Bota

Ish-zyrtarë të huaj ripunësohen në kompani kineze

Gjithnjë e më shumë të huaj që kanë shërbyer në administratat shtetërore po gjejnë punë në Kinë në sajë të strategjisë së saj pro globalizimit. Ndërkohë, kufizimet ligjore dhe kundërshtimet i bëjnë ata të veprojnë më me maturi.

Francisco Sanchez e vizitonte shpesh Kinën kur punonte si zv./sekretar i tregtisë ndërkombëtare pranë Departamentit të Tregtisë të administratës Obama. Tani, ai është këshilltar i veçantë për një ndërmarrje private kineze investimesh.

“Në vitin 2014, u njoha me sipërmarrësin e kësaj kompanie nëpërmjet një partneri të përbashkët. Kuptova në atë moment se ai është një biznesmen i shkëlqyer, shumë i zgjuar dhe largpamëse”, i tha Sanchezi gazetës “Global Times” për takimin e parë me punëdhënësin e tij të tanishëm.

Ashtu si zoti Sanchez, gjithnjë e më shumë ish-zyrtarë të huaj po punojnë në kompani kineze, në kohën kur më shumë prej tyre po synojnë shtimin e investimeve jashtë vendit.

Ata, me njohje të mirë për Kinën dhe eksperiencë të pasur në trajtimin e bizneseve në vendet e tyre janë punësuar si këshilltarë të lartë pasi e mbarojnë mandatin. Ndër ta, radhiten ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe homologu i tij francez Dominique de Villepin.

Lidhur me këtë fenomen, analistët vënë në dukje se kjo ka të bëjë me faktin që shumë kompani kineze kanë bërë përparim të dukshëm në tregjet botërore.

Moustapha Saphariny, ish-ambasadori palestinez në Pekin erdhi në Kinë për herën e parë në vitin 1968 për të vazhduar studimet në Universitetin e Pekinit për politika dhe teori ushtarake. Tani ai është drejtor i një qendre të informacionit me seli në Kinë. Sipas tij, lidhja 50 vjeçare me Kinën dhe arritjet e jashtëzakonshme të ekonomisë kineze janë arsye kryesore e vijimit të punës aktuale.

“Dua të qëndroj në Kinë dhe të ndihmoj kompanitë kineze të futen në tregjet e huaja jo vetëm për shkak se e njoh mirë Kinën dhe di gjuhën kineze, por edhe shoh dobitë që mund t’u sjellin. Jam i bindur se strategjia e globalizimit të Kinës ofron shans të mirë për vendet arabe”, tha z. Saphariny.

Duke komentuar këta këshilltarë të huaj, z. Song Guoyou, drejtor i Qendrës së Studimeve për Diplomacinë Ekonomike pranë Universitetit Fudan të Shanghait vuri në dukje se ata janë më shumë sesa vetëm këshilltarë të zakonshëm.

“Në përgjithësi, ata i zgjedhin me më shumë kujdes kompanitë me të cilat do të bashkëpunojnë për të evituar rreziqe të mundshme. Ata preferojnë të bashkëveprojnë me kompani që kanë produkte cilësore, shërbim të përsosur dhe imazh të mirë marke”, tha z. Song.

Një ndër arritjet e Saphariny-t është prezantimi me sukses i një ndërmarrjeje kineze të prodhimeve të mishit në tregun arab. “Solla disa ambasadorë ta vizitonin këtë kompani, e cila tani ende luan si një pjesëmarrëse aktive në tregjet arabe. Ndihem mjaft krenar për këtë”, tha ish-ambasadori palestinez.

Ndërsa, për disa ish-zyrtarë të huaj, punësimi në ndërmarrjet kineze shkakton debate. Në gushtin e vitit të kaluar, Andrew Robb, ish-ministri australian i Tregtisë dhe i Investimeve u bë këshilltar ekonomik për Landbridge Group, e cila fitoi në vitin 2015 të drejtën e menaxhimit 99 vjeçar të Portit Darwin të Australisë.

Megjithëse ky biznes u krye një vit para përfshirjes së z. Robb dhe kjo kompani nga provinca Shandong e Kinës Lindore e gjeti atë për të dhënë këshilla gjatë procesit të menaxhimit të mëvonshëm, mediat vendore e kritikuan ashpër vendimin e ish-ministrit.

Ndërkohë, Departamenti i Mbrojtjes i Australisë shprehu shqetësim duke e nxitur zotin Robb të “marrë në konsideratë të kujdesshme” për t’u bërë këshilltar ekonomik për një ndërmarrje kineze sepse forcat detare dhe forcat kufitare të vendit përdorin gjithashtu portin Darwin.

Në fakt, në shumë vende ka rregulla dhe kufizime lidhur me punësimin e ish-zyrtarëve qeveritarë në kompani të huaja. Në ShBA, për shembull, një ish-funksionar nuk mund të përfaqësojë drejtpërdrejt një ndërmarrje të huaj, por duhet të gjejë një agjent lokal.

Përveç këtyre, fitimi ekonomik shkakton debate të shumta. Në vitin 2009, ish-kancelari gjerman Gerhard Schrojder mori kritika nga revista “Der Shpiegel” për marrjen e pagesave të konsiderueshme për krijimin e lidhjeve midis ndërmarrjeve gjermane dhe atyre kineze, pavarësisht faktit që ai nxiti vetëm shitjen e makinerive gjermane të ndërtimit për projektet infrastrukturore që ishin në zbatim e sipër në qytetin Wuhan të Kinës Qendrore.

Kurse, në sytë e Michael Brochmannit, ish-drejtor të Divizionit të Çështjeve Europiane dhe Ndërkombëtare pranë autoriteteve të Shtetit Hessen të Gjermanisë, i cili ka shërbyer dy vjet si këshilltar për degën e Agjencisë së Nxitjes së Investimeve Ndërkombëtare të Kinës (CIPA) në Gjermani, pjesa më sfiduese dhe kryesore e punës së tij qëndron në një nivel më të lartë se bërja e biznesit.

“Atë që po përpiqem të realizoj është të kultivoj një lloj mirëkuptimi reciprok. Shumica e gjermanëve nuk dinë shumë për Kinën dhe disa madje nuk mbajnë qëndrim të mirë ndaj kinezëve. Po punoj për të ndryshuar këtë nëpërmjet forcimit të njohjes”, i tha zoti Borchmanni gazetës “Global Times”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button