Japonia financon për zgjerimin, financimin dhe digjitalizimin e sektorit rural
Mikrofinanca mbetet një faktor dominues për projektet zhvillimore në zonat rurale. Ekspertët vlerësojnë se misioni i mikrofinancës duhet kuptuar, si në kontekstin e biznesit social, por edhe në zhvillimin e ekonomisë të asaj pjese të përjashtuar nga shërbimet bankare. Qeveria shqiptare me mbështetjen e Japonisë dhe FED invest, synon zgjerimin e financimit dhe digjitalizimin e sektorit rural. Qeveria shqiptare në bashkëpunim me JICA (Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar) dhe FED invest kanë punuar për më shumë se 4 vite, për përfshirjen financiare të fermerëve dhe sipermarrësve të vegjël. Palët zbatuese të Projektit “Përfshirja Financiare e Familjeve të Vogla”, mbështetur nga Japonia, u mblodhën para dy ditesh në një takim në Tiranë për të ndarë arritjet e përbashkëta në lidhje me përfshirjen financiare të sipërmarrësve të vegjël shqiptarë, ku merrnin pjesë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki, Kryepërfaqësuesi i Zyrës së JICA për Ballkanin,Ueki Masahiro, si dhe zyrtarë të ndryshëm qeveritarë dhe të ftuar të tjerë.
Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki, gjatë fjalës së tij, tha se “sot jemi këtu për të festuar si skuader, punën e palodhshme të bërë në një periudhë më shumë se 4 vite e gjysmë, të ekspertëve japonezë dhe shqiptarë për “Përfshirjen Financiare të Familjeve të Vogla” në Shqipëri.” Takada vuri në dukje se një nga shtyllat kryesore të politikës se Japonise per zhvillim, është rritja e sigurisë njerëzore, duke fuqizuar individët dhe komunitetet, përpjekje të cilën a materializojmë në Shqipëri permes këtij projekti për rritjen e aksesit në financa për ata që nuk e kanë pasur këtë mundësi më parë; Banking online në gamën e plotë të shërbimeve, si llogari rrjedhëse, Teknologji e avancuar për menaxhimin e proceseve që lidhen me dhënien e shpejtë dhe pa probleme të kredive për përfituesit në zonat rurale. Kjo konferencë po zhvillohet në vitin që shënon 100 vjetorin e marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe Japonisë. Jam shumë i kenaqur që vijme në këtë 100-vjetor me arritje dhe suksese të tilla”, tha ai, ndersa shtoi se, “kjo sipërmarrje serioze është vetëm fillimi i një rruge të gjatë dhe sfiduese për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm të familjes së pronarëve të vegjël në zonat bujqësore dhe rurale’. “Pala japoneze mbetet e hapur, për të kontribuar më tej në konsolidimin arritjeve dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve që do të sjellin zhvillimin e mëtejshëm bujqësor dhe rural të vendit, nëse një gjë e tillë do të jetë në dëshirën dhe konsideratën e autoriteteve shqiptare” deklaroi ambasadori.
Ministrja Ibrahimaj në fjalën e saj vlerësoi punën e zhvilluar në këto vite për zbatimin e këtij projekti që ka rezultuar i suksesshëm falë bashkëpunimi të shkëlqyer të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, JICA dhe FED Invest. “Nëpërmjet Projektit FIAS është bërë i mundur përmirësimi i përfshirjes financiare të ekonomive dhe fermave familjare në zonat rurale në Shqipëri. Një arritje shumë e rendësishme e këtij projekti, është krijimi i një qendre Agro Biznesi e ngritur në Lushnje (Qendra ABA) nëpërmjet të cilës synohet përmbushja e nevojave të çdo fermeri shqiptar me qëllim zhvillimin e fermave familjare në zonat rurale në Shqipëri, zhvillimin e biznesit dhe ndërtimin e kapaciteteve dhe aftësive financiare”, tha Ibrahimaj. Ibrahimaj theksoi se, “një nga nismat e Qeverisë është “Revolucioni Digjital, për lehtësimin e qytetarit nga pengesat në marrjen e shërbimeve”. Qendra ABA është një shembull që përkon me nismën e Qeverisë për Revolucionin Digjital, ndaj shpresoj që suksesi i nisur i këtij projekti dhe bashkëpunimi të shkëlqyer të shikohet nga Qeveria Japoneze si një mundësi për të vijuar më tej këtë bashkëpunim drejt zhvillimit të përfshirjes financiare, aksesit në financë, edukimit financiar dhe digjital”.
