“Kafazi” i KLP-së për Olsi Dadon, një presion për të mbajtur fasadën e statistikës së drejtësisë në këmbë
Ka të drejtë. Jo sepse e thotë vetëm Veliaj, por sepse e thotë një i akuzuar që pretendon se ai që e akuzon nuk ka legjitimitetin për ta bërë këtë.
M’u kujtua fiks Bedri Spahiu, kur tha se ishte vënë kryetar i gjyqeve më të rëndësishme ndërkohë që nuk dinte asgjë se si bëhej një gjyq.
Në fakt, është flagrante sesi KLP nuk ka nxjerrë asnjë vendim për prokurorin special të SPAK, Olsi Dado, lidhur me legjitimitetin e tij si ushtrues i ndjekjes penale në Republikën e Shqipërisë.
Është flagrante sesi KLP mban në kafaz të vërtetën e kësaj çështjeje, ndërkohë që ky prokuror është servirur në publik si akuzuesi i një zyrtari të lartë publik, madje si akuzuesi i zyrtarit më të lartë që u servir në Bruksel si një nga statistikat e Reformës në Drejtësi për të manipuluar mbështetësit ndërkombëtarë të drejtësisë se gjoja “kapen peshqit”, por në fakt po kapen të vërteta që po nxjerrin ujë deformimin e veprimtarisë së drejtësisë së re.
Tani, me çfarë kemi të bëjmë për publikun që nuk e di?
Pyetja nuk është më nëse Erion Veliaj është fajtor apo jo. Kjo është çështje gjykate. Pyetja reale është tjetër, a mundet një prokuror të ushtrojë pushtet penal mbi një qytetar, kur vetë legjitimiteti i tij po kundërshtohet në gjykatë dhe institucionet refuzojnë ta sqarojnë?
Këtu nis problemi i madh i Reformës në Drejtësi. Jo tek propaganda, jo tek statistikat e “peshqve të mëdhenj”, por tek momenti kur institucionet fillojnë të mbrojnë veten dhe jo ligjin.
KLP, organi që duhet të garantojë ligjshmërinë e statusit të prokurorëve, jo vetëm që nuk ka dhënë një vendim të qartë për Olsi Dadon, por kërkon edhe që pala që e ngre këtë pretendim të mos legjitimohet fare në proces. Pra, organi që duhet të ndihmojë zbardhjen e së vërtetës juridike, po sillet si gardian i saj.
Edhe më rëndë bëhet kur pretendohet se KLP nuk ka marrë asnjë vendim formal për këtë çështje, ndërsa në emër të saj flitet në gjykatë sikur vendimi ekziston. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi hyrë në fazën ku institucionet nuk funksionojnë më mbi akte dhe përgjegjësi, por mbi harmonizim për të mbrojtur njëri-tjetrin.
Nëse sot mbrohet me çdo kusht një prokuror vetëm sepse prek një “çështje të madhe”, atëherë mesazhi është i qartë, fasada e suksesit të Reformës është më e rëndësishme se ligjshmëria e vetë procesit.
Prandaj kjo histori nuk është më vetëm për Veliajn apo Dadon.
Është një provë nëse drejtësia e re pranon të kontrollojë vetveten, apo nëse është kthyer në një pushtet që kërkon besim absolut pa dhënë llogari.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.