Bota

Izraelitët bllokojnë autostradat; protestë mbarëkombëtare kundër planit të qeverisë për gjyqësorin

Protestuesit izraelitë bllokuan autostradat që të çojnë drejt Jeruzalemit, Haifas dhe Tel Avivit, duke filluar kështu të martën protestat mbarëkombëtare kundër planit të qeverisë për reformimin e gjyqësorit, plan i cili ka përçarë vendin.

Demonstratat filluan mëngjesin e të martës, menjëherë pasi koalicioni parlamentar i Kryeministrit Benjamin Netanyahu dha miratimin fillestar për një projektligj që kufizon autoritetin mbikëqyrës të Gjykatës së Lartë, duke vazhduar kështu me ndryshimet për gjyqësorin megjithë kundërshtitë e mëdha në vend.

Projektligji është vetëm një ndër ndryshimet e shumta të propozuara nga aleatët ultranacionalistë dhe ultraortodoksë të zotit Netanyahu. Plani ka provokuar muaj të tërë protestash të vazhdueshme nga kundërshtarët që thonë se vendi po shkon drejt sistemit autoritar.

Aktivistët kundër reformimit të gjyqësorit bënë thirrje për demonstrata mbarëkombëtare gjatë gjithë ditës, përfshirë protesta në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Izraelit, të cilat mund të ndërpresin udhëtimin e pasagjerëve.

Të martën, 300 rezervistë nga njësia kibernetike e ushtrisë nënshkruan një letër duke deklaruar se nuk do të dalin vullnetarë për shërbimin ushtarak, duke shpjeguar se qeveria ka demonstruar “se është e vendosur të shkatërrojë shtetin e Izraelit”.

“Kapacitete të rëndësishme kibernetike me potencialin për t’u përdorur për qëllime dashakeqe, nuk duhet t’i jepen një qeverie kriminale që po prish themelet e demokracisë”, thuhet në letër.

Policia përdori pompa uji për të larguar protestuesit që bllokonin aksin kryesor drejt Jeruzalemit. Oficerët e policisë arrestuan disa persona të tjerë që bllokonin një autostradë pranë qytetit qendror Modiin. Demonstruesit bllokuan një autostradë kryesore në Haifa, me banderola të mëdha që shkruanin “Së bashku do të jemi fitimtarë”, duke komplikuar kështu trafikun përgjatë bregdetit.

Policia tha se 42 persona u arrestuan për prishje të rendit publik gjatë protestave.

Arnon Bar-David, drejtues i sindikatës Histadrut, kërcënoi se mund të mbahet edhe një grevë e përgjithshme që mund të paralizojë ekonominë e vendit.

“Nëse situata arrin në ekstremitet, do të ndërhyjmë dhe do të tregojmë forcën tonë”, tha zoti Bar-David, duke i bërë thirrje zotit Netanyahu që “të ndalë kaosin”.

Sindikata Histadrut bëri thirrje në mars për grevë të përgjithshme kur qeveria kërkonte miratimin e ligjeve për reformimin e gjyqësorit ndërsa protestat vazhdonin prej disa javësh. Greva paralizoi segmente të gjera të ekonomisë dhe e detyroi zotin Netanyahu të pezullonte ndryshimet e propozuara.

Por, ai vendosi për rifillimin e procesit të reformës pas dështimit të bisedimeve me opozitën për arritjen e një kompromisi.

Aleatët e zotit Netanyahu kanë propozuar një seri ndryshimesh për sistemin ligjor të Izraelit që synojnë dobësimin e kompetencave të gjykatësve që nuk zgjidhen nga populli, kompetenca të cilat ata i konsiderojnë të tepruara. Ndryshimet e propozuara synojnë ndër të tjera t’u japin aleatëve të zotit Netanyahu kontroll mbi emërimin e gjykatësve dhe t’i japin parlamentit autoritetin për të rrëzuar vendimet e gjykatës.

Qeveria e zotit Netanyahu, e cila e filloi mandatin në dhjetor, është kabineti me përbërjen më ultranacionaliste dhe ultraortodokse në historinë 75-vjeçare të Izraelit. Aleatët e tij propozuan ndryshimet në gjyqësor pasi vendi mbajti zgjedhjet e pesta brenda katër viteve, procese të cilat u perceptuan si referendume nëse zoti Netanyahu duhej të vazhdonte në detyrën e kryeministrit ndërkohë që gjykohej për korrupsion.

 

Kritikët e reformimit të gjyqësorit thonë se do të prishej sistemi i balancës dhe kontrollit në vend, si dhe do të përqëndrohej pushteti në duart e zotit Netanyahu dhe aleatëve të tij. Ata gjithashtu thonë se zoti Netanyahu është në konflikt interesi pasi ai po gjykohet për akuzat për mashtrim, thyerje të besimit dhe marrjes së rryshfetit, akuza të cilat ai i mohon.

 

Pjesë të mëdha të shoqërisë izraelite u janë bashkuar protestave, përfshirë ushtarakët rezervistë, drejtues të sipërmarrjeve, anëtarë të komunitetit LGBTQ+ dhe pakicave të tjera.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button