Intervista/Catherine Ashton rrëfen për vështirësitë në dialog dhe ndikimin rus në Ballkan
Radio Evropa e Lirë: Në librin tuaj të ri, “Dhe më pas çka: Rrëfimet e brendshme të diplomacisë së shekullit XIX” (And Then What? Inside Stories of 21st-Century Diplomacy”), ju keni thënë se nuk e keni shijuar pozitën e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, por keni pasur edhe momente të mira. Çfarë ka qenë më e vështirë për ju? Karakteristikat e negociatorëve, të cilët i keni ndërmjetësuar, apo situatat, kur secili humb pak, ashtu që të arrihet kompromisi?
Catherine Ashton: Ka qenë e vështirë t’i shoh sfidat, me të cilat përballen shumë njerëz, për shkak të konfliktit, kaosit apo ndonjë katastrofe. Për secilin që tenton të ndihmojë, ekziston gjithmonë një ndjesi që nuk bën kurrë mjaftueshëm – dhe unë natyrisht jam ndier ashtu. Kënaqësia dhe përmbushja kanë ardhur në momentet kur kam besuar se kam arritur të bëj dallimin.
Nuk ka të bëjë vetëm me humbjen – disi kompromisi është bërë fjalë që nuk e duam. Në negociata ju kërkoni zgjidhje për problemet, sidomos për ata që kanë probleme. Kompromisi pason mbajtjen e fokusit kah e ardhmja, tentimet për të gjetur se çfarë është më e mira për një komunitet apo një shtet, dhe marrja e vendimit se çka është më e rëndësishme. Negociatorët e mirë punojnë me qetësi dhe vazhdimisht bëjnë përpjekje për të gjetur zgjidhje.
Radio Evropa e Lirë: Ju keni luajtur rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes në Bruksel, më 2013. Megjithatë, deri më sot, Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur përparim të madh në normalizim të marrëdhënieve. Kë duhet fajësuar?
Catherine Ashton: Secila palë e di se e ardhmja e tyre varet pjesërisht nga marrëdhëniet që i ndërtojnë me Bashkimin Evropian dhe pjesërisht nga marrëdhëniet që i krijojnë brenda rajonit të tyre. Dhe, kjo nënkupton gjetjen e një rruge për të krijuar një të ardhme që ofron paqe, siguri dhe sukses ekonomik për të dyja palët. Nuk ka qenë kurrë e lehtë – Marrëveshja e Brukselit ka qenë vetëm fillimi – mirëpo u bëj thirrje të dyja palëve që të ulen në tavolinë dhe të gjejnë përgjigje.
Radio Evropa e Lirë: Cila ka qenë pjesa më e vështirë për t’i afruar palët deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit? Cila ka qenë sfida më e madhe?
Catherine Ashton: Imagjinojeni këtë skenë: Dy kryeministra, në moshë të njëjtë, nga rajoni i njëjtë, që nuk janë takuar kurrë, dhe të cilët bartin shpresat dhe aspiratat e popujve të tyre, të përziera me historinë dhe traumën e së kaluarës. Ka qenë gjë e guximshme vetëm pjesëmarrja në dhomë të njëjtë. Sfidë ka qenë njohja e së kaluarës, humbjet dhe dhimbjet e shumë personave, si dhe krijimi i një vizioni, për të siguruar që të rinjtë në Kosovë dhe Serbi, mund të shikojnë përpara drejt së ardhmes në BE.
Vështirësia më e madhe për liderët është përgatitja për të ecur përpara. Është më e lehtë që të mos bësh asgjë. Fatmirësisht, të dyja palët kanë qenë të përgatitura në atë drejtim.
Catherine Ashton: E kuptoj që ekziston shqetësimi në rajon, që BE-ja nuk është entuziaste – sa ka qenë dikur – për zgjerim. Megjithatë, nuk ka dilema që shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Përkushtimi i bllokut është i qartë në punën që e bën Mirosllav Lajçak, për të vazhduar punën me Kosovën dhe Serbinë. Por, duhet bërë shumë punë edhe shtetet që duan të jenë pjesë e BE-së. Një arsye për mungesë entuziazmi qëndron te mungesa e përparimit të bërë nga vendet që duan të jenë anëtare. Nuk është një rrugëtim i lehtë, por ia vlen të bëhet.
