Irani nën presionin e rënies së çmimit të naftës
Që nga vera e kaluar çmimi i naftës bie pa ndërprerje. Humbësi më i madh është Irani. Ngaqë Teherani humbet gjithnjë e më shumë para, tani do të tatojë edhe fondacionet fetare.
Çmimi i naftës ka rënë me shpejtësi të madhe brenda gjashtë muajve të fundit – fundi i kësaj tendence nuk shihet. Çmimi për një fuçi (159 liter) të llojit amerikan WTI të martën (13.01.2015) ra madje për pak kohë nën 45 dollarë. Ulja nga OPEC-u e sasisë së naftës, që nxirret, do të mund ta ngrinte sërish çmimin. Por një gjë e tillë nuk duket se do të ndodhë. Në mesin e shteteve të OPEC-ut, ku bëjnë pjesë edhe Arabia Saudite dhe Irani, sundojnë akoma mosmarrëveshje, përsa i përket nevojës për veprim. SHBA falë metodës fracking janë ngjitur në vendin e parë të prodhimit të naftës në botë. Por fracking është i kushtueshëm dhe ka leverdi vetëm, nëse nafta shitet shtrenjtë. Numri 1 i deritanishëm Arabia Saudite prodhon si më parë, pa marrë parasysh zhvillimet e fundit. Ekspertët supozojnë se Arabia Saudite ka aq shumë rezerva, saqë mund të përballojë edhe dy vjet të tjerë çmimin e ulët të naftës. Fakti që konkurrentëve të rëndësishëm, Rusisë dhe Iranit i krijohen vështirësi ekonomike nga zhvillimet e fundit me çmimin e naftës, e përforcon qëndrimin refuzues të Arabisë Saudite, për të mos e ulur prodhimin. Kësaj i shtohet fakti që Teherani dhe Riadi nuk konkurrojnë vetëm në tregun e naftës, por janë edhe rivalë të betuar për hegjemoni gjeopolitike në rajon.
Vështirësi për ekonominë iraniane
Rënia dramatike e çmimit të naftës i ka ulur shpresat e Iranit për një përmirësim ekonomik, pasi vendit i duhet të luftojë ende me sanksionet e Perëndimit dhe pasojat e tij. Ekportet iraniane të naftës në katër vitet e fundit janë gjysmuar nga 2,5 milionë fuçi në 1,2 milionë fuçi në ditë, për shkak të sanksioneve të ashpra që nga viti 2011. Ndërprerjet e eksportit deri tani Irani ka mundur t’i kompensojë pjesërisht me çmime të larta të naftës. Por tani atij i reduktohen të ardhurat. Përveç kësaj një pjesë e fitimeve nga nafta është ngrirë jashtë vendit për shkak të sanksioneve.
Është e padiskutueshme, që bisnezi i naftës luan një rol shumë të rëndësishëm për Iranin, edhe pse ka të dhëna të ndryshme, për varësinë e vendit nga eksportet e naftës. Sipas të dhënave zyrtare ekonomia e vendit varet 30 deri 35 % nga të ardhurat e naftës. Ekspertët nisen nga një shifër më e lartë. Disa mendojnë se Irani siguron rreth 70 % të të ardhurave të tij valutore nga biznesi i naftës. Fakt është se rënia e fortë e çmimit të naftës ka nxitur qeverinë iraniane për të rishqyrtuar planin buxhetor për vitin kalendarik (21.03.2015 – 20.03.2016). Teherani llogarit tani të ardhura mesatare prej 72 dollarë për fuçi dhe është ende shumë optimist. Fillimisht pritej një çmim mesatar prej 100 dollarë për fuçi. Por ekspertët supozojnë se për shkak të zhvillimeve të fundit do të nevojitet një korigjim i ri çmimeve të naftës. Nuk ka problem, thonë burimet qeveritare. Qeveria është në gjendje të menaxhojë ekonominë e vendit edhe me një çmim nafte prej 35 dollarë për fuçi, tha zëdhënësi i qeverisë iraniane Mohammad Bagher Nobakht në fund të dhjetorit 2014.
Optimizmi i sforcuar i Teheranit
Madje në fillim të këtij viti parlamentit iranian iu dorëzua një draft, që parasheh varësinë e buxhetit nga të ardhurat e naftës. Një përpjekje, që do të mund të realizohet vetëm në të ardhmen dhe në kushte të caktuara, thotë ekonomisti iranian Ahmad Alavi në intervistë DW: “Që prej pesëdhjetë vjetësh bëhen përpjekje për të reduktuar varësinë e ekonomisë iraniane dhe të buxhetit nga të ardhurat e naftës. Por nëse hedhim një vështrim prapa në historinë e zhvillimit të ekonomisë iraniane, nuk ka gati asnjë pikë në buxhet, në ekonominë e brendshme dhe në tregtinë e jashtme, që nuk lidhet me të ardhurat e naftës.”
Megjithë qëndrimin optimist, që tregon aktualisht qeveria iraniane, ajo do të jetë e detyruar të gjejë burime të reja të ardhurash për të financuar në të ardhmen buxhetin. Disa ekspertë e shohin rënien drastike të çmimit të naftës si një mundësi për presidentin iranian Hassan Rohani dhe qeverinë së tij për të çuar përpara reformat e rëndësishme ekonomike. Në intervistë me DW Alireza Haghighi Namvar, politolog në universitetin e Torontos, flet për një “intervenim kirurgjik në ekonominë iraniane.” Së pari duhet shkurtuar burokracia e tepruar e krijuar sidomos në kohën e ish presidentit Mahmoud Ahmadinexhad. Nga ana tjetër po mendohet për një ligj, që do të tatojë fondacionet dhe institucionet fetare, të cilat kontrollohen vetëm nga lideri fetar, Ayatollah Ali Khamenei. Deri tani ata kanë qenë të liruara nga pagesa e taksave.
Fondacione jo transparente
Sipas mendimit të Alireza Haghighi ky ligj përbën një pikë kyçe për suksesin e reformave. Financat dhe transaksionet e këtyre fondacioneve duhet te bëhen transparente. “Kontrolli mbi të gjitha aktivitetet ekonomike dhe të gjitha institucionet, që marrin para, duhet të jetë në duart e qeverisë”.
Deri tani qeveria për shumë institucione, si Sepah Pasdaran (garda revolucionare) apo Fondacioni Qods, nuk ka asnjë ide sa para hyjnë. Përveç kësaj Rohani dhe qeveria e tij duhet t’i kalojnë të gjitha projektet në një parlament, që ndodhet fort në duart e konservatore.
Edhe në politikën e jashtme Rohani dhe qeveria e tij ndodhen me shpatulla pas muri. Megjithëse Irani dhe bashkësia ndërkombëtare kanë rënë dakord në formën e grupit 5 + 1, që deri në mars 2015 të arrijnë një kompromis bërthamor, rënia e çmimit të naftës e vë Teheranin nën presion. Iranit i nevojitet më shumë se kurrë një marrëveshje për të lehtësuar, apo hequr sanksionet dhe për patur qasje në fondet të ngrira.
Ekonomia iraniane është e varur nga të ardhurat e naftës, thotë Ahmad Alavi: “Nga shitja e naftës Irani fiton deziva, për të cilat ka aq shumë nevojë. Një rënie e këtyre të ardhurave do të thotë që çmimi i dollarit dhe devizave të tjera të huaja në Iran të rritet dhe mallrat të shtrenjtohen.” Pa këto të ardhura, rritja e inflacionit dhe e papunësisë do të jenë të pashmangshëm, thotë ekonomisti iranian.