Jeto dhe lër të vdesin !
Nga Urim Qinami
Një idiomë kineze thotë: jetofsh në kohë interesante. Dhe është mallkim. Në fakt, është një periudhë interesante për studiuesit dhe komentatorët e politikës ndërkombëtare. Çdo ditë duhet të mendojnë për çfarë të shkruajnë. Rrëmuja politike në Lindjen e Mesme dhe ISIS, terrorizmi ndërkombëtar, paqëndrueshmëria në Afrikën Veriore, marrëveshja nukleare me Iranin, kriza në Ukrainë, zgjerimi ekonomik i Kinës dhe mundësia e shpërthimit të flluskës së saj ekonomike, riarmatimi i Japonisë, mundësia e një agresioni të çmendur të Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut apo një sulm parandalues, po aq i çmendur, i Koresë së Jugut kundër simotrës së saj veriore etj., etj.
Ndërkohë që mendojmë për temën që do të shkruajmë, në sfond lëvizin tendenca globale më shqetësuese se tematikat e lartpërmendura. Sipas OKB-së, në vitin 2050, popullsia botërore do të jetë 9.7 miliardë banorë, ndërsa në fund të këtij shekulli, rreth 11.2 miliardë. Rasti më eklatant është Nigeria, e cila nga një popullsi aktuale prej 165 milionë banorësh, në fund të shekullit do të arrijë një popullsi sa i Bashkimit Europian, me rreth 750 milionë banorë, ndërsa Jemeni, i pozicionuar në një nga zonat më të thata të planetit, në vitin 2100 do të ketë një popullsi prej 100 milionë banorësh (nga 25 milionë që ka aktualisht).
Një kanadez, aktualisht, ka një kërkesë konsumi vjetor prej 437 herë më të lartë kundrejt një kërkese të jemenitit. Në fakt jemeniti, aktualisht, ka vetëm një kërkesë në jetë: UJIN. Por, nëse 7.4 miliardë banorët e planetit zgjedhin të jetojnë me standardet e jetesës europiane – që është gjysma e konsumit mesatar amerikan – planeti ynë do të ishte në gjendje të thyente urinë dhe të shuante etjen e vetëm 2 miliardë personave. Nëse 7.4 miliardë banorë do të kishin standardin e jetesës kanadeze, njerëzimit do t’i nevojiteshin pesë planetë si Toka. Pjesën e luanit të rritjes së popullsisë botërore do ta përjetojë kontinenti i Afrikës dhe, si rajoni më i varfër i planetit, sigurisht që brezat e ardhshëm afrikanë do të synojnë largimin nga vendi i tyre për një jetë më të mirë.
Përpos këtij fakti, mediat perëndimore janë të zëna të shkruajnë ekskluzivisht për terrorizmin si fenomen (me të drejtë) apo për impaktin që fluksi i refugjatëve do të ketë në vendet e tyre dhe për reagimet ligjore e logjistike të këtyre vendeve ndaj fenomenit në fjalë. Në të vërtetë, kriza e refugjatëve nuk është një fenomen i kohëve të fundit. Është vetëm për Europën dhe Perëndimin në përgjithësi, pasi, në fund të 2014-s, vetëm 14% e refugjatëve në mbarë botën synonin të arrinin vendet e industrializuara, të cilët nuk ishin ekskluzivisht sirianë, afganë apo irakianë. Personat që kërkojnë azil në Europë vijnë nga 149 kombësi të ndryshme.
Kasandra mendonte gjithmonë të keqen, por nganjëherë e qëllonte. Është një periudhë që vlera e jetës së njeriut përcaktohet nga standardi ekonomik dhe zhvillimi industrial i vendit të origjinës së viktimave. Turqit janë më pak të rëndësishëm, sirianët sigurisht, mos të flasim për afrikanët, të cilët me të vërtetë janë pa rëndësi. Por terrorizmi është një formë dhune që karakterizohet nga depersonalizimi i viktimës. Nuk ka të bëjë me kombësinë, racën, gjininë, fenë apo kulturën dhe identitetin. Në këto rrethana, është e pritshme që të ekzistojë një skepticizëm i vendeve perëndimore ndaj refugjatëve që u largohen vatrave të konfliktit. Por, në gjykimin tim, nuk është kjo çështja, çështja qëndron në hermetizimin e kulturës politike të vendeve perëndimore në pranimin dhe reagimin ndaj zgjidhjes së këtij problemi global.
