☁️
Tiranë 27°C · Vranët 02 June 2026
S&P 500 7,600 ▲0.26%
DOW 51,079 ▲0.09%
NASDAQ 27,087 ▲0.42%
NAFTA 91.33 ▼0.9%
ARI 4,546 ▲0.89%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097 EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097
₿ CRYPTO
BTC $69,024 ▼ -3.97% ETH $1,977 ▲ +0.04% XRP $1.2650 ▼ -2.57% SOL $79.0000 ▼ -1.73%
S&P 500 7,600 ▲0.26 % DOW 51,079 ▲0.09 % NASDAQ 27,087 ▲0.42 % NAFTA 91.33 ▼0.9 % ARI 4,546 ▲0.89 % S&P 500 7,600 ▲0.26 % DOW 51,079 ▲0.09 % NASDAQ 27,087 ▲0.42 % NAFTA 91.33 ▼0.9 % ARI 4,546 ▲0.89 %
EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097 EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097
02 Jun 2026
Breaking
Opinion

Patriotizmi i Zvërnecit u ‘shua’ nga Athina. Hetim i rrezikshëm nga SPAK?!

Nga Jakin Marena

Protestat jashtë partive politike për një vend normal dhe demokratik janë gjë e mirë, janë shëndet demokracie dhe mbi të gjitha ndikojnë fort në mirëqeverisjen e vendit! Nga cilido grupim që organizohet dhe në drejtim të cilësdo qeverie, pavarësisht kahjeve, i drejtohet!

Edhe protesta për Zvërnecin, parë në planin ‘macro’, është një zhvillim pozitiv, për shkak se partitë e mëdha janë mbajtur larg këtij tubimi! Pavarësisht zanafillës nga një veprim ordiner i një polici privat, që shkoi deri në gomarllëk me atë veprimin e panevojshëm, e drejta për të protestuar është një aset i jashtëzakonshëm demokratik!
Dhe një protestë e kryen misionin e vet, pas realizimit të kërkesave për të cilat ishin nisur që në krye të herës!

Qeveria nga ana e saj i mori masat, u hoqi licensat kompanive private, policia shkarkoi gjithë zinxhirin komandues të policisë së Vlorës, këtë grup sehirxhinjsh të cilët nuk ndërhynë kur po dhunohej një qytetar që po protestonte! Prokuroria e bëri punën e vet, e dërgoi në gjykatë personin që ushtroi dhunë dhe kjo e fundit e la në arrest! Deri këtu në rregull!

Por pikërisht atëherë kur mendohej se gjithçka po shkonte drejt normalizimit, filluan të dalin në dritë axhenda të tjera, të një konglomerati grupesh, grupimesh, shoqatash e deri ndërhyrje nga bota e fqinjësisë së ‘mirë’, e cila kurrë nuk e harron vesin, për t’u ankuar deri në Parlamentin Evropian se po ‘rrëmbehn pronat e minoritetit grek në “Zvërnec”! Për të mirën e tonë po përpiqet, për të mbrojtur territorin shqiptar, sikurse thotë!

Protesta u zhvendos në Tiranë, një protestë masive që drejtohej kryesisht nga shoqëria civile dhe në pamje të parë me disa marksistë nëpër të, sa për të ‘prishur syrin e keq’, por për axhendën e tyre politike të luftës ndaj çdo investimi të huaj në Shqipëri, me pretendimin se po shitet e blihet vendi tek ‘kapitalizmi gjakpirës’. Ndërsa shqiptarët, për këta marksistë, minimumi duhet të jenë si në kohën e Enver Hoxhës që i ndaloi me ligj huatë dhe investimet e huaja, dhe maksimumi për të ruajtur vendin nga grabitja dhe mjedisin nga ndotja, të përdornin gjethin për të mbuluar pjesët intime të trupit! Deri këtu arrihet!

