Sporti

Kategoria I dhe II nisin në fundjavë, por ekipet duhet të plotësojnë kushte

fusha-320x240FSHF

Komiteti Ekzekutiv bën të detyrueshëm akordin me Policinë për stadiumet

Komiteti Ekzekutiv i mbledhur dje në FSHF ka zgjidhur përkohësisht ngërçin e krijuar për fillimin e kampionateve të Kategorisë së Parë dhe të Dytë, duke dekretuar fillimin e tyre në këtë fundjavë. Por Ekzekutivi, njëkohësisht ka vënë disa kushte, si financiare, ashtu edhe infrastrukturore, pa të cilat klubet nuk do të regjistrohen dhe do të fillojnë të humbasin ndeshjet në tavolinë.

“Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë do të fillojnë aktivitetin në këtë fundjavë. Ekipet që nuk kanë shlyer detyrimet financiare, brenda javës duhet të derdhin në FSHF, 50% të detyrimeve që kanë për edicionin 2014-2015. Për pjesën e mbetur të detyrimeve do të bëjnë një aktmarrëveshje me FSHF për t’i likuiduar deri më 31 dhjetor 2014. Nëse brenda javës, klubet pjesëmarrëse nuk likuidojnë 50% të detyrimeve, klubet debitore humbin ndeshjen në tavolinë”, shkruhet në vendimin e marrë dje nga Ekzekutivi rreth anës financiare. Kësisoj, klubet i kthehen skemës së pagesës “me këste” të detyrimeve për regjistrimin në kampionat, variant të cilin FSHF është munduar shpesh ta zhdukë gjatë viteve të fundit, por me sa duket pa ia dalë mbanë. Fakti se klubet nuk do të përjashtohen nëse nuk shlyejnë “këstin” e parë, tregon se FSHF është e gatshme të presë derisa ta bëjnë një gjë të tillë.

Por vendimi më i rëndësishëm i Ekzekutivit ka të bëjë me stadiumet në të cilat do të zhvillohen ndeshjet e këtyre dy kampionateve. “Sa i takon infrastrukturës, të gjitha klubet duhet të sjellin brenda javës në FSHF, garancinë e policisë për të marrë përsipër mbarëvajtjen e të gjithë aktivitetit. Në të kundërt, duhet të sjellin marrëveshje me një nga stadiumet e tjera, të miratuara nga Policia e Shtetit”, shkruhet në vendimin e marrë dje. Kësisoj, klubet kanë marrë paralajmërimin që të kontaktojnë sa më parë me Policinë e Shtetit. Nëse kjo e fundit nuk garanton zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin e tyre, me apo pa tifozë, atëherë klubet duhet të kërkojnë një impiant në të cilin të jetë e mundur të luhet me praninë e forcave të rendit të cilat garantojnë sigurinë. Gjithsesi, edhe kjo zgjidhje duket e përkohshme, pasi në varësi të përgjigjes të Policisë të Shtetit, ndeshjet mund të zhvillohen në pak stadiume të sigurta, duke detyruar të luhet me turne, ose duke sjellë ndryshimin e plotë të kalendarit të aktiviteteve.

Shqipëri-Danimarkë

Publikohen çmimet e biletave, ndryshojnë nga 1 në 10 mijë lekë

Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar dje listën e çmimeve të biletave për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Danimarkës, që do të jetë e para për stadiumin e rikonstruktuar “Elbasan Arena”. FSHF këtë radhë ka ofruar një larmi të ndryshme çmimesh, në varësi të tribunës së zgjedhur nga tifozët për këtë sfidë, me vlerën minimale 1 mijë lekë (për tribunat pas porte) dhe maksimale 10 mijë lekë (për tribunat që rrethojën atë VIP, të cilat janë A2, A3 dhe B3). FSHF ka bërë të ditur se stadiumi ka pajisje moderne edhe porsa i përket kontrollit në hyrje, i cili është krejtësisht elektronik, duke e bërë të pavlefshme çdo biletë të falsifikuar. Shitjet e biletave nisin më datë 5 tetor.

Tribuna    Çmimi/ lekë

A2 + A3    10000

B3   10000

B2 + B4    8000

A1 + A4    8000

B1 + B5    6000

E    3000

D + F 2000

G1 + G3

+ C1 + C3  1500

G2 + C2    1000

Botërori 2022

Anëtari i Ekzekutivit të FIFA-s: Nuk do të zhvillohet në Katar!

