Politika

Samiti i Berlinit më 16 tetor në Tiranë/ Scholz: Marrëveshja Kosovë-Serbi e rëndësishme për rajonin! Rama: Mbështesim planin e paqes. Konferencë e përbashkët për shtyp

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani këtë të martë, në kuadër të rolit pritës të Shqipërisë në Procesin e Berlinit, të cilin kreu i qeverisë e mori në Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor 2022.

Samiti në kuadër të procesit të Berlinit do të mbahet  më 16 tetor në Tiranë.

“Prandaj gëzohem që ti re dakord në tetor të ftosh në Shqipëri Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit. Përgatitjet për këtë kanë përparuar. Në 16 tetor samiti do të të zhvillohet. Në këtë mënyrë, Samiti i Procesit të Berlinit për herë të parë në historisë thuajse 10 vjeçare të procesit do të zhvillohet në kryeqytetin e një shteti të Ballkanit Perëndimor”, tha kancelari.

Kancelari Scholz gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me Ramën tha se marrëveshja Kosovë-Serbi është e rëndësishme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj se janë bërë përparime të mëdha, po të shikoni edhe deklaratat publike të Vuçiçit dhe Kurtit është përparim, përballë shumë kohëve të mëparshme, ky është një plan që duhet të realizohet, jam i gëzuar që të arrijmë në rezultate konstruktive, prandaj për mua tani mund të bëhet realitet ajo që s’ishte e mundur deri tani do të ishte mirë për zhvillimin e rajonit, Kosovën dhe Serbinë”, tha kancelari gjerman.

Nga ana tjetër, Rama u shpreh se e mbështet fuqimisht planin e paqes, që sipas tij sjell normalizimin e nevojshëm që të dyja palët duhet ta trajtojnë me seriozitet dhe kurajën e domosdoshme.

“Kemi folur për procesin e integrimit dhe sfidat e tij, ka shumë për punë për të bërë, kemi diskutuar sesi Gjermania mund të na ndihmojë për të gjithë atë makineri të përgatitjeve të ligjeve për tu adoptuar me BE. Kemi diskutuar edhe për rajonin, ne e mbështesim fuqimisht planin e paqes dhe normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë është një plan shumë përmbajtësor dhe realist, që sjell normalizimin e nevojshëm dhe të shumëpritur që të dyja palët duhet ta trajtojnë me seriozitet dhe kurajon e domosdoshme. Më vjen mirë që dot mund të shpallim edhe datën, 16 tetori i këtij viti ku do të punojmë ngushtë së bashku”, tha Rama nga Berlini.

Kryeministri Rama ështe takuar ndër të tjera me përfaqësues të lartë të biznesit gjerman, ku do të diskutojë mbi perspektivën e Shqipërisë, në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, si dhe turistëve të saj. Rama ka vizituar gjithashtu Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili çdo vit mirëpret rreth 10 000 ekspozues nga më shumë se 180 vende dhe rajone, mes të cilave do të jetë edhe stenda shqiptare.

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kancelarittë Republikës Federale të Gjermanisë, OlafScholz

Kryeministri Ramai cili ndodhet në Berlin, Gjermani për një vizitë zyrtare, u prit sot nga Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, OlafScholz në Kancelarinë Federale, me të cilin zhvilloi një takim,në kuadër të rolit pritës të Shqipërisë në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, rol të cilin Kryeministri Rama e mori në  Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor 2022. Pas takimit mes tyre, Kryeministri Rama dhe Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, OlafScholz dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

* * *

Kancelari i Republikës Federale Gjermane, OlafScholz: Zonja dhe zotërinj, jam i gëzuar që mirëpres sot sërish në Berlin kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama! Ballkani Perëndimor dhe integrimi i tij në Bashkimin Europian janë shumë të rëndësishme për mua. Në shumë raste kam tërhequr vëmendjen se kjo është një nga detyrat shumë të mëdha që duhet të përmbushë Europa tani sepse Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe pjesë e familjes europiane.

Prandaj gëzohem që ti re dakord në tetor të ftosh në Shqipëri Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit. Përgatitjet për këtë kanë përparuar. Në 16 tetor samiti do të të zhvillohet. Në këtë mënyrë, Samiti i Procesit të Berlinit për herë të parë në historisë thuajse 10 vjeçare të procesit do të zhvillohet në kryeqytetin e një shteti të Ballkanit Perëndimor.