Tashmë sloganet ndryshuan, ndërsa kërkesat u rritën dhe gjithë shigjetat u drejtuan tek investimi i madh i huaj prej 4.5 miliardë dollarësh në Zvërnec! Nga një ndër kompanitë më të mëdha në botë, jo izraelite sikurse kishin marrë dhenë legjendat urbane por një bashkëpunim mes një biznesi të fuqishëm nga Katari dhe Jared Kushner e Invanka Trump, dhëndri e vajza e preferuar e presidentit amerikan, Donald Trump!

Rrallë herë ishin përputhur interesat ekonomike dhe në shërbim të turizmit elitar shqiptar përmes kompanive të mëdha botërore që hidhnin lekë në Shqipëri, dhe interesave strategjike, të bashkëpunimit me aleatët tanë të mëdhenj! Investim amerikan ky! Pikërisht këtu me sa duket lindi dhe reagimi, ku u përzien bashkë xhelozia shqiptare dhe ballkanike, inati shqiptar dhe sponsorizimi ballkanik, e akoma më larg deri rus, vetëm e vetëm për ta zhbërë këtë investim dhe për të realizuar si herët e tjera zhvendosjen e tij në vendet fqinje! Shembujt janë të kohëve të fundit, ku në vitin 2006 një investim i planifikuar në Durrës u zhvendos në Malin e Zi dhe herën tjetër investimi i Kakomesë përfundoi diku tjetër, po te fqinjët tanë! Gjysma e tij më saktë!

Me gjithë sqarimet direkte të kryeministri Edi Rama, i cili tha se ende nuk ka një projekt, por po përpunohet në disa studio të mëdha, si dhe të gjitha sqarimet e tjera se çdo gjë po operohet sipas ligjit dhe në funksion të përfitimit të shtetit shqiptar, me gjithë faktin se toka është me titull pronësie këtu e mbi 25 vite dhe për më tepër nuk është goditur asnjëherë në gjykatë nga banorët apo dikush tjetër, sërish protesta vijoi nën thirrjet ‘Shqipëria d’është në shitje’ e gjëra të tjera të këtij lloji! E drejtë e tyre protesta, e shoqatave dhe grupeve të interesit! Madje dhe e marksistëve!

Por kori i patriotizmës, normale për një shoqëri ballkanike sikurse është ajo shqiptare, pësoi disa ‘njolla’ të errëta, të cilat nuk kaluan pa u vënë re! Në fillim u përzie Athina zyrtare, e cila reagoi për një shtetas të saj në Shqipëri, i cili ishte dhunuar nga polici privat! Mirë bëri, pasi personi në fjalë kishte dhe shtetësi shqiptare por dhe shtetësi greke! Ama deklarata se po preken homogjenët grekë në Zvërnec dhe po u merren pronat e tyre nga qeveria, habiti jo vetëm shqiptarët por dhe vetë minoritarët, të cilët e dinë se janë të shtrirë poshtë Vlorës, dhe jo sipër saj!

Pastaj i vuri ‘vulën’ progonatasi i greqizuar Fredi Bejleri, këtyre u duhet bërë testi i ADN-së pasi jemi në kohëra të tjera tashmë dhe teknologjia ka përparuar për të parë se çfarë gjaku kanë, i cili si eurodeputet grek që është, u ankua në PE se po dhunohen grekët etnikë në Zvërnec dhe po u merren pronat nga qeveria shqiptare! Por dhe deklaratat e ish kryeministrit Tsipras!

Ndërkohë që u zbulua dhe identiteti i personit të dhunuar nga polici privar, me shtetësi greke dhe shqiptare. Eduart Subashi quhej personi i dhunuar nga rojet private gjatë protestës në Zvërnec, i cili u shpreh se si qytetar i Vlorës kishte dalë për të kërkuar të drejtën e tij, për një pronë që tha se e zotëron me dokumenta. Pronën e kishte marrë me ligjin 7501 për tokën teksa ai pretendoi publikisht se donte që të përfshihej në investim dhe toka e tij! Për të fituar ndonjë lek me një fjalë dhe ai! Gjithsesi dhuna nuk justifikohet ndaj tij, ajo ishte e rëndë dhe duhet dënuar!

