Politika

Intervistë për VOA/Presidenti Meta: Ndërhyrjet në legjislacion duhet të jenë të menduara

Zëri i Amerikës: Zoti President, gjatë këtyre ditëve që ju keni qenë në Uashington ka patur disa zhvillime të rëndësishme lidhur me vendin tuaj. Bashkimi Evropian bëri të ditur, siç e dini, metodologjinë e zgjerimit, duke ringjallur kështu shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për një vendim pozitiv të shpejtë. Kancelarja Merkel përmendi mundësinë e një vendimi madje që në muajin mars. A e keni edhe ju këtë pritshmëri?

Presidenti Ilir Meta: Ne prej kohësh kemi patur pritshmëri mjaft pozitive, por në situatën aktuale shpresojmë që sa më shpejt të arrihet një kompromis për metodologjinë e re të zgjerimit, që ka kërkuar Franca, por edhe ndonjë vend tjetër, që ka qënë më kritik ndaj ecurisë së zgjerimit.

Po kështu është edhe e rëndësishme që ne të tregojmë, në ditët dhe në javët që vijnë, sa më shumë përgjegjshmëri në përmbushjen serioze të disa prej kërkesave kryesore të Bundestagut gjerman, të cilat janë të njohura dhe të cilat janë kyç për të zhbllokuar këtë proces në mënyrë pozitive për vendin tonë por edhe për Maqedoninë e Veriut.

Zëri i Amerikës: Disa nga çështjet kryesore për Shqipërinë janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reforma zgjedhore. Lidhur me këtë të fundit duket se situata politike në Shqipëri është shtensionuar disi – palët janë ulur në tryezë. Dua të marr mendimin tuaj, pasi ju keni qënë kundërshtar i ashpër i ndryshimeve të 2008-ës që sollën sistemin që është sot në fuqi. Sipas jush, cili do të ishte modeli i përshtatshëm për Shqipërinë dhe çfarë preferoni ju, lista të hapura apo të mbyllura?

Presidenti Ilir Meta: Kjo do të ishte një pyetje të cilës do t’i përgjigjesha me shumë dëshirë, në rast se do të isha në pozicionin e një kryetari të një force politike, por në pozitën e Presidentit të Republikës, më duhet të theksoj se çëshja më e rëndësishme për Shqipërinë është që sa më shpejt të kemi një reformë të përfunduar dhe sa më shpejt të kemi një rivendosje të legjitimitetit të cënuar padrejtësisht nga të gjithë aktorët e të gjitha insitucioneve demokratike në vend.

Pastaj themelore është vullneti për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë në çdo rast edhe si President do të preferoja çdo formulë, e cila jep zgjidhjen më të mirë për integritetin e zgjedhjeve, por edhe për të forcuar sistemin parlamentar në vend, në mënyrë që deputetët të kenë një lidhje sa më të drejtpërdrejt me qytetarët.

Zëri i Amerikës: Zoti President, lufta ndaj krimit të organizuar është një tjetër çështje thelbësore për Shqipërinë. Ditët e fundit qeveria ka ndërmarrë nismën e re, Operacioni Forca e Ligjit. Si e vlerësoni ju këtë nismë të re?

Presidenti Ilir Meta: Padyshim që lufta kundër krimit të organizuar është një kërkesë e vjetër, pra nuk është një kërkesë e re. Ajo ç’ka është imperativi për të dhënë rezultate të prekshme dhe të besueshme, unë mendoj se legjislacioni ka qënë i plotë në të gjitha drejtimet dhe duhet të jemi mjaft të kujdesshëm, që të kemi në konsideratë, se kjo nuk është luftë që zhvillohet me fushata, por zhvillohet çdo ditë duke forcuar kulturën e shtetit ligjor, respektimin e kushtetutës,respektimin e ligjit dhe të ndëshkueshmërisë të të gjithë atyre që rezultojnë të implikuar, jo vetëm me këto fenomene, por edhe në të gjitha strukturat shtetërore në mbrojtje të këtyre fenomeneve.

Zëri i Amerikës: Pra nëse ju kuptova drejt, mendimi juaj është që ky akt normativ, ky ligj, nuk ishte i nevojshëm?

