Politika

Këshilli i Integrimit/ Soreca: Pas 25 marsit, integrimi në BE nuk është më thjesht vetëm aspiratë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit të Integrimit Europian se shumë shpejt BE do të prezantojë metodologjinë e kuadrit negociues për vendin dhe se në këtë proces të gjitha palët duhet të tregojnë vullnet dhe bashkëpunim të fortë.

“Më lejoni të përgëzoj të gjitha partitë që jeni bërë së bashku për këtë reformë thelbësore sepse kështu vërtetohet që Shqipëria ka këtë frymë bashkëpunimi dhe konsensusi. Nga ana e BE-së ne jemi gati, Komisioni Europian do të prezantojë së shpejti kuadrin negociues, i cili do të diskutohet nga shtetet anëtare deri në procesin e miratimit në Këshill. Gjithçka është në duart tuaja, BE i ka kërkuar qeverisë të ndërmarrë të gjitha hapat që e sjellin më afër BE”, u shpreh Soreca.

“Shtetet anëtare i kanë kërkuar Shqipërisë që të ndërmarrë masat përfundimtare përpara konferencës së parë ndërqeveritare. Prandaj është thelbësore që Shqipëria të ruajë bashkëpunimin dhe të tregojë rezultatet për të gjitha masat që duhet të marrë në mënyrë të bashkërenduar dhe të plotë gjithëpërfshirëse”, – theksoi Soreca.

Soreca u shpreh se “plani i veprimit që prezantohet këtu sot tregon pikërisht këtë drejtim. Elementët e ndryshme të planit të veprimit kanë nivele të ndryshme që trajtojnë kushte të ndryshme, është thelbësore që ato të trajtohen në mënyrë paralele pa humbur kohë dhe me të njëjtin vullnet politik. Puna do të duhet të vazhdojë në mënyrë paralele për të gjithë  këta elementë. Prandaj ne mirëpresim këtë plan”.

Më tej Soreca tha se “ne presim me kënaqësi edhe diskutimin gjithëpërfshirës sot dhe do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë në procesin e zbatimit të gjithë elementëve të planit të veprimit. Negociatat e suksesshme kërkojnë që të ketë edhe një ekip negociues që të jetë efektiv dhe me të gjitha aftësitë e duhura”.

“Me emërimin e ekipit negociues të Shqipërisë javën e shkuar ne me zor presim të bashkëpunojmë me ekipin e zotit Mazi. Negociatat kërkojnë një punë të madhe, besim të çeliktë dhe kapacitet të fortë pikërisht në të gjithë nivelet e administratës si në atë qendrore dhe në atë vendore”, – nënvizoi Soreca.

Sipas tij, 70 % e gjithë legjislacionit të BE duhet të vihet në zbatim në nivelin e bashkive, bashkërendimi ndërmjet kryeqytetit dhe 61 bashkive do të jetë në mënyrë absolute thelbësore.

Prandaj, shtoi ai,  duhet një angazhim i plotë dhe konsultim i fortë me shoqërinë civile.

“Marrëdhënia ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së ka ndryshuar formë thelbësore në datën 25 mars. Integrimi në BE nuk është më thjesht vetëm aspiratë. Tani e tutje strukturat e BE-së do të punojnë më shumë për Shqipërinë dhe do ekzaminojmë edhe më shumë veprimet e autoriteteve shqiptare për të siguruar që legjislacioni i Shqipërisë është në përputhje të plotë me atë të BE-së”, – tha Soreca duke shtuar se shtetet anëtare të BE-së do të jenë shumë në pranë në këto proces në sajë të metodologjisë së re që miratoi Këshilli në mars.

“Kjo fazë e re pas datës 25 mars është jo vetëm komplekse , por edhe e thjeshtë në të njëjtën kohë. Nga një anë është komplekse sepse shprehimisht do të thotë një shndërrim i thellë i shoqërisë, nga ana tjetër është i thjeshtë, pasi ka vetëm një drejtim në të cilin mund të ecet. Të kemi sytë drejt së ardhmes duke mos harruar aspiratat e 97% të shqiptarëve që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së”, – tha Soreca.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button