Por ama, përfshirja e mediave greke në tërë këtë punë, e rrjeteve ballkanike të mediave, me qendër këtej nga veriu i Ballkanit, dhe mbi të gjitha furnizimi i protestës dhe me njerëz të ardhur me autobusë nga Athina, na duket sikur e njollosën këtë protestë! E cila për hir të së vërtetës do ta kishte fuqinë më të madhe nëse do të bëhej në Zvërnec! Për më tepër që mbërritja e mbështetjes deri dhe nga serbët e Mitrovicës së Veriut, u panë në mesin e turmës që lëvizte nga Ministria e Brendshme deri tek Kryeministria, dukej qartë akcenti i tyre i shqipes, aq sa si me urdhër flisnin vetëm përmes një ‘përkthyesi’ nga Tirana, i cili shpjegonte se ishin shqiptarë të shqetësuar për shitjen e vendit!

Duke qënë se nuk duam t’i besojmë këto teoritë konspirative, me spiunë rusë në mes të turmës së protestuesve në bulevardin qëndror të kryeqytetit apo deri sarajevas e malazias, thjeshtë po i përmbahemi asaj që kemi parë dhe asaj që është shfaqur publike, për të evidentuar faktin se patriotizma e organizatorëve të protestës për Zvërnecin u shua që në momentin e hyrjes së autobusëve me protestues nga Greqia, që me thirrjet anti-Trump dhe anti- investim të huaj në Shqipëri, që me përfshirjen e marksistëve në këtë axhendë si dhe të ndonjë deputeti të PD tek tuk, fjala është për ish prokurorin Arjan Ndoja, që ‘lëviz’ me mandatin e deputetit të PD në xhep.

Përzierja e kaq shumë axhendave ballkanike për një investim sipas rregullave në një cep të Shqipërisë, si në Zvërnec, tregon qartë se për shkak të xhelozisë, për shkak të parave të hedhura apo për shkak të inateve personale ndaj njëri tjetrit, po rrezikon fort një investim të huaj prej 4.5 miliardë dollarësh, që do ta rendisë Shqipërinë në majën e turizmit në Ballkan!

Dhe nuk e themi vetëm ne që këto kauza, kryesisht mjedisore po rrezikojnë Shqipërinë dhe vetë Ballkanin! Institute for Democracy and Electoral Assistance në raportin e tij të vitit 2025 për Ballkanin Perëndimor, ka dokumentuar se aktorë të huaj të lidhur me interesa ruse dhe rajonale shfrytëzojnë rregullisht temat mjedisore, etnike dhe kulturore për të koordinuar fushata dezinformimi në vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi.

Mjedisi, sipas raportit, është bërë një nga vektorët më të preferuar, sepse mobilizon emocione legjitime të qytetarëve dhe e bën shumë të vështirë dallimin midis aktivizmit autentik dhe operacioneve të orkestruara. Në analizën e janarit 2026, ky institut identifikon si “sinjale paralajmëruese të hershme” pikërisht ato modele që sot po vërejmë në debatin publik dhe që përfshijnë, video të prodhuara në cilësi profesionale që qarkullojnë në mënyrë koordinuese, narrativa “patriotike” që paraqiten si spontane, por që shfaqen njëkohësisht në disa portale, dhe presion i organizuar mbi institucione e zyrtarë.

“Objektivi qendror i ndikimit rus në Shqipëri nuk është të zhvendosë besnikërinë publike, por të gërryejë besimin institucional. Për këtë arsye, përpjekjet e dezinformimit përqendrohen në paraqitjen e qeverisë si tërësisht të korruptuar, të reformave si kozmetike ose të rreme dhe të procesit të integrimit në BE si të pandershëm ose të kotë. Qëllimi nuk është mobilizimi masiv, por erozioni i qetë: prodhimi gradual i cinizmit, lodhjes dhe shkëputjes qytetare.

