Ish-kolegu i Putinit në KGB: Ishte mediokër, i zbehtë dhe i kompleksuar
Ndoshta nuk është hera e parë që Presidenti rus përflitet për të shkuarën e tij në kohën kur studionte apo punonte për hesap të KGB-së. Por si kurrë më parë, një ish-koleg i tij, që sot jeton në SHBA e që nga Moska cilësohet si tradhtar, rrëfen disa të vërteta të hidhura për shefin e Kremlinit, që e katapultojnë atë në një imazh e karakter plotësisht të ndryshëm nga ai që sot bota e njeh
Këto fjalë sigurisht se nuk do t’i pëlqejnë Putinit …
Burri që shfaqet si “Perandori i Rusisë” dhe nën dhëmbë shihet edhe si njeriu fuqiplotë i Europës, në kohët e dikurshme, kur punonte si agjent i KGB-së, duhet të ketë qenë një njeri që s’binte fare në sy e i mbushur plot me komplekse? E pabesueshme disi.
Mirëpo pikërisht këtë pretendon ish-kolegu i tij, Juri Schwez, në një intervistë për portalin ukrainas të internetit “Gordonua.com”, të cilit duket se i kanë bërë menjëherë jehonë dje shumë nga mediat perëndimore.
Ish-agjenti i KGB-së në periudhën e ish-Bashkimit Sovjetik, që vepronte si agjent i fshehtë i kamufluar si gazetar i agjencisë zyrtare të lajmeve TASS, sikurse edhe Putini, ka studiuar në Institutin Andropov për Spiunazhin e Jashtëm dhe sot punon si analist financiar në SHBA. Në fakt, origjina e tij ukrainase, lë shteg për shumë interpretime dhe vetë Moska tashmë e klasifikon atë si tradhtar.
Por le t’i kthehemi temës e të shohim se çfarë thotë ai shkurtimisht për kreun aktual të Federatës Ruse, i njohur ndryshe edhe si Car Putini …
… e shkuara e Putinit në KGB:
“Putini nuk ka punuar kurrë në zbulim. Ai shkoi në KGB dhe u mor me xhudo, për të kompensuar komplekset e inferioritetit. Aftësitë e tij në krahasim me ato të bashkëpunëtorëve të tjerë ishin nën mesatare”.
… Shërbimi i Putinit në ish-RDGJ, në Dresden:
“KGB-ja donte që t’u ‘dhuronte’ bashkëpunëtorëve të saj nga provincat një herë në jetë, diçka për t’u mbajtur mend, le të themi. E kështu që edhe atë e dërgoi për disa vite me shërbim në ish-RDGJ, nga e cila ai u kthye në atdhe me një fotoaparat në dorë me objektiv të markës ‘Carl Zeiss’ – dhe me një servis gatimi ‘Madonna’. Këto dy gjëra standarde, praktikisht ishin të vetmet rezultate që korri Putini nga veprimtaria e tij e ‘spiunazhit’ në RDGJ”, thotë Schwez me ironi.
Shtronte tavolina dhe blinte në dyqane
“Ndër detyrat e tij (si shef lokal i Shtëpisë së Miqësisë RDGJ-BRSS) bënte pjesë edhe shtrimi i tavolinës për kolegët me grada më të larta nga Moska e kujdesi për t’i furnizuar ato me ushqime e pije, të blinte në dyqanet lokale e të shtronte sërish tavolinën për ta e t’i niste me avion drejt Moskës. Kjo ishte pra dhe e gjithë puna ‘zbuluese’ e Putinit në ish-Republikën Demokratike Gjermane“.
Pohimet e Schwez, siç shihet, nuk përkojnë aspak me imazhin që gëzon në Rusi e në botë sot shefi i Kremlinit. Që Putini në atë kohë nuk ka pasur atë rol të fuqishëm që ka sot, kjo nuk të habit, por pohimet e ish-kolegut të KGB-së mund të sillnin një përplasje pikante me idenë e imazhin e krijuar për të përgjatë një kohe të gjatë, qëkurse Putini erdhi në pushtet.
“Që Putini u dërgua me shërbim jashtë vendit në vend që të shkonte në një administratë provinciale, shpjegohet vetëm me këtë se ai në vlerësimin e përgjithshëm psikologjik në Akademinë e KGB-së dështoi”, tha Schwez gjatë intervistës.
Ish-shoku i tij i studimeve më tej pohoi se …
… Nami i Putinit në rrethet studentore
Putini në KGB në fillim mbante pseudonimin “zari”, e më vonë “larva e zbehtë”, ndërsa sot ai, për shkak të operacioneve të bukurisë që ka kryer, quhet edhe “Botox”-i. Të gjithë i kanë theksuar “aftësitë mediokre intelektuale të Putinit”, si dhe “tendencën e tij të jashtëzakonshme për komplekse psikike”.
“Putini vuan shumë nga kompleksi i të qenët i shkurtër”, thotë Schwez. Kompleksi i inferioritetit gjen një shprehje edhe në fytyrën e tij dhe ka lënë gjurmë edhe në figurën e tij. Një njeri të tillë nuk duhej ta çoje kurrë me shërbim jashtë vendit, pasi në fytyrën e tij thuajse gjendej e shkruar fjala: ‘Më rekruto!’“.
Por si ia doli pra Putini të arrinte majën më të lartë të pushtetit duke u bërë edhe Presidenti i vendit më të madh të botës? – kjo do të ishte pyetja që do të na shkonte ndërmend menjëherë të gjithëve, sikurse i ka shkuar edhe vetë gazetarit të portalit ukrainas. Dhe për këtë, Schwez e ka sërish një tezë.
Sipas tij: njerëzit që qëndrojnë pas Putinit, e mbanin atë për të dobët. Me të në krye, ata kanë shpresuar që të tërheqin fijet më vonë pas skene. Por, duket se qartazi, kanë kryer një gabim.
Së fundmi, Schwez thotë se një “revoltë pallati” ndaj Putinit mund edhe të ndodhë, pasi bizneset e oligarkëve e të “elitës” së sotme të Kremlinit po vuajnë nga sanksionet perëndimore. Nëse Putini do të qëndrojë deri në fund në pushtet, Rusia ose do të bjerë ose do të shndërrohet në një vend të dorës së tretë, si Koreja e Veriut.