Presidenti Ilir Meta: Mendimi im ishte se i gjithë legjislacioni ka qënë aty, të gjitha institucionet kanë qënë aty. Askush nuk e pengon qeverinë të ngrejë task-forca në mënyrë të vazhdueshme, por kur bëhen ndërhyrje në legjislacion, këto duhet të jenë mjaft të mirëmenduara, mjaft transparente të besueshme dhe të mos krijojnë kontestime apo mbivendosje të karakterit ligjor, apo dhe të karakterit institucional, sepse në një plan afatgjatë këto nuk i shërbejnë forcimit të sundimit të ligjit.

Zëri i Amerikës: Ekziston një mendim i përgjithshëm, që krimi i organizuar nuk mund të marrë një shtrirje kaq të gjerë, në qoftë se pas tij nuk qendron një prapavijë politike. Deri më sot, në vendin tuaj, reforma në drejtësi po nxjerr jashtë sistemit shumë gjykatës dhe prokurorë përmes vetingut. Nisma e fundit po godet pasuritë financiare e të patundshme të elementëve të botës së krimit. Por ndaj politikanëve vetë, e vetmja masë shtrënguese, është ligji i dekriminalizimit, pra që politikani vetë të ketë kryer shkelje, të jetë dënuar, në që të mos hyjë në politikë. Çfarë mund të bëhet për shkëputjen e lidhjeve të politikanëve me botën e krimit?

Presidenti Ilir Meta: Ajo që mund të bëhet më mirë është shembulli i gjithë politikanëve,nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri, nga Kryetari i Kuvendit në respektimin e Kushtetutës, të ligjit, mosndërhyrjen në çështjet e drejtësisë dhe çdo përpjekje, që rrezikon të shtyjë në periferi, apo të vërë në trysni institucionet e reja të drejtësisë, të cilat janë krijuar me mjaft vështirësi dhe për fat të keq, në një klimë të polarizuar politike, nuk i shërben forcimit as të besueshmërisë së tyre, as forcimit të shtetit ligjor dhe në këtë drejtim të gjithë duhet të reflektojmë për të rivendosur besimin e qytetarëve tek institucionet dhe politikanët të parë.

Zëri i Amerikës: Në kuadër të reformës në drejtësi, një nga institucionet e reja më të rëndësishme që i mungon Shqipërisë, është pikërisht Gjykata Kushtetuese dhe emërimet për anëtarët e saj çuan në një përplasje të re dhe të thellë madje, midis jush dhe shumicës socialiste. Kjo e fundit pritet të miratojë javën e ardhshme një ndryshim ligji për organizimin e kësaj gjykate, sipas së cilës nëse anëtari nuk thirret për të bërë betimit nga ana e Presidentit, ai mund ta bëjë këtë në një formë tjetër, në formë të shkruar dhe t’ia nisë presidentit. Cili është mendimi juaj për këtë nismë?

Presidenti Ilir Meta: Më duhet të them se është për të ardhur keq që ndërmerren nisma të tilla, të cilat tregojnë mungesë të respektit për shtetin ligjor dhe vetë kushtetutën që e kemi miratuar me 140 vota. Përsa u takon institucioneve të reja të drejtësisë, është një kokëfortësi, e cila nuk na ndihmon të rrisim besueshmërinë brenda dhe jashtë vendit se po zbatojmë në mënyrë të përgjegjshme reformën në drejtësi, aq më tepër për institucionin më të rëndësishëm të shtetit dhe drejtësisë në vend, që është Gjykata Kushtetuese. Të bësh një ligj mbi kushtetutën nuk është asgjë tjetër, përveçse në rastin konkret, një përpjekje për të shndërruar Gjykatën Kushtetuese në një organizatë partie dhe për të hedhur në erë besueshmërinë e gjithë sistemit të drejtësisë.

Është Presidenti i Republikës, edhe në pozitën e mëparshme si kryetar i Kuvendit, për përgjegjësitë që ka patur për çështjet e krijimit të komisionit të emërimeve në drejtësi dhe në vazhdimësi, i cili gjithmonë ka bërë më të mirën që Shqipëria asnjë orë, asnjë ditë, të mos ngelej pa gjykatë kushtetuese funksionale. Dhe në rastin e fundit, është Presidenti që ka bërë të gjitha përpjekjet për të mos e cënuar integritetin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar edhe komisionit të emërimeve në drejtësi, që është një organ administrativ në ndihmë të Presidentit, të Kuvendit dhe të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen sipas Kushtetutës së Gjykatës Kushtetuese, por edhe Kuvendit në mënyrë të dokumentuar, të vazhdueshme që të respektojnë Kushtetutën.