Duke amplifikuar mangësi reale të qeverisjes në dëshmi të kalbëzimit sistemik dhe duke i kornizuar proceset e ngadalta ose komplekse të reformës si mashtrim i qëllimshëm, këto narrativa synojnë të minojnë besimin në procedurat demokratike dhe të dobësojnë durimin publik ndaj procesit të anëtarësimit. Në këtë mënyrë, ato synojnë të vonojnë ose të ndërlikojnë politikisht trajektoren përndryshe shumë të përshpejtuar të integrimit të Shqipërisë në BE”, thuhet në raportin e këtij instituti!
Njëherësh, nënvizohet se çrregullimet kibernetike dhe teknike luajnë një rol mbështetës në këtë mjedis.

Incidentet e të dhënave, rrjedhjet, manipulimi i platformave ose ndërhyrjet digjitale janë më pak për dëme të menjëhershme dhe më shumë për të përforcuar narrativën e disfunksionit- se institucionet nuk janë të besueshme, proceset janë të errëta e shteti është ose i paaftë ose i kapur.

Sinjalet e hershme paralajmëruese në këtë kontekst përfshijnë valë të papritura dezinformimi të lidhura me raportet e progresit të BE ose me momente kyçe reformash, narrativa të koordinuara që i paraqesin reformat si të inskenuara ose mashtruese; rrjedhje të dhënash ose incidente kibernetike të kornizuara si prova të kolapsit sistemik; dhe një përputhje në rritje midis indinjatës antikorrupsion dhe cinizmit anti-integrim.

Cenueshmëria e Shqipërisë, pra, nuk qëndron në drejtimin nga i cili mund të kthehet, por në faktin nëse ajo mund të ruajë besimin publik mjaftueshëm gjatë për të përfunduar një proces transformimi kërkues dhe politikisht të kushtueshëm.

Pra e thënë më shqip, nuk bëhet fjalë për një ‘bythë vend’ atje në Zvërnec, që po penalizon ‘këngën’ e pelikanëve dhe zogjve të tjerë, se këto janë të garantuara, apo se po preket greku me emrin e ‘homogjenit’ Subash, të dhunuar padrejtësisht nga një polic privat, i cili kurrë mos daltë nga burgu! Bëhet fjalë për bllokimin e investimeve të mëdha në Shqipëri, shfaqja e vendit tonë si i pasigurtë për këto investime dhe për pasojë zhbërja e këtij vendi! Kjo duhet pasur kujdes!

Aq më tepër që mendojmë se paraqet një rrezik akoma më të madh shtrirja e ‘krahut’ nga ana e SPAK, i cili ka sekuestruar llogarinë bankare të kompanisë investuese si dhe bllokuar transaksionit, që mund të rezultojë tërësisht arbitrar dhe negativ, me pasoja për investimet e huaja në vend! Jo të mos hetojë, por të mos bllokojë të paktën! Me një vendim të habitshëm, E themi këtë sepse SPAK ka vënë nën sekuestro preventive, llogaritë bankare të ‘Albania Land Development’, kompania e cila zotërohet nga dy sipërmarrësit e njohur nga Katari, vëllezërit Moutaz e Ramez Al-Khayyat, të cilët kanë parashikuar të investojnë së bashku me Jared Kushner-in, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, në ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec.

Janë 4.5 miliardë dollarë investim i huaj, nuk është shaka! Dhe ky vendim i SPAK është një thikë me dy presa që rrezikon investimin, pasi hetimi në rregull, por bllokimi i llogarive bankare të bizmesmenëve të mëdhenj të huaj, ende pa filluar investimi, është rrezik!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.