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, Teo Zvanziger, ka deklaruar dje se Botërori 2022 nuk do të zhvillohet në Katar për shkak të temperaturave shumë të larta në këtë vend. “Unë personalisht mendoj se në fund, Botërori 2022 nuk do të zhvillohet në Katar”, tha ai dje për Bild. “Mjekët thonë se nuk mund të marrin përsipër përgjegjësinë për një Botëror që zhvillohet në kushte të tilla”, deklaroi ish-presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit. Ndonëse Katari insiston se Botërori gjatë verës është më se i mundshëm falë teknologjisë duke ftohur temperaturat në stadiume, të gjithë duken të shqetësuar për kushtet në qendrat stërvitore apo në zonat e grupimit të tifozëve. “Ata mund të jenë në gjendje të ftohin stadiumet, por një Botëror nuk zhvillohet vetëm brenda stadiumit. Tifozët nga e gjithë bota do të vijnë dhe do të udhëtojnë në këtë nxehtësi, ndërsa rasti i parë me rrezikshmëri për jetën do të shkaktojë hetime. Kjo është diçka të cilën asnjë anëtar i Ekzekutivit të FIFA-s nuk do ta marrë përsipër”, deklaroi Zvanziger.

Bajern Mynih

Pep Guardiola ngre alarmin: Kështu po i vrasim futbollistët

Trajneri i Bajern Mynih, Pep Guardiola, ka bërë të ditur se duhet ndryshuar sa më parë kalendari i aktiviteteve futbollistike, pasi lojtarët e kanë të pamundur të japin maksimumin duke luajtur çdo tri ditë. “Kështu po i vrasim lojtarët”, deklaroi ai në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Paderborn. “Në Gjermani, pushimi i dimrit është më i mirë sesa në vendet e tjera. Por këtu ka një tip loje shumë më fizike. Po u kërkojmë shumë lojtarëve tanë!”, tha ai, duke dhënë si shembull Tomas Myler, i cili në pesë javët e fundit kishte luajtur shtatë ndeshje zyrtare, ndërsa kishte bërë shumë pak pushime këtë vit për shkak të Botërorit. Sipas trajnerit të skuadrës bavareze, duhej rishikuar edhe një herë plani kombëtar e ndërkombëtar, për ta përshtatur në mënyrë të tillë që edhe futbollistët të kishin mundësinë të merrnin frymë. “Shihni NBA. Edhe ata luajnë çdo 3-4 ditë, ndoshta edhe më shpesh. Por ata kanë thuajse katër muaj pushime gjatë verës. Për shkak të Botërorit, jemi një muaj prapa me përgatitjet për këtë sezon”, – deklaroi Guardiola para gazetarëve.

Shkurt

Teknologjia

Liga e Futbollit Gjerman ka bërë të ditur dje se ka nisur procesin për aplikimin e teknologjisë së linjës së portës në Bundesligën 1 dhe 2, duke kërkuar të kontraktojë para fundit të këtij sezoni një kompani që ofron këtë shërbim. Nuk dihet se kur do të fillojë aplikimi i saj, por në marsin e këtij viti, klubet e Bundesligës 1 dhe 2 hodhën poshtë rezolutën e Bajern Mynih që kërkonte implementimin e teknologjisë së vijës së portës. Një rezolutë e ngjashme do të riparaqitet gjatë Asamblesë së klubeve në dhjetor.

Strotman

Presidenti i Romës, Xhejms Palota, i ka mbyllur rrugë shitjes së mesfushorit holandez, Kevin Strotman, i cili kërkohet me ngulm nga Mançester Junajtid. “Për shkak të zërave të vazhdueshëm nga mediat britanike rreth Strotman dhe Mançester Junajtid, dua të saktësoj se Kevin nuk është në shitje. Roma nuk e ka marrë asnjëherë në konsideratë idenë për ta nxjerrë në shitje këtë lojtar. Shtypi anglez po harxhon kot letër, pasi Kevin përfaqëson një element thelbësor për projektet tona afatgjata”, ishte mesazhi i qartë i Palota në adresën e tij në Twitter.

Lampard

Goli i shënuar nga Frenk Lampard me Mançester Sitin kundër Çelsit i ka kushtuar jetën një tifozi të skuadrës londineze. Sipas ANSA-s, futbollisti profesionist 24-vjeçar nga Uganda, Fahad Musana, tifoz i zjarrtë i Çelsit ku kishte pasur gjithmonë si idhull Lampard, kur e ka parë këtë të fundit të dërgojë topin në rrjetën e ish-ekipit të tij, ka pësuar infarkt dhe ka ndërruar jetë para syve të shokëve të ekipit me të cilët po ndiqte ndeshjen e së dielës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button