Zana Konini drejtoreshe e projektit FIAS në fjalën e saj vuri në dukje se, përfshirja financiare po merr vëmendje të madhe në axhendat qeveritare të pothuajse çdo vendi. “Covid 19 përshpejtoi risinë dhe prirjet teknologjike, teksa Qeveria e Shqipërisë ka nisur kohët e fundit një proces të digjitalizimit të shërbimit publik, i cili do të ketë efekte të mëdha në jetën tonë të përditshme dhe aksesin në finance”, tha Konini, teksa bëri të ditur se, “projekti FiAS filloi në shkurt të viti 2018 dhe sot në fund të tij rezultatet janë të prekshme jo vetëm në rritjen e përdorimit të produkteve dhe shërbimeve, por edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimit, zgjerimin dhe digjitalizimin e ofertave për anëtarët, Qendrën ABA, edukimin financiar, etj. FED invest është e vendosur të rrisë dhe zgjerojë përfshirjen financiare dhe fuqizimin e Qendrës ABA, bazuar në përvojën dhe instrumentet e zhvilluara në 30 vite dhe të strukturuara më tej gjatë projektit Fias dhe nevojat dhe kërkesat në rritje të fermerëve nga të cilët mbi 90% janë fermerë të vegjël”.
Përfaqësuesi i Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), UEKI Masahiro u shpreh se “është një kënaqësi e veçantë, të pranojmë sot se së bashku me Qeverinë e Shqipërisë, kemi realizuar me sukses zgjerimin e shërbimeve financiare të FED invest, duke rinovuar Sistemin e tyre Bankar (CBS), si dhe pajisjen me teknologjinë e informacionit të cilat tashmë mund të ofrojnë akses financiar, me një sërë produktesh dhe shërbimesh, si shërbime pagesash, çeqe, mobile banking, për ata individë dhe grupe sociale që deri vonë nuk kanë përfituar këto shërbime”. “Objektivi tjetër shumë i rëndësishëm i këtij projekti ishte ngritja dhe funksionimi i një qendre për ofrimin e shërbimeve të informacionit. Sot, ne kemi tashmë në funksion Qendrën ABA, si një pikë kyçe e informacionit, njohurive dhe zhvillimit të kapaciteteve, aksesit në treg, që ndihmon në plotësimin e nevojave të çdo fermeri shqiptar”, tha ai.
Përmes bashkëpunimit ndërmjet ekipit zbatues shqiptar dhe japonez, projekti ka kontribuar me sukses në përmirësimin e përfshirjes financiare të familjeve të vogla rurale në Shqipëri. Projekti e arriti këtë duke zhvilluar produkte të reja financiare dhe shërbime jo financiare që i përgjigjen në mënyrë fleksibile nevojave të fermerëve. Kjo është mundësuar duke forcuar kapacitetet e Shoqërisë së Kursim Kreditit, FED invest, për të ofruar shërbime financiare në zonat rurale të vendit. Fokusi i zhvillimit të kapaciteteve të Projektit përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh, nga përmirësimi i kapacitetit të IT-së të FED invest deri te trajnimi i stafit bazuar në parimin klienti në qendër, si dhe ofrimi i edukimit financiar dhe digjital për fermerët.
Projekti ka qenë i dobishëm në zhvillimin e Qendrës ABA dhe platformës së saj digjitale ABA online, e cila i është përkushtuar ofrimit të informacionit jo-financiar dhe shërbimeve të nevojshme për fermerët e vegjël. Projekti gjithashtu ofroi mbështetje për blerjen e inputeve bujqësore nga fermerët e vegjël gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 në mënyrë që të inkurajojë investimet e tyre të vazhdueshme në bujqësi. ABA online është ‘shërbim jo financiar’ i zhvilluar me mbështetjen e Projektit te JICA. FED invest është institucioni i parë mikro-financiar, pionier, i krijuar në Shqipëri në vitin 1992. Anëtarësia e FED invest përfshin fermerë, sipërmarrës të vegjël, familje rurale dhe periferi urbane të përjashtuara nga shërbimet financiare. FED invest mbulon të gjithë territorin e Shqipërisë, me 62 degë në gjithë vendin, një prani e fortë rurale në më shumë se 2500 fshatra, tashmë e plotësuar me kanale digjitale dhe shërbime digjitale. Si lider në ofrimin e zgjidhjeve financiare të përballueshme për popullsinë rurale, FED invest ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë, me mbi 200 mijë kredi dhe gjysmë miliardë euro të injektuara në ekonomi gjatë 30 viteve të ekzistencës së saj. Ndërsa sot numërohen mbi 75 mijë fermerë të përfshirë në skemën e financimit me kreditim dhe shërbime financiare në 4 vitet e fundit. Ekonomia shqiptare bazohet në një segment të madh të bizneseve bujqësore dhe familjare dhe 45% e popullsisë banon në zonat rurale. Shkalla e përfshirjes financiare në Shqipëri është e ulët. Vetëm 38% e njerëzve mbi pesëmbëdhjetë vjeç kanë llogari bankare në institucionet financiare formale, duke lënë shumë familje pa llogari në këto institucione. Projekti ka punuar në drejtim të përmirësimit të jetesës së 75 mijë fermerëve të vegjël përmes rritjes së kapacitetit të FED invest dhe përmirësimit të shërbimeve që u ofrohen atyre.
A. Selimi