Kronika

Julian Sinanaj i bëri një atentat vëllait të Brahimajt, herën e dytë nuk pranoi

makinaFamilja Brahimaj ka qenë e shenjëstruar kohë më parë për t’u ekzekutuar. Dy vitet e fundit sulmet ndaj dy vëllezërve janë intensifikuar ndjeshëm, madje janë përdorur edhe eksploziv për eliminimin e tyre fizik. Por, fati duket se i ka shpëtuar deri ditën e djeshme, ndërsa drejtësia ka filluar menjëherë punën për identifikimin e autorëve të mundshëm të vrasjes së Isuf Brahimajt. Burime nga Policia e Shtetit thanë se për ekzekutimin e vëllait të viktimës së djeshme do të pyetet edhe Julian Sinanaj, i cili njihet si një nga vrasësit me pagesë, në Shqipëri dhe Greqi. Deri më tani, akuza ka faktuar se Sinanaj ka vrarë të paktën dy persona, ndërsa është i përfshirë në disa atentate të tjera, ndër të cilat edhe sulmi me eksploziv ndaj vëllait të Isufit. Policia thotë se Sinanaj mund të tregojë të paktën urdhëruesit e këtij atentati, pasi edhe më parë ata kanë tentuar ta vrasin, por pa ia dalë dot mbanë.

Në listën e vrasjeve…

Emri i Isuf Brahimajt dhe vëllait të tij, kanë qenë në listën e Julian Sinanajt për t’u ekzekutuar. Të paktën këto janë dyshimet kryesore të hetuesve të çështjes, të cilët kanë avancuar me hetimin e atentatit të djeshëm. “Nga dëshmitë e mëparshme të Julian Sinanajt kemi mësuar se ai ka pasur në ‘listë’ edhe Isuf Brahimajn dhe vëllain e tij. Madje, një atentat e ka kryer, më datë 31 gusht 2013, kur një motoçikletë e familjes Brahimaj ka shpërthyer. Fatmirësisht, në atë kohë nuk ka pasur viktima, ndërsa Sinanaj ka marrë porosi edhe herë të tjera për Brahimajt, por nuk e ka kryer këtë atentat. Mësohet se ka qenë porosia e një prej dy kushërinjve Mëhillaj për atentatet ndaj familjes Brahimaj”, pohojnë burimet nga Policia e Shtetit. Sipas tyre, ka dyshime se Julian Sinanaj ka refuzuar ekzekutimin e anëtarëve të familjes Brahimaj, ndërsa policia do të kërkojë prova të tjera nga vrasësi me pagesë. Do të kërkohet me ngulm se kush ishin porositësit e mëparshëm të këtyre ekzekutimeve, për të shkuar më pas tek autorët. Megjithatë, konfliktet në Itali të viktimës së djeshme dhe çështjet e pronave po shikohen me përparësi, për të zbardhur ekzekutimin. “Sinanaj na ka treguar se ka refuzuar ekzekutimin e pjesëtarëve të familjes Brahimaj, pasi njihte njërin prej tyre. Madje, ka refuzuar edhe një pjesë të mirë të parave, prej 25 mijë eurosh, të cilat ia kishte borxh një nga kushërinjve Mëhillaj”, thanë burimet nga policia.

Pronarë hoteli

Policia ka ngritur disa pista për ekzekutimin e djeshëm të Isuf Brahimajt, si konfliktet e drogës në shtetin italian mes dy vëllezërve Brahimaj dhe personave të tjerë. Por, po hetohen edhe disa konflikte pronash, kryesisht në zonat e bregdetit në Rrethin e Vlorës, ku familja Brahimaj kishte edhe një hotel, që do e inauguronte ditët e ardhshme. “42-vjeçari, Isuf (Kokaj) Brahimaj, është pronar i një hoteli në zonën e Jonufrës që pritej të inaugurohej këto ditë. Isufi kishte ndërruar mbiemrin kohët e fundit, pasi mbiemri i vërtetë është Isuf Brahimaj”, thanë burimet policore.

