”.

Khalid Malik, drejtuesi i raportit në fjalë dhe autor i publikimit të fundit, thotë se: “Kur njerëzit janë më të edukuar, raporti ndërmjet qytetarëve ndryshon dhe ata presin më shumë nga vendi i tyre i punës. Raporti ynë tregon hendekun ndërmjet punësimit dhe papunësisë, si një tregues që do të thellohet më shumë në vitet në vazhdim në zonat e Ballkanit, Afrikës Perëndimore dhe Kinës”.

Një tjetër zbulim i raportit lidhet me efektet e globalizimit dhe ndërvarësisë së madhe që është krijuar ndërmjet problemeve të shteteve: “Globalizimi i ka bashkuar shoqëritë duke krijuar më shumë mundësi, por ka rritur dhe varësinë nga rreziqet kombëtare për t’u transmetuar përtej kufirit, ashtu si qartazi dëshmoi kriza e fundit”, shprehet Malik.

Për këtë mjafton të shohim Shqipërinë, e cila në fillim të dekadës së tretë të tranzicionit, atëherë kur investimet, fryma e popullsisë për të ecur përpara, kërkesa e secilit për një nivel më të lartë jetese bazuar në filozofinë e rritjes, u ndërpre si me të rënë të lapsit. Tashmë të gjithë po mbajmë sektorin privat dhe sipërmarrjet larg nga “syri i keq”, duke i mbrojtur nga ashpërsia e tregut. Këtë e dëshmon edhe lista e fundit e publikuar nga QKR-ja mbi bizneset që kanë kërkuar procedura falimenti, në numër të madh, por ende në fillim.

Nëse do të kërkonim rekomandime dhe ndihmë nga ky raport, cilat do të ishin ato?

Kërkuesit dhe ekspertët e përfshirë në hartimin e këtij raporti nënvizojnë një princip mbi gjithë të tjerët si këshillë për politikat qeverisëse: Universalizmin, idenë se të gjithë jemi të barabartë jo vetëm përpara ligjit, por gjithashtu përpara shkollimit, aksesit në shëndetësi apo të njëjtin vend pune. Ekspertiza shpjegon se duhet një balancë më e mirë dhe më e qartë ndërmjet interesave publike dhe atyre private. Për më tepër, duke qenë se bota është më e ndërlidhur, aksioni i përbashkët mbetet thelbësor. Ashtu si jemi përfshirë në fushatat e sigurisë në rrugë apo luftës kundër duhanit, ashtu duhet të përfshihemi dhe në fushatat kundër punësimit sezonal apo denoncimit të ndotjes së ambientit. Kontrolli i sëmundjeve dhe i vrasjeve, vështirësitë financiare dhe ndryshimi klimatik janë pengesa globale dhe mund të luftohen vetëm nëpërmjet angazhimit global.

Këto probleme, mundësi apo politika janë shumë të njohura e shpeshherë viktima të kakofonisë, por duhet kuptuar se në fakt ekziston mundësia që raporti i Kombeve të Bashkuara të vihet në shërbim të secilit prej nesh. Informacioni i mundësuar nga ky raport duhet të shfrytëzohet nga politikëbërësit, analistët dhe aktivistët për të realizuar krahasime me të tjerët dhe me veten. Ashtu si shprehet vetë raporti: “Ndërkohë që publikimi përmban informacion të tepërt statistikor, detajet se si një faktor (p.sh. aksesi në edukim) mund të ndikojë në zhvillimin njerëzor është shumë i qartë. Gjithashtu, elementet e kryqëzuar në mënyrë analitike ofrojnë një vështrim të qartë dhe të prekshëm të zhvillimit.

Politikat, strategjitë dhe ligjet e ndryshme duhet të jenë mjeti për të arritur qëllimin dhe jo qëllim në vetvete. Pra, kur thuhet se do të rregullojmë sektorin energjetik, qëllimi nuk duhet të jetë përmirësimi i barrës së borxheve, pagesave dhe detyrimeve ndërmjet një kompanie me një tjetër. Qëllimi duhet të jetë ulja e çmimit të energjisë, mbulimi i plotë i territorit me energji dhe mbi të gjitha cilësia e kësaj energjie përballë konsumit të mjedisit.

Vitin e ardhshëm, vetë Kombet e Bashkuara, sigurisht me pjesëmarrjen modeste të krerëve të shtetit shqiptar, do të përcaktojë axhendën globale të zhvillimit, atë që fillon në vitin 2015. Në këto prioritete botërore, pritet të përcaktohen katër udhëzime si manual për t’u ndjekur nga secila qeveri dhe mbi të gjitha nga secili prej nesh. Përqafimi i universalizmit, vendosja e njeriut dhe jo pozicionit në qendër të politikave, angazhimi i plotë në aksionin kolektiv dhe gjithashtu koordinimi i qartë ndërmjet shteteve dhe popullsive të tyre. Se cilat vende, të varfra, në zhvillim apo të zhvilluara, do të dinë të përqafojnë dhe aplikojnë këto principe, ne ende nuk e dimë. Por ato që do t’ia dalin, do të kenë ofruar mjedisin e duhur për zhvillim njerëzor. Gjithsesi, lufta më e madhe mbetet ajo kundër rreziqeve strukturore. Nëse institucionet sociale dhe ligjore, strukturat e pushtetit, hapësirat politike, traditat dhe normat shoqërore nuk u shërbejnë të gjithëve në mënyrë të barabartë apo krijojnë barriera të qarta për disa grupe për të ushtruar të drejtën e tyre, lindin dukshëm dobësitë strukturore. Këto janë problemet e Shqipërisë, por në fakt janë edhe problemet e botës.

Ashtu si thotë edhe raporti i Kombeve të Bashkuara, shprehje e cila vlen edhe thjesht për një shtet, “Të gjithë bashkë, dhe jo vetëm, mund të përmirësojmë jetesën tonë”.

ENIO CIVICI 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button