Kërcënimet ruse, Pentagoni: Moska po luan me zjarrin
Zv.sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara tha se “Rusia po luan me zjarrin” kur kërcënon fqinjët e saj me përdorimin e armëve bërthamore, e “në fakt kjo është një përpjekje e dështuar”, tha Robert Work.
“Kushdo që mendon se mund të kontrollojë tensionet e krijuara nëpërmjet përdorimit të armëve bërthamore është duke luajtur me zjarrin”, tha ai në një seancë të Dhomës së Përfaqësuesve, gjatë një diskutimi mbi strategjinë bërthamore dhe planet amerikane për modernizimin bërthamor.
Work tha se Moska vazhdon të shkelë marrëveshjet ndërkombëtare bërthamore, që ndalojnë raketat balistike me rreze nga 500 deri në 5500 kilometra.
Ai shtoi se Pentagoni po shqyrton mundësinë për t’iu përgjigjur shkeljeve të traktateve dhe nuk do ta lë Rusinë “të fitojë terren nëpërmjet këtyre shkeljeve”.
“Reuters” raporton ne Shtetet e Bashkuara janë gati të nisin modernizimin e forcës së plakur bërthamore, duke përfshirë armë, nëndetëse, bombardues dhe raketa balistike. Ky është një projekt afatgjatë dhe me kosto të madhe.
Dy ditë më parë, kreu i Aleancës atlantiko-veriore ka bërë të ditur se NATO nuk do të detyrohet të hyjë në një tjetër garë armatimesh me Rusinë, por ajo që është konsideruar gjerësisht si agresion i Moskës ndaj Ukrainës e ka detyruar atë të përforcojë mbrojtjen e saj.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara njoftuan planet gjatë kësaj jave për të stacionuar tanke dhe armatime të rënda në vendet anëtare të NATO-s përgjatë kufirit me Rusinë, vetëm pak kohë pasi Presidenti rus, Vladimir Putin tha se Moska do të shtonte 40 raketa të reja ndërkontinentale në arsenalin e saj bërthamor.
“Nuk do të përfshihemi në një garë armatimesh, por do të sigurojmë mbrojtjen e vendeve tona”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur për reporterët, në fillim të një takimi të ministrave të Mbrojtjes së Aleancës.