Kosova

Jahjaga vlerëson 20 vitet e UNICEF-it në Kosovë

Këtë vit, dita universale e fëmijëve shënon edhe përvjetorin e njëzet të prezencës së UNICEF-it, të Fondit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, tha sot Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

“Në këto dy dekada shoqëria jonë ka kaluar nëpër periudha të ndryshme, nga ajo e represionit, në atë të luftës dhe më pas në periudhën e ndërtimit të paqes dhe shtetndërtimit”, theksoi ajo.

Jahjaga përkujtoi se, gjatë kohës së represionit serb të drejtat e fëmijëve kanë njohur shkelje të mëdha, ku në shumë raste shëndeti i tyre është vënë në rrezik, mirëqenia e tyre është privuar dhe e drejta e tyre për edukim është mohuar.

“Ndërsa u bë çmos që të drejtat e fëmijëve të mbroheshin, që e ardhmja e tyre të ishte e ndritur, periudha që pasoi, ajo e luftës, mohoi edhe të drejtat e tyre më thelbësore edhe të drejtën për jetë, duke i kthyer ata në refugjatë, në të pastrehë, në jetimë, deri edhe në viktima. Me mijëra fëmijë të pafajshëm humbën jetën gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha Presidentja Jahjaga.

Ajo vijoi se, patjetër që humbjet njerëzore dhe shkatërrimi material që u shkaktuan gjatë luftës ndikuan direkt edhe në mirëqenien dhe mundësitë që fëmijët e Kosovës do të kishin në periudhën e paqes. “Ishte e domosdoshme që kjo periudhë e paqes të shihte edhe respektimin dhe njohjen e plotë të të drejtave të tyre”, theksoi Jahjaga.

Presidentja e Kosovës tha se, ende sot përballemi me sfida të shumta në garantimin e të drejtave të plota për të gjithë fëmijët e vendit pavarësisht vendndodhjes së tyre, përkatësisë së tyre etnike apo specifikave që ato kanë.

“Duhet të njohim këto vështirësi dhe të sigurohemi që politikat tona reflektojnë objektivin e krijimit të një shoqërie, një shteti ku fëmijët gëzojnë të drejtat e tyre të plota dhe ku e ardhmja e tyre është e garantuar”, tha Jahjaga

Fillimisht ajo u shpreh se, sot shënojmë një ditë të rëndësishme, ditën universale të fëmijëve e cila në mbarë botën manifestohet me aktivitete të shumta të cilat kanë si qëllim të promovojnë rëndësinë e garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve pa dallim gjinie, përkatësie etnike apo statusi ekonomik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button