Radio Evropa e Lirë: Në librin tuaj, ju sqaroni se jo gjithçka funksionon më së miri nëpër organizatat ndërkombëtare, si BE-ja, NATO-ja dhe Kombet e Bashkuara. Ju keni thënë: “Sa i përket ndërmjetësimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, roli i Shteteve të Bashkuara ka qenë i heshtur, në pjesën më të madhe të kohës, por, megjithatë vital. A besoni se SHBA-ja tani ka më shumë fuqi sesa BE-ja, sidomos te Kosova?
Catherine Ashton: Unë besoj në punën me miq e aleatë dhe në gjetjen e zgjidhjeve. Shtetet e Bashkuara e kanë një lidhje të veçantë me Kosovën, që nënkupton se ato kanë arritur të rikonfirmojnë mbështetjen e tyre, teksa Kosova ka marrë hapa drejt asaj që njihet si Marrëveshja e Brukselit. Nuk ka të bëjë me atë se kush ka më shumë fuqi – ka të bëjë me fuqinë e të punuarit së bashku.
Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni, në përgjithësi, situatën në Ballkan? Teksa palët, dikur ndërluftuese, tani promovojnë bashkëpunim, sidomos në fushën e ekonomisë, pothuajse të gjitha çështjet tjera, shembull, mospajtimet etnike, mbesin të pazgjidhura (në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë). Në të njëjtën kohë, demokracia në Ballkan po rrezikohet nga korrupsioni i shfrenuar, mosrespektimi i rendit dhe ligjit dhe shtypja e lirisë së mediave. Ndonëse BE-ja i ka kritikuar këta trendë në përgjithësi, me raste duket se e mbyll njërin sy, duke besuar se kështu i shtyn liderët autoritarë të Ballkanit që të arrijnë marrëveshje gjeopolitike. Shembull është presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për çështjen e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Në një opinion të vitit 2021 për Politico-n, të quajtur “Mos ia mbyllni derën Ballkanit Perëndimor”, ju dhe autorë tjerë thoni se alternativë është regresi drejt një Evrope të ndarë, të rrethuar nga fuqi, që në thelb nuk kanë as interesa, as vlera. “Lënia e Ballkanit Perëndimor në një zonë të përhershme muzgu, do të përbënte humbje strategjike – dhe të pashmangshme”. A mund të bëjë BE-ja më shumë?
Catherine Ashton: Nuk është vetëm roli i BE-së që t’i shtyjë përpara vendet e Ballkanit Perëndimor. Është edhe detyrë e secilit shtet që t’i kryejë të gjitha ndryshimet e nevojshme, dhe të merret me të gjitha çështjet e nevojshme për t’u bërë anëtar i BE-së. Prandaj, shpresoj që do të bëhet më shumë, nga të gjithë, për t’i adresuar këto sfida.
Radio Evropa e Lirë: Në vitin e fundit të mandatit, më 2014, Rusia e ka aneksuar Gadishullin e Krimesë. A mendoni se reagimi me kohë do të mund të parandalonte luftën në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022? Çfarë ka mundur të bëhet ndryshe?
Catherine Ashton: Ne kemi reaguar atëherë, duke i vënë sanksione Rusisë, dhe duke tentuar të negociojmë. Reflektimi është gjithmonë i vështirë – atëherë nuk kemi ditur atë që e dimë sot. Megjithatë, sipas mendimit tim, në vitet pasuese, ajo që ka ndodhur në Ukrainë, nuk ka qenë në agjendë, aq lart sa do të duhej të ishte.
Radio Evropa e Lirë: Deri në çfarë pikë është duke ndikuar Rusia në dialog, dhe në situatën në Ballkanin Perëndimor, në krahasim me periudhën kur keni qenë e përfshirë edhe ju?
Catherine Ashton: Ne gjithmonë kemi qenë të vetëdijshëm për ndikimin e Rusisë dhe angazhimin në Ballkanin Perëndimor. Ngjarjet në Ukrainë, e kanë vënë më shumë në pah këtë fakt.
Radio Evropa e Lirë: Në kohën kur jeni larguar nga Brukseli, nuk është folur, thuajse aspak, për ndikimin kinez. Tani kemi shembuj se si Kina është duke e përhapur ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor, përmes borxheve, donacioneve dhe projekteve infrastrukturore. Madje edhe në disa vende të BE-së. Njerëzit nuk e shohin ndikimin kinez si kërcënim, në krahasim me ndikimin rus. A pajtoheni?