Procesi i Berlinit ka treguar prej vitit 2014 se çfarë potenciali ndodh nga bashkëpunimi gjithëpërfshirës të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e fundit në nëntor, pjesëmarrësit nënshkruan 3 marrëveshje të rëndësishme për krijimin e tregut të përbashkët rajonal. Shqipëria priu me shembull të mirë dhe në janar ishte vendi i parë i rajonit që i ratifikoi të treja marrëveshjet.

Ky është një model i mirë për rajonin dhe një përparim i rëndësishëm sepse me një treg të përbashkët, në rajon krijohen përkatësisht; garantohen katër liritë bazë, qarkullimi i lirë i njerëzve, i mallrave, i shërbimeve dhe i kapitalit.

Integrimi  i shpejtë i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimit në Bashkimin Europian, dëshiroj ta ritheksoj, për qeverinë time gjermane ka rëndësi strategjike. Ne dëshirojmë t’i mirëpresim ata sa më shpejt të jetë e mundur si anëtarë në Bashkimin Europian.

Prandaj, përparimet në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, përparimet e Shqipërisë janë një sinjal shumë i mirë.

Thelbi i negociatave është dhe mbetet forcimi i sundimit të ligjit. Prandaj, është mirë që anëtarë të rrjeteve kriminale, por dhe zyrtarë të rangut të lartë në rajon ndërkohë janë paditur dhe janë dënuar.

Mediat e lira dhe të pavarura janë pjesë përbërëse thelbësore e demokracive tona europiane prandaj ka rëndësi. Natyrisht, kemi nevojë për një mjedis ekonomik me siguri juridike dhe transparent.

Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, kundër një shteti sovran në Europë, na sjell në mënyrë të dhimbshme përpara syve që arritjet europiane të dekadave të fundit, jeta në hapësirën e lirisë dhe demokracisë nuk janë të vetëkuptueshme. Ne duhet të angazhohemi nga e para çdo ditë për mbrojtjen dhe forcimin e tyre.

Prandaj, dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për ta falënderuar Shqipërinë. Shqipëria merr përsipër, në plan ndërkombëtar, me rolin e saj konstruktiv si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si anëtar i NATO-s dhe si anëtar i OSBE-së dhe në shumë forume ndërkombëtare përgjegjësi të madhe. Ajo mbështet vendimet e politikës së përbashkët të jashtme të sigurisë së Bashkimit Europian në 100%.

Marrëdhëniet bilaterale midis Gjermanisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Që prej 35 vitesh, Republika Federale Gjermane bashkëpunon ngushtë me Shqipërinë. Pikërisht në këto kohë të vështira, ne jemi të gëzuar që e llogarisim Shqipërinë si një partner të besueshëm në skenën ndërkombëtare.

Më lejoni të them në fund në mënyrë të qartë; qeveria e drejtuar prej meje është e angazhuar që Republika Federale e Gjermanisë të mbetet një partner i ngushtë dhe i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama: Dua ta falenderoj nga zemra Kancelarin për mikpritjen dhe për angazhimin e tij personal si dhe për vullnetin e shprehur qartë të qeverisë federale për ta mbështetur vijimësisht Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në këtë periudhë kaq të rëndësishme për ne, kaq të rëndësishme për vetë Europën. Jemi mirënjohës, besojjo vetëm unë, por të gjithë liderët e rajonit, që këtë vit, Samiti i Procesit të Berlinit spostohet në rajon për herë të parë dhe personalisht jam i lumtur që Tirana është zgjedhur si vendi i zhvillimit të këtij Samiti.

Ky Samit do të jetë një samit që do të vazhdojë në rrugën e çelur thellimin e procesit, do të trajtojë sigurisht bilancin e arritjeve të këtij procesi dhe patjetër objektivat për t’u arritur më tutje, si dhe do të fuqizojë bashkëpunimin në rajon edhe më shumë. Bashkëpunimi rajonal është e vetmja rrugë që ne kemi dhe në këtë rrugë jemi me fat që Gjermania është një bashkudhëtar i vëmendshëm dhe një bashkudhëtar i përfshirë drejtpërdrejtë.

Me Kancelarin kemi diskutuar edhe për disa aspekte të jetës ekonomike, financiare dhe sociale në Ballkanin Perëndimor, për disa elementë të rëndësishëm të konvergjencës të standardeve të jetesës me Bashkimin Europian, si dhe për domosdoshmërinë që Bashkimi Europian të hedhë një hap më tutje në funksion të mbështetjes së fuqizimit të mekanizmave që do ta bëjnë këtë konvergjencë të realizueshme.