Në mars të vitit 1976, Michel Foucault parashikoi ardhjen në jetë të një logjike të re qeverisëse në vendet liberal demokratike perëndimore. E quajti biopolitika. Sipas filozofit francez, në ato vite vendet perëndimore po bëheshin të fiksuara ndaj shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve të tyre, të tilla si: promovimin e ushqimit të shëndetshëm, promovimin e politikave kundër konsumit të duhanit dhe alkoolit, parandalimin e kancerit në gji, sensibilizimin e popullatës dhe shpërndarjen e informacioneve mbi probabilitetin e rrezikut të kësaj apo asaj sëmundjeje etj.
Të sqarohemi: Foucault nuk ka pohuar kurrë se kjo ishte diçka e gabuar. Në fund të fundit shpëtonte jetë njerëzish. Por ai paralajmëroi se përkushtimi i madh ndaj këtij problemi nga ana e qeverive perëndimore ndaj shëndetit dhe pasurisë së popullsisë së tyre, për inerci, do të shkaktonte një përjashtim të atyre që nuk kishin të drejtë, nuk kishin mundësi apo nuk ishin pjesë e këtij programi rreth mirëqenies shëndetësore. Ndryshe nga e kaluara, edhe e kaluara e largët, kur europianët luftonin për të drejtën dhe për motive morale, hartonin ligje dhe i anulonin për motive morale. Sakrifikoheshin, mendonin për të tjerët, kujdeseshin për nevojtarët, bënin gjëra konkrete pa qenë mendjemëdhenj, kishin ekonominë më të fortë në botë, krijonin risi, kanë bërë progrese teknologjike të paimagjinueshme, kanë eksploruar universe, shëruar sëmundje, u kanë dhënë jetë artistëve më të mirë në botë, aspironin inteligjencën, përqafonin dijen – e adhuronin – reagonin si njerëz të mëdhenj, ishin me të vërtetë ambiciozë dhe nuk ndiheshin inferiorë dhe kaq të frikësuar.
Pas viteve ’70 ndryshuan gjërat dhe për pasojë, politika perëndimore e bazuar mbi konsumin, sipas Foucault, ka ndikuar dhe kontribuuar në rritjen e një gjenerate perëndimore të izoluar dhe pak të ndjeshme ndaj ngjarjeve që ndodhnin larg vendit të tyre. Në këtë logjikë përjashtuese, Foucault pohonte se sa më shumë një shtet përqendrohet në mirëqenien e popullatës së saj, aq më shumë rritet probabiliteti dhe krijon kushtet për vdekjen e të tjerëve: i quajti njerëz jashtë sistemit.
Ky paradoks nuk ka qenë kurrë më i gjallë sesa në ditët aktuale ku asistojmë qindra mijëra njerëz që kërkojnë azil në Europë. Është e habitshme të mendojmë që vendet e Europës Perëndimore, të cilat kanë harxhuar kohë dhe materiale për të përmirësuar shëndetin e popullsisë së tyre, sot krijojnë barriera ligjore dhe logjistike për të penguar njerëzit (jashtë sistemit) të arrijnë një jetë më të mirë ose më saktë mundësinë për të pasur një jetë. Përballë kësaj fatkeqësie, çfarë bëjnë vendet e Europës Perëndimore?
Pikërisht atë që pati parashikuar Foucault 40 vjet më parë. Pengimin apo përjashtimin e refugjatëve, në mënyrë që të dërgojë një mesazh sa më të qartë pengese. Por, qeveritë europiane kanë nënvlerësuar dëshpërimin e personave dhe për pasojë, politikat penguese të vendeve Perëndimore ndaj këtij fenomeni thjesht nuk do të funksionojnë. Do të ishte njerëzore që Perëndimi të kontribuonte për ndalimin e konfliktit jo të pengonte viktimat e luftës, të luftonte pabarazinë sociale jo shtresat në nevojë, të luftonte varfërinë jo të varfrit, e kështu me radhë.
Dhe, siç po ndodh në ditët tona, me valën e emigrantëve që ka kapluar kontinentin e vjetër, fluksi emigrator në vitet e ardhshme do të jetë për mbijetesë, por në të ardhmen, ky fluks nuk do të përfshijë vetëm kontinentin e vjetër, nuk do të ketë të bëjë me vështirësitë që emigrantët hasin në territorin e vendeve transite ballkanike apo me tragjeditë që shkakton deti Mesdhe. Në të ardhmen do të përjetohen të njëjtat pasoja, por në shkallë botërore.
Hapi i parë për të zgjidhur një problem është të pranosh se ekziston një i tillë: nuk është çështje konfliktesh, është çështje pabarazie sociale.