Kushtetuta e ka të shkruar gërmë për gërmë, përveç frymës së saj, radhën kushtetuese të balancuar se si veprohet në këtë rast dhe presidenti ka respektuar me besnikëri të plotë Kushtetutën dhe ka kërkuar në mënyrë të dokumentuar, të përsëritur bashkëpunimin e Kuvendit. Është e qartë e gjithë përpjekja e maxhorancës, për të ardhur keq, për të kapur edhe këtë institucion të fundit të pakapur prej saj për qëllime afatshkurtra politike, duke hedhur në erë gjithë besueshmërinë e këtyre proceseve reformuese.

Zëri i Amerikës: Pra, pikërisht kjo çështje, Gjykata Kushtetuese, ka shkuar tashmë në Komisionin e Venecias. Edhe ju, i jeni drejtuar Komisionit të Venecias, edhe mazhoranca, Parlamenti, i është drejtuar Komisionit të Venecias për interpretim, mbi mënyrën se si bëhet zgjedhja. Por, përpara se ta bëni këtë, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Uashingtonin, sugjeroi që të merrej mendimi i Venecias për konfliktin mbi Gjykatën Kushtetuese. Ju në atë kohë reaguat mjaft ashpër. Çfarë ndryshoi tani, që ju vetë po i drejtoheni Komisionit të Venecias?

Presidenti Ilir Meta: Së pari, përfaqësues të Uashingtonit, në Tiranë dhe kudo, kanë qenë të paralajmëruar nga ana ime si President i Republikës për të gjithë problematikën para se ajo të bëhej publike dhe kanë patur mundësinë të kontribuonin që çështja të mos shkonte në përplasje. Përkundrazi, çdo institucion, përfshirë Presidentin, Kuvendin, përfshirë edhe Komisionin e Emërimeve në Drejtësi, që është vetëm një organ administrativ, nuk është gjykatë, të bënin detyrën e tyre. Kërkesa që të pranonte edhe Presidenti për të vënë në diskutim në Venecia aktet e tij, ishte absurde dhe e turpshme, për arsye se Presidenti ka kryer me përgjegjshmëri të plotë atë që ka shkruajtur vetë Komisioni i Venecias, i cili radhën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetues e ka përcaktuar në kushtetutë, jo ligj.

Zëri i Amerikës: Ky është interpretimi juaj. Të tjerët e interpretojnë ndryshe. Prandaj…

Presidenti Ilir Meta: Po, patjetër. Unë gjithmonë i referohem Kushtetutës. Nuk i referohem as Uashingtonit, as Brukselit, sepse nuk mund të fshihem në veprimet e mia sepse ato janë në besnikëri të Kushtetutës.

Zëri i Amerikës: Po, edhe pala tjetër atë pretendon…

Presidenti Ilir Meta: Më fal. Jo. Pala tjetër nuk i referohet kushtetutës. Pala tjetër vetëm thotë që kemi diskutuar me partnerët tanë , me ata….unë s’i përdorë partnerët për të justifikuar legjitmitetin e veprimeve të mia, sepse ato janë tërësisht legjitime, dhe i referohen vetëm Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Pra, pse i jam drejtuar Venecias?

Unë i jam drejtuar Venecias sepse Parlamenti, ndoshta edhe sot, deri në ditën që unë i jam drejtuar, nuk kishte publikuar as parashtrimin e kërkesës për çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Madje edhe pyetjet rrodhën nga mediat, sepse nuk janë bërë publike edhe pse është një institucion që transparencën e ka detyrim.

Dhe pyetjet e Parlamentit ishin vetësugjeruese jashtë asaj që kishte ndodhur, kështu që unë isha i detyruar, jo vetëm për t’i bërë të qartë Komisionit të Venecias gjithë shkeljet kushtetuese dhe ligjore që ka bërë për fat të keq Kuvendi i Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar për të ballafaquar fakte dhe të vërteta.

Dhe parashtrimi im si President edhe i situatës faktike, edhe gjithashtu i veprimet të kryera nga të gjitha institucionet është publik dhe transparent dhe është në shërbim të gjithë atyre që duan të kontribojnë që Shqipëria të bëhet shtet serioz i zbatimit të ligjit.

Zëri i Amerikës: A keni ju besim të plotë sot tek Komisioni i Venecias, kur të dërgojë interpretimin e vet?

Presidenti Ilir Meta: Unë kam besim të plotë se Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka respektuar me besnikëri të plotë, jo vetëm frymën e kushtetës, por edhe kushtetutën e Republikës së Shqipërisë gërm për gërm. Dhe këtë rast, kushtetuta është shumë e qartë në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Megjithatë duhet të presim për përfundimin e interpretimit të Komisionit të Venecias dhe të ndjekim zhvillimet e mëtejshme se çfarë do bëhet …..