Nga ana tjetër, kemi folur dhe për procesin e integrimit dhe sfidat e tij; është një proces i bazuar tek merita individuale e çdo shteti dhe ku ka shumë punë për të bërë dhe për këtë arsye kemi diskutuar edhe për se si Gjermania mund të na ndihmojë në angazhimin e më shumë burimeve njerëzore, në aspektin e mbështetjes për gjithë atë makineri që duhet ngritur në funksion të përgatitjes së ligjeve dhe akteve nënligjore për t’u adoptuar tërësisht me Bashkimin Europian.

Patjetër që kemi diskutuar edhe për rajonin. Shqipëria, qeveria jonë, unë personalisht e mbështesim fuqimisht planin e paqes dhe të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë, është një plan absolutisht shumë përmbajtësor dhe njëkohësisht shumë realist, i cili sjell normalizimin e nevojshëm dhe të shumëpritur dhe të cilin të dyja palët duhet ta trajtojnë jo vetëm me seriozitetin maksimal, por edhe me të gjithë kurajon e domosdoshme.

Edhe njëherë faleminderit dhe më vjen shumë mirë që bashkë me Kancelarin mund të shpallim dhe datën e propozuar nga pala gjermane dhe absolutisht e pranuar prej nesh që është 16 tetori i këtij viti ku do të punojmë së bashku dhe ku zyra e kancelarit do të angazhohet për ta shoqëruar samitin edhe me një forum të rëndësishëm të biznesit, me praninë e bizneseve të rajonit dhe të bizneseve gjermane.

E fundit fare, besojmë që në Tiranë do kemi mundësi edhe të deklarojmë marrëveshjen përfundimtare për çeljen e kolegjit europian të Bryzhit (Bruges), në funksion të gjithë rajonit në Shqipëri.

* * *

– Shumë mjekë dhe infermierë kanë lënë Shqipërinë dhe kanë ardhur të punojnë në Gjermani. Shumë të tjerë janë duke punuar apo duke u bërë gati të vijnë. Ju kryeministër Rama, keni thënë në tetor se nuk ka më vend që Shqipëria të përgatisë mjekë për Gjermaninë dhe ky investim një ditë duhet të kthehet. A po kërkoni të kthehet dhe si do të kthehet ky investim?Dhe për ju kancelar Scholz: a e njihni ju këtë borxh dhe a jeni ju të gatshëm të paguani për mjekët që ju sjellim?

Kryeministri Edi Rama: Po, kemi diskutuar dhe këtë çështje. Natyrisht që ne nuk mund t’i kërkojmë as Gjermanisë asnjë vendi të BE, madje nuk mund t’i kërkojmë as Britanisë së Madhe që nuk është në BE që të ndalojë lëvizjen e lirë të kapitalit njerëzor dhe të ndalojë lëvizjen e lirë të atyre që nga Shqipëria duan të sprovojnë veten në fushën e profesionit të tyre apo në tregjet e Gjermanisë apo vendet e tjera.

Por nga ana tjetër, e kemi diskutuar me kancelarin se si duhet të gjejmë mënyra dhe mekanizma që faktikisht Shqipëria të mos jetë financuesi i drejtpërdrejtë i sistemit shëndetësor gjerman. Ndërkohë që i kam shpjeguar kancelarit që studentët tanë të mjekësisë paguajnë 1 të 16 e kostos ndërkohë që të gjithë pjesën tjetër e paguan qeveria.

Këto janë tema të kohës, janë tema diskutimi në një kohë kur të gjitha vendet kanë nevojë për forcë të kualifikuar por dhe forcë të pakualifikuar mesa kuptoj, pune dhe me numra të mëdhenj, jo vetëm gjermania, por dhe vende të tjera dhe është shumë e rëndësishme që ne të gjejmë një rrugë, që do duhet të jetë një rrugë europiane për të balancuar atë që faktikisht vendet si Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit humbasin këtë fazë kaq të rëndësishme ku duhet nga njëra anë të plotësojnë kushtet për tu bërë vend të BE, nga ana tjetër të rrisin cilësinë e jetës dhe të rrisin cilësinë e të gjitha shërbimeve për qytetarët e tyre në vendet tona.