Intervista 

Arbeni: Trupi i drejtuesit të mjetit ishte copëtuar. Vajza dridhej dhe rënkonte 

Dëshmitari okular: Skena më ngjasoi me shpërthimet në Siri dhe Irak

Dëshmitë – Banorë të zonës janë shprehur të tmerruar nga skena që kanë parë si dhe tmerri që kanë kaluar. Gjithkush ka menduar për momentin se, shpërthimi kishte ndodhur në shtëpinë e tyre, sepse janë thyer shumë xhama të shtëpive. “M’u tund shtëpia nga shpërthimi” u shpreh nja kalimtar. Ndërsa një tjetër tha se iu trembën të gjithë familjarët, pasi në atë orë ishin në gjumë

Një nga pronarët e një biznesi afër vendit të ngjarjes ka treguar tmerrin që ka parë mëngjesin e së enjtes, në rrugën transballkanike në qytetin e Vlorës. Ai ka pohuar se ende nuk e beson diçka të tillë, ndërsa thotë se skena u ngjasonte ngjarjeve në Irak apo Siri, ku përditë raportohen për shpërthime me eksploziv. Arbeni ka qenë një nga personat e parë që ka shkuar në vendngjarje dhe i ka dhënë ndihmën e parë Ornelës, e cila është djegur në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa është në gjendje të rëndë për jetën në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Ai thotë se ka ndier një shpërthim të fuqishëm që në orët e para të mëngjesit, në momentin që po hapte qepenin e dyqanit të tij. Nga zhurma e madhe ka menduar se shpërthimi mund të ishte në pronën e tij, por ka parë që një makinë ishte në flakë, ndërsa krahas të plagosurës, ka parë të copëtuar trupin e drejtuesit të mjetit. Në një intervistë për Shqip rrëfen çastet e para të këtij atentati me eksploziv.

Si ndodhi ngjarja?

Ishte momenti që sapo kisha hapur qepenin dhe u futa në dyqan, dëgjova një shpërthim të fuqishëm. Disa copa erdhën deri para lokalit. Në moment thashë se shpërthimi ndodhi në shtëpinë time, por, kur dola jashtë lokalit pashë se kishte shpërthyer një makinë.

Çfarë bëtë pasi patë se kishte shpërthyer makina?

I tronditur, u drejtova për te makina, por, disa metra larg makinës, pashë një vajzë të shtrirë dhe të mbuluar gjithë gjak. Pranë saj erdhën edhe persona të tjerë si dhe pas pak, forca të policisë. Ndërkohë, erdhi edhe një autoambulancë dhe së bashku hipën vajzën në ambulancë, për ta dërguar më pas në spital.

Fliste vajza në atë moment?

Jo, vetëm rënkonte dhe dridhej si pasojë e plagëve dhe djegieve që kishte marrë në trup…

Më pas çfarë bëtë?

Shkova te makina, së bashku me persona të tjerë. Në makinë, e cila ishte përfshirë në tym dhe flakë, pamë se një person kishte vdekur, në sediljen e shoferit, thuajse, i copëtuar, sa organet e brendshme të trupit kishin dalë dhe ishin në sedilje. Pasi shuam flakët, me ndihmën edhe të zjarrfikësve, e cila mbërriti pas disa minutash, u largova nga makina, sepse po më dridhej i gjithë trupi nga tmerri që pashë me sy.

Çfarë menduat në ato pak minuta, në atë skenë të tmerrshme?

S’pata kohë të mendoja asgjë, veçse t’u jepja ndihmë të plagosurve. Jam tronditur tmerrësisht, për momentin m’u duk vetja sikur isha në Irak apo në Siri, ku shohim çdo ditë skena shpërthimi dhe tmerri. Bisedoi: M.Marsi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button