Ja çfarë përmban rezoluta për UÇK-në që u miratua në Kuvendin e Kosovës
Në një seancë të jashtëzakonshme Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 61 vota pro rezolutën për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së. Ndërsa, Kryeministri i Kosovës nuk mori pjesë në seancë, deputetët e “Vetëvendosjes” abstenuan në votim.
Ja rezoluta që u miratua nga 61 deputetët.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Duke u nisur nga respektimi i lartë i luftës së UÇK-së për liri dhe pavarësi,
Duke besuar në luftën e drejtë të UÇK-së të luftëtarëve dhe komandantëve të saj,
Të përkushtuar për ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokratik,
Të indinjuar nga tendenca për inkriminim dhe padrejtësi ndaj vlerave të luftës dhe luftëtarëve të UÇK-së, pas debatit të zhvilluar në seancë të jashtëzakonshme, më 27 tetor 2016, nxjerr këtë:
R E Z O L U T Ë
Lufta çlirimtare e Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me qëllim të çlirimit të Kosovës dhe sjelljes së lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës, me karakter mbrojtës dhe çlirimtar, duke e respektuar të drejtën dhe standardet më të larta të luftës, e drejtuar ekskluzivisht kundër forcave ushtarake, policore dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e cila mbrohet dhe çmohet nga çdo qytetar dhe institucion i Republikës së Kosovës;
Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me sakrificën, angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar, në luftën çlirimtare të Kosovës, ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës dhe në këtë drejtim gëzojnë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi;
Republika e Kosovës është e përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, dhe në këtë drejtim çdo tendencë e kujdoqoftë që ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ndërmarrë masa që janë në kundërshtim me parimet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të saj në fuqi dhe për motive jashtë sistemit të drejtësisë, janë të papranueshme;
Sikur çdo qytetar i Republikës së Kosovës, edhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, dhe këto të drejta mund të kufizohen vetëm me ligj dhe vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që në një shoqëri të hapur dhe demokratike të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi;
Kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë, sikur për çdo qytetar të Republikës së Kosovës, ashtu edhe për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të bëhen për qëllime të tjera, përveç atyre për të cilat janë përcaktuar;
Kufizimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë nuk bën ta mohojë kurrsesi esencën e së drejtës së garantuar. Edhe me rastin e dënimeve të Grupit të Drenicës i ftojmë të gjitha institucionet e pushtetit publik dhe sidomos gjykatat që t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe ta shqyrtojnë mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të vogël.
Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, në këtë drejtim edhe në mbrojtjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të drejtat dhe liritë e njeriut, të garantuara me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, duhet të zbatohen edhe për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë të drejtë për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe sikur çdo qytetari u garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi për t’i mbrojtur pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët mund t’u nënshtrohen veprimeve diskriminuese, si rrjedhojë e të qenët pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës u propozon institucioneve të percaktuara me Kushtetute që t’i dekorojë për merita të veçanta komandantët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në pajtim me Ligjin për dhënien e dekoratave.
Kuvendi i Republikës së Kosovës zotohet që brenda 6 (gjashtë) muajve do ta miratojë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim.”