Kancelari i Republikës Federale Gjermane, OlafScholz: Me të vërtetë në folëm për këtë. Kjo është një sfidë e madhe. Lëvizja e lire është nga arritjet shumë të mëdha të BE. Ajo u ka dhënë shumë qytetarëve ndjesinë e lirisë drejtpërdrejtë që nuk mund të shkosh vetëm si turist, por që në çdo kohë mund t’i hipësh trenit, avionit dhe mund të punosh aty ku ke dëshirë. Më kujtohen shumë mirë kohët kur kjo ishte shumë e vështirë të bëhej, brenda BE, ishte një sfidë e madhe. Kur doje të ngrije një restorant në një vend tjetër për shembull, tani sot kjo nuk është më një situatë e tillë, por natyrisht me këtë liri sot janë lidhur dhe shumë sfida. Prandaj është shumë e rëndësishme dhe vendi ynë ndihet përgjegjës që nevojën e tij të madhe për vende pune të mos ta mbulojë vetëm nga shtete të BE, por edhe përtej BE. Ne kemi përpunuar legjislacionin për emigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani dhe me këtë hapet tregu i Gjermanisë dhe i Europës dhe kjo ndoshta është diçka që e bën më të menaxhueshme situatën edhe në Europë.

– Zoti Scholz kam një pyetje për temën e Kinës. Qeveria gjermane po ashpërson kursin kundër ofruesve kinezë në sistemin 5G, por ka edhe debate si në Australi për shembull që kamerat dhe produktet e “hightec” të përjashtohen nga ambientet publike. A ka ardhur kjo pikë kur ne duhet t’i largojmë këto?Zoti kryeministër, Shqipëria duhet të jetë pjesa e iniciativës 17 + 1 me Kinën. Ka vende që janë larguar dhe prandaj dëshiroj të di a do të jeni aktiv në këtë iniciativë dhe pse ngulni këmbë për një bashkëpunim kaq të ngushtë me Kinën?

Kancelari i Republikës Federale Gjermane, OlafScholz: Pyetja juaj e parë, nuk mund të jap një përgjigje abstrakte. Pyetjes suaj të parë, bëhet fjalë për zbatimin e ligjeve dhe kompetencat për të janë në dispozicion, të gjithë bëjnë punën e tyre. Më shumë nuk kam çfarë të them.

Kryeministri Edi Rama: Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë publik, madje duke bërë edhe thirrje për të gjitha vendet e rajonit për të zgjedhur një alternativë për 5G dhe faktikisht e kemi bërë këtë shumë kohë më parë. Kështu që në këtë aspekt ne s’kemi asnjë problem.

Nga ana tjetër, po është e vërtetë. Ne jemi pjesë e formatit 17+1 dhe nuk kemi ndërmend të largohemi edhe pse për hir të së vërtetës Shqipëria është vendi nga të gjitha vendet e tjera të këtij formati, që nuk ka përfituar as edhe një investim. Kështu që, unë nuk e di se ku e bazoheni ju këtë bashkëpunim kaq të ngushtë me Kinën sepse për hir të së vërtetës për arsye historike, për arsye psikologjike që unë besoj janë të të dy palëve, bashkëpunimi ynë është fare normal dhe krahasuar me vende të tjera është krejtësisht irrelevant, por ideja që ne të largohemi nga forumi për të mbajtur qëndrim për çfarëdo arsye më duket një ide e gabuar. Unë mendoj se në botën ku jetojmë komunikimi me të gjithë pa përjashtim, pavarësisht se mund të kemi bindje tërësisht të kundërta dhe mund të kemi qëndrime tërësisht të kundërta është A-ja dhe besoj po ashtu që vendet demokratike, vendet që besojnë tek vlerat e dialogut, që besojnë tek vlerat e bashkëjetesës paqësore dhe demokratike janë ato që duhet të japin shembullin sepse ne për veten tonë në Shqipëri e kemi kaluar një kohë gati gjysmë shekulli me një regjim që nuk i fliste askujt dhe që i mbante qëndrime gjithë planetit dhe nuk i pamë hairin këtij mos komunikimi. Kështu që unë mendoj që komunikimi duhet të jetë gjithmonë dhe me këdo.

–  Pyetjen e parë e kam për ju zoti Kancelar. Pak ditë më parë në Bruksel u zhvillua një takim mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti pa një marrëveshje. Deri kur do të presë BE për firmosjen e një marrëveshjeje dhe një arritje në një marrëveshje mes dy vendeve? Dhe çfarë do të ndodhe nëse një nga palët nuk pranon të firmosë planin që njihet si franko-gjerman?

