Kronika

Këshilli Mbikëqyrës: U vodhën 713 milionë lekë, 143 milionë ishin nxjerrë jashtë qarkullimi

REAGIMI

Abuzimi – “Mospërmbushja me rigorozitet e detyrës nga ana e disa punonjësve ka krijuar hapësira për përvetësimin e vlerave monetare”

Sporteli – “Përvetësimi i parave ka ndodhur në hallkën e ndërmjetme që ka natyrën e një sporteli operacional, ku kryhen veprimet e përditshme”

Masat – “Këshilli Mbikëqyrës kërkon prej departamenteve përkatëse marrjen e masave energjike për korrigjimin e rasteve të shkeljes së procedurave”

“Nuk u prekën rezervat cash, sistemi teknologjik parandaloi vjedhjen”

Nga Sokol Çobo

Banka e Shqiperise parate e vjedhura (1)Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka publikuar dje në mbrëmje se në Thesarin e Shtetit u vodhën 713 milionë lekë, ku dy persona janë arrestuar prej ditësh, ndërsa është faktuar se disa të tjerë kanë abuzuar me detyrën dhe do të merren masa administrative. Në një njoftim për shtyp, BSH-ja thotë se, pas një mbledhjeje të Këshillit, ka përfunduar procesi i inventarizimit të plotë të të gjithë vlerave monetare që ndodhen në magazinat e Bankës së Shqipërisë, ndërsa saktëson se nga pjesa që i mungon bankës, 143 milionë lekë ishin nxjerrë nga qarkullimi për t’u asgjësuar. Në këtë deklaratë shtohet se janë zbatuar të gjitha aktet nënligjore që rregullojnë dhe disiplinojnë veprimtarinë për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare në gjendje cash. Ndërkohë, Këshilli saktëson se janë kryer të gjitha inventarizimet dhe kontrollet periodike në përputhje me bazën rregullative në fuqi. Vjedhja, sipas Bankës, ka ndodhur për shkak të mospërmbushjes me rigorozitet të detyrës nga ana e disa punonjësve, që ka krijuar hapësira për përvetësimin e vlerave monetare.

Auditi dhe kontrollet
Njoftimi i Bankës së Shqipërisë thotë se në datën 29 korrik, në vazhdim të takimit të zhvilluar një javë më parë, Këshilli Mbikëqyrës diskutoi gjetjet e grupeve të punës të ngritura për të analizuar me hollësi ngjarjen e rëndë të përvetësimit të vlerave monetare. “Pasi analizoi me përgjegjshmëri dhe në interes të transparencës dhe informimit të publikut, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konkludon se ka përfunduar procesi i inventarizimit të plotë të të gjithë vlerave monetare (kartëmonedha) që ndodhen në magazinat e Bankës së Shqipërisë, nga e cila rezulton se vlera e monetare e munguar është 713 milionë lekë, prej të cilave 143 milionë lekë para e nxjerrë nga qarkullimi për t’u asgjësuar”, – thuhet në njoftim. Sipas saj,

grupet e punës të ngritur enkas për këtë qëllim kanë arritur në konkluzionin se të gjitha aktet nënligjore që rregullojnë dhe disiplinojnë veprimtarinë për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare në gjendje cash janë hartuar në përputhje të plotë me bazën ligjore që rregullon veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë dhe në përputhje me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare me të cilat operojnë bankat e tjera qendrore. Procedurat e mirëpërcaktuara në këto akte, sipas BSH-së, garantojnë evidencë të saktë kontabël, si dhe siguri fizike të vlerave monetare në ruajtje dhe në administrim. “Infrastruktura teknologjike është e duhura dhe garanton monitorim të vazhdueshëm të të gjithë ambienteve ku zhvillohet aktiviteti i përpunimit të cash-it, si dhe të ambienteve ku ai magazinohet. Inventarizimet dhe kontrollet periodike janë kryer në vazhdimësi, në përputhje me bazën rregullative në fuqi”, – thotë Këshilli Mbikëqyrës.

Si ndodhi vjedhja?

Banka e Shqipërisë ka nxjerrë edhe shkakun e kësaj vjedhjeje. “Pavarësisht, mospërmbushja me rigorozitet e detyrës nga ana e disa punonjësve ka krijuar hapësira për përvetësimin e vlerave monetare. Hetimi administrativ nga ana e Bankës së Shqipërisë për të përcaktuar përgjegjësitë individuale është në proces, ndërkohë që prokuroria, nga ana e saj, është duke kryer hetimet e duhura për të vendosur të gjithë personat përgjegjës para ligjit. Nënvizojmë se rezervat e parasë cash (thesari për analogji) të magazinuara në Bankën e Shqipërisë në ambientet e sigurisë së lartë nuk janë prekur. Kombinimi i një sërë procedurash dhe mjetesh teknologjike të avancuara bëjnë të mundur parandalimin e çdo tentative individuale apo në grup për të aksesuar dhe manipuluar rezervat monetare. Përvetësimi i parave ka ndodhur në hallkën e ndërmjetme që ka natyrën e një sporteli operacional, ku kryhen veprimet e përditshme me cash-in”, – pohon BSH-ja. Sipas saj, në këtë hallkë, mosrespektimi me rigorozitet i procedurave nga disa prej punonjësve krijoi mundësi për abuzime të kësaj natyre. “Këshilli Mbikëqyrës kërkoi prej departamenteve përkatëse marrjen e masave energjike për korrigjimin e rasteve të shkeljes së procedurave të përcaktuara në aktet rregullative në fuqi. Banka e Shqipërisë garanton publikun se aktiviteti i saj operacional është duke funksionuar normalisht, në përmbushje të detyrimeve për furnizimin e sistemit bankar me likuiditetin e nevojshëm”, – përfundon njoftimi.

Somario

BSH-ja thotë se infrastruktura teknologjike është e duhura dhe garanton monitorim të vazhdueshëm të të gjithë ambienteve

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button