Juncker kërcënon Budapestin: S’keni vend në BE nëse fusni dënimin me vdekje
Kryeministri hungarez ka kërkuar një debat mbarëpopullor në lidhje me rifutjen e dënimit me vdekje në vend, duke marrë shkas nga një vrasje e ndodhur pak kohë më parë, e cila shkaktoi tronditje mbarëpopullore. Kryekomisioneri i BE-së është i shqetësuar dhe paralajmëron pa doreza liderin konservator, që shpesh ka sjellë kokëçarje për Brukselin: “Kush rifut dënimin me vdekje, nuk ka vend në Bashkimin Europian”.
Ai është vënë shpesh në qendër të kritikave të Brukselit dhe populli prej kohësh i del në rrugë për t’i kërkuar “t’i mbetet besnik rrugës europiane”. Ndërkaq, fjalë të qarta kërcënuese vijnë nga kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker: Ai paralajmëron në mënyrë të prerë Hungarinë që të heqë dorë urgjentisht nga synimet e parashpallura për të risjellë dënimin me vdekje.
Vendi europianoqendror kërcënohet të përjashtohet nga Unioni prej 28 vendesh – në të cilin ai hyri 11 vite vjet më parë, pasi kish lënë pas vitet e gjata të komunizmit dhe disa vite tranzicioni të vështirë – nëse Kryeministri i këtij vendi, Viktor Orban, do të këmbëngulë për këtë amendament, tha Juncker së fundmi për një gazetë gjermane.
“Kush e ligjëron dënimin me vdekje, nuk ka vend në Bashkimin Europian.” Kjo do të përbënte një arsye të qartë për t’u ndarë prej tij.
Shkak u bë vrasja e një 21-vjeçareje
Hungaria në muajin prill të këtij viti, pak ditë pas vrasjes së një shitëseje të re 21-vjeçare, solli në rend të ditës sërish diskutimet për rifutjen e dënimit me vdekje në vend. Orban tha se do ta vendoste diskutimin për aplikimin e dënimit me vdekje në rend të ditës së axhendës së tij politike.
Kryeministri hungarez ka kërkuar si pasojë një debat të ri, pasi ashpërsimet e fundit që i janë bërë të drejtës penale të deritanishme, me ç’duket kanë qenë të pamjaftueshme.
Dënimi me vdekje, sipas marrëveshjeve të nënshkruara nga çdo vend anëtar i BE-së, janë të ndaluara në këtë njësi të madhe politiko-ekonomike heterogjene, që regjistron edhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut në mbarë rruzullin. Hungaria kishte hequr dorë nga dënimi me vdekje pak para anëtarësimit në Bashkimin Europian, në vitin 2004.
Orban sjell vazhdimisht shqetësime për Brukselin
Sipas analistëve, Kryeministri hungarez Orban ka sjellë shpesh shqetësime, provokime apo debate në gjirin e BE-së. Kësisoj, së fundmi i erdhi radha debatit për dënimin me vdekje, pasi vetëm pak ditë më parë ai ishte shprehur kritik edhe ndaj sistemit me kuota për shpërndarjen e refugjatëve apo emigrantëve që shkelin në një mënyrë të paligjshme territorin apo le të themi më mirë, detet e BE-së.
Duke i cilësuar ato hapur si një “marrëzi” e mos kursyer kështu aspak gjuhën pa doreza ndaj krerëve apo planeve që farkëtohen në Bruksel, ai hapur ka sfiduar edhe krerët e rinj të Brukselit, sikurse kish bërë edhe me paraardhësit e tyre.
Kritikët e akuzojnë Orban para së gjithash për shkak të “reformave” në drejtësi dhe media, si dhe ndjekjen e synimeve antidemokratike dhe kufizimin e të drejtave të qytetarëve.
Merkel e ndihmoi të thyente izolimin
Për një kohë të gjatë, ai u duk se u izolua nga liderët e BE-së derisa në shkurt 2015 atë e vizitoi Kancelarja gjermane, Merkel, çka solli dhe një “thyerje të akujve” edhe me Brukselin, por vizita e Putinit që u zhvillua pak ditë pas asaj të zonjës Merkel në Budapest dhe sidomos retorika e tij pozitive ndaj politikave të Putinit e madje një lloj adhurimi i tij në lidhje me këtë të fundit, sollën edhe një valë të re kritikash në vend e jashtë tij.
Në atë kohë, sikurse kishin bërë shpesh edhe herë të tjera gjatë qeverisjes së konservatorëve në Budapest, mijëra hungarezë protestuan përpara selisë së Parlamentit të vendit, duke i kërkuar qeverisë të respektojë marrëdhëniet me vendet perëndimore.
Orban merr si shembuj Rusinë dhe Turqinë
Perëndimi e pati ngritur me kohë alarmin, ndërsa Partia e qendrës së djathtë Fidesz, e udhëhequr nga Orban, pati tentuar forcimin e lidhjeve me Rusinë në kohën që konflikti në Ukrainë ishte përshkallëzuar dukshëm.
Protestuesit nëpërmjet parullave, pankartave dhe thirrjeve kërkonin që Hungaria të qëndrojë brenda familjes europiane dhe larg orbitës së Kremlinit. Ata kërkonin largimin e Kryeministrit Orban Fidesz, duke e akuzuar për kufizim të lirive demokratike, korrupsion dhe konflikte diplomatike me Perëndimin. Mes mesazheve të ndryshme të shkruara në pankartat e tyre, protestuesit shkruanin “Angela na ndihmo!”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në shkurt gjatë vizitës së saj i bëri thirrje Kryeministrit të Hungarisë që ta vlerësojë më shumë rolin e opozitës, shoqërisë civile dhe mediave.
“Shoqëritë tona lulëzojnë kur këto grupe luftojnë me njëra-tjetrën për të gjetur një mënyrë më të mirë për të ecur përpara”, pati deklaruar “Zonja e Hekurt” në Budapest, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Viktor Orban më 2 shkurt të këtij viti.
Gjatë një fjalimi në korrik të vitit të shkuar, Orban, duke marrë si shembuj Rusinë dhe Turqinë, pati thënë madje se dëshironte ta braktiste demokracinë liberale në favor të një shteti “joliberal”.