Presidenti Ilir Meta: Unë padyshim që jam i duruar në këtë drejtim, por kjo është një kohë e humbur për Shqipërinë, siç ishte një kohë e humbur edhe çështja e denoncimit, të themi në Venecia të Presidentit për aktin e dekreteve për zgjedhjet vendore, që thjesht më detyroi dhe mua si President të paraqisja opinionin tim atje. Vajtja përsëri në Venecia për një çështje absurde, sepse sipas tyre Presidenti gjoja ka shkelur ligjin, kur Presidenti hetohet vetëm për shkelje të rënda të kushtetutës, nuk i bën mirë imazhit të vendit tonë në nivelin ndërkombëtar. Megjithatë unë si President do bëj detyrën time edhe me Komisionin e Venecias.

Zëri i Amerikës: Meqë ju iu referuat interpretimit të Venecias për çështjen e zgjedhjeve vendore, Komisioni i Venecias e thotë hapur që ju i tejkaluat kompetencat…

Presidenti Ilir Meta: Jo nuk është kështu!

Zëri i Amerikës: E thotë!

Presidenti Ilir Meta: E keni gabim. Kjo ka qenë në raportin paraprak.

Zëri i Amerikës: Jo, është në raportin përfundimtar, unë sot iu referova përpara se të vija në studio, për ta rikujtuar ….

Presidenti Ilir Meta: Nuk është kështu, është e pavërtetë. Nuk egziston fjala tejkalim.

Zëri i Amerikës: Interpretimi i Venecias, e thotë. Por thotë që nuk ka qenë aq serioze shkelja, sa për të çuar në shkarkim.

Presidenti Ilir Meta: Nuk është ashtu jo! Kjo është tek parapraku.

Zëri i Amerikës: T’ua lexoj variantin përfundimtar? E kam të hapur në telefon…

Presidenti Ilir Meta: Ju mund të lexoni një variant tuajin, nuk ka asnjë problem…

Zëri i Amerikës: Jo ky është varianti i Venecias…

Presidenti Ilir Meta: Unë mund ta sqaroj më pas, sepse tani unë nuk e kam këtu me vete. Nuk kam asnjë shqetësim për atë gjë.

Zëri i Amerikës: Është në aglisht dhe po e përkthej në moment… “ në qoftë se, ashtu edhe siç ka ndodhur, anulimi dhe më pas shtyrja e zgjedhjeve lokale, i tejkaloi kompetencat e Presidentit, siç u vertetua më parë”, në argumentimin që bën Venecia, “parlamenti dhe komisioni i tij hetimor duhet të marrin parasysh një sërë faktorësh që çuan këtu, të cilat vënë në pikëpyetje nëse ky akt ka qenë i një natyre serioze”. Pra ata thonë që (akti) nuk ka qenë serioz për t’u shkarkuar por…..

Presidenti Ilir Meta: E para, një herë varet shumë se si është formulimi në anglisht e dyta… këtë gjë e di mirë sepse me këtë çështje jemi marrë shumë seriozisht, Komisioni i Venecias….. e para kjo nuk egziston …ka një ndryshim të madh mes paraprakut dhe përfundimtarit….

Zëri i Amerikës: Jo jo ky është përfundimtari (raporti) pika 81…

Presidenti Ilir Meta: Do t’ua sqaroj edhe unë më pas sepse nuk e kam këtu. Së dyti, Komisioni i Venecias ka thënë këtë gjë…. edhe nëse pretendimet e Kuvendit, jo konkluzioni i Venecias, pretendimet e Kuvendit janë të tilla, përsëri kjo është një çështje jo serioze që hyn në sferën për të ndërmarrë një hap të tillë ndaj Presidentit të Republikës. Ky është thelbi i Venecias. Dhe fjala tejkalim kompetencash në variantin e fundit si konkluzion i Venecias nuk egziston. Kjo ka egzistuar tek parapraku….

Zëri i Amerikës: Jo jo është…

Presidenti Ilir Meta: Dakort e sqarojmë edhe më pas….nuk kam shqetësim për këtë çështje. Por absolutisht kjo është një gjë pa lidhje. Pasi kompetenca e zgjedhjeve është një kompetencë absolute dhe e vetme e Presidentit të Republikës, që nuk e ndan me asnjë institucion tjetër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button