Iraku po planifikon ndërtesën më të lartë në botë
Më e lartë se “Burj Khalifa”, më e lartë se “Kingdom Tower” e Xhedah-ut: Basra do të jetë qyteti që do të mburret në të ardhmen për ndërtesën më të lartë në botë, qiellgërvishtësen e superlativave.
Po, është pikërisht kështu, pavarësisht se kur përmendim emrin e Irakut, shumica prej nesh sjell ndërmend sulme me bomba, IS-in, ndasi fetare apo Sadamin. Por një studio arkitekturore me seli në Londër, duket se ka paraqitur së fundmi një plan ambicioz për qytetin industrial irakian.
Nusja “me antenë”
Përfshirë antenën, e ashtuquajtura “The Bride” (nusja) do të shtrihet drejt qiellit në një lartësi prej 1152 metrash. Këto janë 152 metra më shumë se “Kingdom Tower” në Arabinë Saudite, e cila pritet të përurohet në vitin 2020, dhe do të ketë gjithashtu 324 metra lartësi më shumë sesa ndërtesa më e lartë aktualisht në botë, e famshmja dhe e bukura “Burj Khalifa” në Dubai. Me projektin e saj për ndërtesën e superlativave në qytetin irakian të Basra-s, studio britaniko-irakiane AMBS, duket se do të sjellë një krenari jo vetëm për Basra-n. “The Bride” do të jetë më shumë se thjesht një ndërtesë – ku është planifikuar një kompleks me katër kulla në lartësi deri në 964 metra, që lidhen me njëra-tjetrën me kopshte e sheshe. Ngritur në një sipërfaqe prej 1,55 milionë metrash katrorë, aty do të ngrihen hotele, zyra, banesa, qendra kongresesh, biznese e dyqane, parqe dhe madje do të ketë edhe një rrjet të vetin hekurudhor.
“Vertical City”
Arkitektët flasin kësisoj për një të ashtuquajtur “Vertical City” (qyteti vertikal), një qytet të tërë të ngritur në qiell. Basra, për shkak të pasurisë së madhe që ka në nëntokën e saj, po kthehet në një qytet që po rritet me shpejtësi të madhe në jug të Irakut dhe është gjithashtu edhe qytet-porti më i rëndësishëm i vendit – e kësisoj, vendasit e kanë pagëzuar prej kohësh me nofkën përkëdhelëse: “Nusja e gjirit”. Administrata e qytetit ka një masterplan për shfrytëzimin më të mirë të sipërfaqes së qytetit, ku qendra e saj do të duhet të mbartë në vetvete pikërisht “Nusen” (The Bride).
As datë fillimi e as mbarimi
Hartimi i projektit ka nisur vitin e shkuar, por deri më tani nuk është dhënë as ndonjë datë për nisjen e ndërtimit, e as për afatin e dorëzimit. Mirëpo financimi nga ana tjetër gjendet në fazën e fundit. Vepra do të kushtojë 1,2 miliardë dollarë amerikanë dhe tashmë është siguruar plotësisht, siç shkruante para pak ditësh gazeta britanike “Telegraph”. 1000 metër e lartë, ajo do t’ia marrë kështu titullin “Burj Khalifa”-s si ndërtesa më e lartë në botë dhe do të përfshijë brenda vetes në një sipërfaqe prej 245 000 metrash katrorë, një hotel me 200 dhoma, zyra dhe 481 banesa. Për sa i përket konkurrentes së saj direkte për momentin, “Kingdom Tower” në Xhedah të Arabisë Saudite, ajo tashmë ka nisur të marrë udhë.