Ndërkohë nga ana tjetër, pyetjen e dytë e kam për kryeministrin Rama. Zoti Rama më 6 dhjetor u mbajt një samit i rëndësishëm në Tiranë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë ju sëbashku me zotin Scholz lajmëruat dhe datën e mbajtjes në Tiranë të një tjetër samiti të rëndësishëm, atij të procesit të Berlinit në 16 tetor të këtij viti. Çfarë do të thotë për qeverinë tuaj dhe për Shqipërinë mbajtja e samiteve tilla në Tiranë?

Kancelari i Republikës Federale Gjermane, OlafScholz: Ndoshta për pyetjen që më drejtoni mua, me të vërtetë kemi të bëjmë me një propozim tejvajtës dhe shumë të peshuar të Gjermanisë dhe të Francës dhe që mbështet nga BE, USA dhe që e gjeti pasqyrimin e tij edhe në vendimet e Këshillit Europian në Bruksel.

Në këtë kuadër unë besoj që ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses.

Kryeministri Edi Rama:Përsa i përket samitit, e thashë, është një kënaqësi dhe një nder dhe është edhe një shprehje besimi por është edhe një detyrim ndaj aleatëve tanë kaq të rëndësishëm, Gjermanisë, qeverisë federale, kancelarit, fakti që samiti i Procesit të Berlinit vjen në rajon dhe vjen në Tiranë.

Po ashtu nuk diskutohet që edhe samiti i 6 dhjetorit ishte diçka që ka lënë një gjurmë të thellë tek ne e cila mbi të gjitha është barrë për të merituar në vijimësi respektin që kemi fituar, por edhe për të thelluar rrugën tonë duke u bërë një vend gjithmonë e me evropian në aspektin e standardeve dhe në atë që kancelari shprehu në fjalën e tij hyrëse, që janë edhe sfidat kryesore, një vend shembull në luftën kundër korrupsionit.

Jemi i vetmi vend në rajon që falë reformës në drejtësi, e kemi ngritur stekën në pikën që s’ka qenë kurrë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, por që edhe vendet e tjera të rajonit duhet të marrin shembull në pikën ku drejtësia nuk do të dijë se nga vjen, nga cili krah i politikës, apo sa pushtet ka apo se sa lidhje ka me pushtetin një individ që duhet të përgjigjet para drejtësisë, por drejtësia bën punën e saj. Natyrisht që ka ende shumë për të bërë por ama ka ardhur dita që në Shqipëri, atë që s’e besonte askush deri para disa vitesh, është bërë fakt, fakti që edhe njerëz me profil të lartë të lidhur me shumicën qeverisëse, mund të shkojnë para drejtësisë dhe në këtë aspekt, e thashë që këto janë shenja shumë domethënëse të një rruge që vazhdon dhe Procesi i Berlinit është krijuar pikërisht për ta shtyrë më tutje vazhdimin e kësaj rruge jo vetëm në aspektin e meritës individuale të çdo vendi por edhe në asketin e bashkëpunimit dhe tani kombinimi i gjithë aspekteve ekonomike dhe financiare të Procesit të Berlinit me shtysën e re që kancelari Scholz, Gjermania, së bashku me presidentin Macron dhe Francën, dhe përmes Bashkimit Europian dhe në bashkëpunim me Shteteve të Bashkuara po i japin edhe normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, e plotësojnë këtë kuadër qe na bën të jemi optimist për të nesërmen e rajonit tonë.

– Kam një pyetje për të dy. Lidhur me pyetjen e koleges së Euroneës-it. Çfarë prisni direkt nga të dyja palët? Ata takohen po nuk arrijnë marrëveshje. Kur e prisni një marrëveshje? Kur do të ndodhë një marrëveshje e tillë?

Kancelari i Republikës Federale Gjermane, OlafScholz: Mendoj që janë bërë përparime të mëdha. Po të shikosh edhe deklaratat publike të Vuçiçit dhe Kurtit dhe ky është një përparim nga kohët e mëparshme. Ky është një plan i cili mund të zbatohet dhe duhet të realizohet prandaj dhe unë jam i gëzuar qe ne të arrijmë në rezultate konstruktive dhe të mira dhe prandaj për mua, ndjesia ime është që tani mund të bëhet realitet ajo që dukej jo e mundur deri tani dhe do ishte mirë për zhvillimin e rajonit dhe për Kosovën dhe Serbinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button